SHBA, thirrje Phenianit të ndërpresë negociatat për armët me Moskën

Bota

SHBA, thirrje Phenianit të ndërpresë negociatat për armët me Moskën

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 19:10
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se bisedimet për armët ndërmjet Rusisë dhe Koresë së Veriut po përparojnë në mënyrë aktive, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby në një konferencë shtypi të mërkurën.

Zoti Kirby tha se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu kishte shkuar së fundmi në Korenë e Veriut në përpjekje për të bindur Phenianin që t'i shesë municion artilerie Rusisë.

Zori Kirby tha se presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un kishin shkëmbyer letra duke u zotuar të rrisin bashkëpunimin e tyre dypalësh dhe tha se sipas infomacioneve që kanë Shtetet e Bashkuara një grup tjetër zyrtarësh rusë kishte udhëtuar në Phenian pas vizitës së ministrit të mbrojtjes.

Sipas marrëveshjeve, Rusia do të furnizohej me armë që ushtria planifikon t'i përdorë në luftën me Ukrainën, tha zoti Kirby. Marrëveshjet mund të përfshijnë gjithashtu lëndë të para që do të ndihmonin bazën industriale të mbrojtjes ruse.

Zoti Kirby tha se çdo marrëveshje armësh midis Rusisë dhe Koresë së Veriut do të përbënte shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut të ndërpresë negociatat e saj mbi armët me Rusinë dhe të respektojë angazhimet publik që ka ndërmarrë për të mos i mundësuar apo shitur armë Rusisë”, u tha zoti Kirby gazetarëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat