Lirohen dhjetëra roje që u morën peng në burgjet e Ekuadorit

Bota

Lirohen dhjetëra roje që u morën peng në burgjet e Ekuadorit

Më: 2 shtator 2023 Në ora: 20:29
Foto ilustrim

Pesëdhjetë roje burgu dhe shtatë policë janë liruar pasi u morën peng nga të burgosurit në gjashtë burgje të Ekuadorit, thanë autoritetet, si pasojë e një proteste të koordinuar kundër operacioneve të sigurisë që po kryhen brenda burgjeve të vendit.

Protestat nisën të enjten, sipas shërbimit të burgjeve të Ekuadorit, SNAI, disa orë pasi ushtria kreu një operacion të madh që përfshinte më shumë se 2200 personel sigurie në burgun në Latacunga, një qytet në jug të kryeqytetit Quito, raporton CNN.

Ushtria tha në Twitter se po përpiqej të “kontrollonte armët, municionet dhe eksplozivët” në objekt.

E si kundërpërgjigje, të burgosurit dhe aleatët e tyre vendosën dy makina me bomba në Quito që synonin ndërtesat e SNAI-t. Të paktën gjashtë persona u arrestuan pas shpërthimeve, tha Ministria e Brendshme e Ekuadorit.

SNAI tha të shtunën se të gjithë pengjet ishin liruar pas një “operacioni të koordinuar” dhe se burgu tani po funksiononte normalisht.

Kjo nuk është hera e parë që të burgosurit marrin pengje këtë verë në Ekuador. SNAI tha në korrik se kishte ekzekutuar me sukses një operacion për të liruar 106 roje burgu të marrë peng nga të burgosurit në pesë burgje të ndryshme.

Një kryengritje e të burgosurve në portin e Guayaquil la të vdekur 31 persona, sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit.

Sistemi i burgjeve të Ekuadorit është i njohur për dhunën dhe luftimet e brendshme midis bandave mjaft të fuqishme për të mposhtur rojet që synojnë të mbajnë të sigurta objektet, shumë prej të cilave janë të mbipopulluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat