Protesta të rralla shpërthejnë në Siri

Bota

Protesta të rralla shpërthejnë në Siri

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 23:36
Protesta

Demonstrata të rralla po vazhdojnë tash e 11 ditë në qytetin jugperëndimor të Sirisë, as-Suwayda, një zonë e populluar kryesisht nga pakica druze, me banorët që kundërshtojnë kushtet e këqija të jetesës dhe kërkojnë ndryshimin e regjimit.

Protestat, të cilat po zhvillohen në zonat e qeverisura nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad, deri më tani nuk kanë treguar asnjë shenjë zbutjeje. Në mënyrë të pazakontë, forcat e sigurisë janë përmbajtur nga goditja e protestuesve pasi qindra njerëz dolën në rrugë, sipas videove në mediat sociale, vëzhguesve dhe raporteve lokale, raporton CNN.

Trazirat tregojnë se pakënaqësia kundër Assadit mbetet e lartë teksa ai përpiqet t’i japë fund izolimit të tij ndërkombëtar, madje edhe në pjesë të vendit që nuk e kanë kundërshtuar drejtpërdrejt gjatë gjithë luftës së gjatë civile.

Druzët janë pakica e tretë më e madhe fetare në Siri, duke përbërë 3% deri në 4% të popullsisë së vendit, sipas “Minority Rights Group International”.

Protestat “vijnë në një kohë veçanërisht dinamike dhe shërbejnë për të kuptuar se sa i cenueshëm dhe i paqëndrueshëm është bërë sundimi i Assadit”, tha Charles Lister, drejtor i programit të Sirisë në Institutin e Lindjes së Mesme në Washington, DC.

OKB-ja ka thënë se më shumë se 300,000 civilë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit. Miliona të tjerë janë zhvendosur.

Ndërsa ekonomia e Sirisë, pavarësisht ripranimit në Ligën Arabe, është në ulje, çmimet e mallrave thelbësore, duke përfshirë ushqimin, ilaçet, karburantin dhe mallrat e tjera bazë, po dalin jashtë kontrollit.

Qeveria ka marrë masa për dyfishimin e pagave minimale shtetërore, megjithatë ato nuk janë të mjaftueshme për të përballuar rrethanat e vështira aktuale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat