LIVE: E gjithë vëmendja në takimin Erdogan-Putin, zbulohen kërkesat e Rusisë – ja veprimi i Zelenskyt

Bota

LIVE: E gjithë vëmendja në takimin Erdogan-Putin, zbulohen kërkesat e Rusisë – ja veprimi i Zelenskyt

Nga: A.SH Më: 3 shtator 2023 Në ora: 06:51 Përditësuar në ora: 17:14 më 03.09.2023
Volodymyr Zelensky, Receep Erdogan dhe Vladimir Putin

Çfarë pritet nesër në takimin Erdogan-Putin?

Nesër bota do kthejë sytë nga takimi Putin- Erdogan në shpresën që Rusia ti bashkohet sërish marrëveshjes së drithit të Detit të Zi që Moska ndërpreu në korrik.

Turqia po mban rolin e ndërmjetësit, por nuk dihet se çfarë rezultatesh do të japë ky takim.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka planifikuar të takojë ketë të hënë Vladimir Putin, duke shpresuar të bindë liderin rus që t'i bashkohet sërish marrëveshjes së drithit të Detit të Zi që Moska e ndërpreu në korrik.

Takimi, që do të zhvillohet në Soçi në bregun jugor të Rusisë, vjen pas javësh spekulimesh se kur dhe ku mund të takohen të dy udhëheqësit. Erdogan më parë tha se Putin do të udhëtonte në Turqi në gusht.

Pse Rusia u largua nga marrëveshja e grurit?

Kremlini refuzoi të rinovojë marrëveshjen e grurit rreth gjashtë javë më parë. Marrëveshja – e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia në korrik 2022 – kishte lejuar afro 33 milionë tonë drithë dhe mallra të tjera të largoheshin në mënyrë të sigurt nga tre porte të Ukrainës, pavarësisht pushtimit nga Rusia.

Megjithatë, Rusia u tërhoq pasi pretendoi se një marrëveshje paralele që premtonte për të hequr pengesat ndaj eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave nuk ishte respektuar. Ajo u ankua gjithashtu se kufizimet në transportin dhe sigurimet penguan tregtinë e saj bujqësore, edhe pse ajo ka dërguar sasi rekord gruri që nga viti i kaluar.

Pse është Turqia një ndërmjetës?

Që kur Putini u tërhoq nga nisma, Erdogan është zotuar vazhdimisht të rinovojë marrëveshjet që ndihmuan në shmangien e një krize ushqimore në pjesë të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe mallrave të tjera në të cilat mbështeten vendet në zhvillim. Erdogan ka mbajtur lidhje të ngushta me Putinin gjatë luftës 18-mujore në Ukrainë .

Turqia nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore  kundër Rusisë pas pushtimit të saj, duke u shfaqur si një partner kryesor tregtar dhe qendër logjistike për tregtinë e Rusisë jashtë shtetit.

Anëtari i NATO-s, Turqia, megjithatë, ka mbështetur gjithashtu Ukrainën, duke dërguar armë, duke takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe duke mbështetur kërkesën e Kievit për t'u bashkuar me aleancën.

Cilat janë kërkesat e Rusisë?

Samiti i Soçit pason bisedimet midis ministrave të jashtëm rus dhe turk të enjten, gjatë të cilave Rusia dorëzoi një listë veprimesh që Perëndimi do të duhej të ndërmerrte që eksportet e Ukrainës në Detin e Zi të rifillonin.

Çmimet e grurit në SHBA u rritën të premten, një ditë pasi ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Moska nuk shihte asnjë shenjë se do të merrte garancitë e nevojshme për të ringjallur marrëveshjen e grurit.

Erdogan në korrik tha se Putini kishte "pritje të caktuara nga vendet perëndimore" mbi marrëveshjen dhe se ishte "e rëndësishme që këto vende të ndërmarrin veprime në këtë drejtim".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kohët e fundit i dërgoi Lavrov "propozime konkrete" që synojnë të çojnë eksportet ruse në tregjet globale dhe të lejojnë rifillimin e nismës së Detit të Zi. Por Lavrov tha se Moska nuk ishte e kënaqur me letrën.

Sulmet në infrastrukturën portuale të Ukrainës, Kievi: Rusia po provokon një krizë ushqimore dhe zi buke në mbarë botën

Ukraina ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të krijojë një krizë ushqimore pasi sulmoi infrastrukturën portuale në rajonin jugor të Odesës.

Të paktën dy persona u plagosën nga sulmet ruse. Nuk është e qartë se ku është goditur saktësisht, por një zyrtar tha se ishte shënjestruar infrastruktura e vendit.

Lumi Danubi është bërë mënyra kryesore për Ukrainën për të eksportuar drithërat e saj pas rënies së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia.

“Terroristët rusë vazhdojnë të sulmojnë infrastrukturën portuale me shpresën se do të jenë në gjendje të provokojnë një krizë ushqimore dhe zi buke në botë. Detyra kryesore për ne dhe partnerët tanë sot është të eliminojmë aftësinë e kompleksit ushtarako-industrial rus për të prodhuar armë për goditje kundër Ukrainës. Dhe për të rritur përgjegjësinë për ata që ndihmojnë armikun për të anashkaluar sanksionet”, tha kreu i zyrës së Presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, në platformën Telegram.

Komandanti ukrainas: Kemi thyer linjën e mbrojtjes ruse në jug

Ushtria ukrainase ka bërë një përparim të rëndësishëm, duke i thyer linjat e mbrojtjes ruse në jug të shtetit, ka thënë gjenerali Oleksandr Tarnavskiy për mediat britanike në fundjavë.

Sipas tij, ky hap do të ndikojë në avancim më të shpejtë në rajonin e Zaporizhjas.

Gjenerali Tarnavskiy, i cili është në krye të kundërofensivës ukrainase në jug, ka folur disa ditë pasi Kievi ka shpallur fitore strategjike me marrjen e kontrollit të fshatit jugor Robotin.

Intervista është bërë edhe pas deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili i ka hedhur poshtë kritikat se kundërofensiva ukrainase po zhvillohet me ritëm të ngadalshëm.

“Tani jemi në mes të linjës së parë mbrojtëse dhe asaj të dytë”, ka thënë Tarnavskiy.

Në qendër të ofensivës, ne jemi duke i shkatërruar njësitet e armikut që ua mundësojnë mbrojtjen ushtarëve tjerë rusë në linjën e dytë”.

Tarnavskiy ka thënë për të përditshmen britanike The Guardian se forcat e Moskës “vetëm kanë qëndruar dhe e kanë pritur ushtrinë ukrainase”.

Sipas tij, forcat e Kievit tani janë nisur me makina ushtarake, dhe se Rusia ka angazhuar trupa shtesë në atë zonë.

Nën komandën e Tarnavskiyt, trupat ukrainas e kanë çliruar edhe qytetin jugor të Hersonit, vitin e kaluar.

Duke folur për gazetën britanike, Tarnvaskiy ka folur edhe për humbjet e Kievit.

“Sa më afër fitores, aq më vështirë bëhet. Pse? Sepse, fatkeqësisht, ne jemi duke i humbur më të fuqishmit dhe më të mirët”, ka thënë ai.

“Por, tani duhet të koncentrohemi në disa fusha dhe ta kryejmë punën. Nuk ka rëndësi sa e rëndë bëhet për të gjithë ne”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Zbardhet diskutimi mes Zelenskyt dhe Macron, presidenti ukrainas: Në fokus marrëveshja e eksportit të drithërave

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, diskutoi “funksionimin e korridorit të grurit” me homologun e tij francez gjatë një telefonate të dielën, bën të ditur ai përmes një postimi në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

“Ne diskutuam gjithashtu mënyrat për të siguruar funksionimin e korridorit të grurit dhe për të rritur sigurinë e rajonit të Odesës”, tha Zelensky pas telefonatës së tij me Macron.

Thirrja erdhi menjëherë pasi Rusia kreu sulme në një port në Odesa të përdorur për dërgesat e grurit.

Rinovimi i marrëveshjes së grurit të Detit të Zi ka të ngjarë të shfaqet kur presidenti rus Vladimir Putin të takohet të hënën me presidentin turk Rexhep Tajip.

Takimi Erdogan-Putin në Soçi dhe marrëveshja e grurit

Presidenti turk Tajip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të përqendrohen tek marrëveshja e eksportit të grurit përmes Detit të Zi gjatë takimit të tyre të hënën në Soçi, mes përpjekjeve të Ankarasë për ta rikthyer Moskën tek marrëveshja, tha të dielën këshilltari kryesor i zotit Erdogan për çështje të politikës së jashtme Akif Çagatay Kiliç.

“Ne po luajmë një rol udhëheqës në këtë proces e po vëmë re një mbështetje të fortë nga e gjithë bota, për rivendosjen e këtij korridori të kalimit të grurit“, tha në një intervistë për kanalin televiziv turk ‘A Haber’, tha zoti Kiliç.

Ai shtoi se Turqia do të tregohet e kujdesshme në diskutimin e kësaj çështjeje të hënën, me shpresën për të arritur sukses, pasi sikurse tha zoti Kiliç, kjo është një situatë që prek të gjithë botën.

Ndërkohë të dielën Rusia sulmoi me dronë infrastrukturën portuale në lumin Danub, që konsiderohet mjaft e rëndësishme për eksportin e grurit ukrainas. Si pasojë të paktën dy persona u plagosën në pjesët jugore të rajonit të Odesës, bënë të ditur zyrtarët ukrainas.

Danubi është shndërruar në rrugën kryesore të Ukrainës për eksportimin e grurit prej muajit korrik kur Rusia vendosi të largohet nga marrëveshja ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia. Pakti garantonte kalimin e sigurt të drithit ukrainas e produkteve të tjera nëpërmjet Detit të Zi.

Ankaraja pranoi kompleksitetin teknik që lidhet me marrëveshjen, veçanërisht në lidhje me grurin dhe mekanizmat e pagesave ruse, tha zotit Kiliç. Çështja përfshin gjithashtu sistemet ndërkombëtare të pagesave si SWIFT, duke paraqitur një sfidë të shumëanshme, shtoi ai.

“Vendimi i udhëheqësit rus është i rëndësishëm. Besoj se takimi dypalësh mes Presidentit Erdogan dhe Putin-it, do të luajë rolin më të rëndësishëm në këtë çështje“, tha ai./VOA

Ukrainasit shkatërrojnë pozicionet mbrojtëse të rusëve në Kurdiumivka

Grupi taktik Adam i ushtrisë ukrainase, ka arritur të shkatërrojë pozicionet mbrojtëse të ushtrisë ruse në Kurdiumivka.

Pamjet e realizuara nga ajri, shfaqet momenti kur artileria ukrainase godet pozicionet ruse në qytetin që pothuajse është bërë “rrafsh me tokë”.

Në këtë rajon që nga fillimi i luftës, zhvillohen beteja të ashpra mes ukrainasve dhe forcave pushtuese të Vladimir Putinit.

Në anën tjetër, në video shihet se si rusët kishin përdorur zonat dikur të banuara, për të fshehur arsenalin nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.

Pas aktivizimit të artilerisë, municionet e rusëve shihen duke shpërthyer dhe në një moment duket sikur predhat po u vinin nga askund.

Autoritetet polake të shqetësuara se janë fokus të shërbimeve sekrete të Moskës! Si u “paralizua” trafiku i trenave nga të panjohur

Cilësia ishte e dobët, por sinjali dëgjohej. “Për fitoren”, ishte thirrja e presidentit rus, Vladimir Putin. “Urra” përgjigjja e ushtarëve. Pastaj u dëgjua himni rus. Drejtuesit e lokomotivave në afërsi të Shzecinit, Poloni e dëgjuan këtë sinjal në fund të gushtit, pas një komandoje tjetër erdhi një ndalesë emergjence. Më shumë se 20 trena ndalën lëvizjen.

Trafiku i trenave të mallrave në rajon u ndërpre përkohësisht. Shërbimi Informativ Polak, ABW është duke hetuar, deklaroi Stanislaw Zaryn, sekretari i shtetit të kryeministrit polak. “Për momentin nuk përjashtojmë asnjë skenar”, tha Zaryn. Por duhet “theksuar po ashtu”, se jeta e shëndeti i pasagjerëve nuk ka qenë në rrezik. “Ky incident duhet zbardhur, edhe për shkak të rrezikut aktual ndaj shtetit polak.”

Vend tranzit për transportin e armëve

Kërcënimi për hekurudhën polake erdhi nga një transmentues i thjeshtë i valëve të shkrutra. Jo ndonjë vepër e përkryer teknikisht, konstatuan ekspertët. Por himni rus bën që të gjithë të mendojnë për akt sabotazhi. Pak më vonë u arrestuan dy persona që duhet të kenë dërguar sinjalin e ndalimit emergjent – një nga të dyshuarit, një polic polak.

Polonia si vend tranzit i transportit të armëve për Ukrainën duket se është në fokus të shërbimeve sekrete ruse. Që në mars të këtij viti autoritetet zbuluan një grup spiunazhi. Dhe rregullisht arrestohen anëtarë të rinj të grupit.

Në fund të gushtit ishin 16 të arrestuar gjithsej për spiunazh. Prokuroria i akuzon ata për “kryerjen e spiunazhit për Rusinë dhe si pjesëtarë të një grupi kriminal”, ka deklaruar Mariusz Kaminski, ministri i Brendshëm polak pas arrestimeve të para. Punonjësit e shërbimit të brendshëm informativ “kishin gjetur kamera, pajisje elektronike dhe transmetues GPS që duhet të fiksoheshin në transportet e ndihmave për Ukrainën.”

Një arrestohet, një tjetër rekrutohet

Të dyshuarit janë të huaj, më shumë nuk tha minstri i Brendshëm polak, Kaminski. Ndërkohë mediat polake raportojnë, se një pjesë e grupit përbëhet nga refugjatë ukrainas.

Ata nuk janë agjentë të shkolluar, por të rekrutuar që i kryejnë këto shërbime për para. Nëse një arrestohet, një tjetër rekrutohet diku, pasi Polonia luftohet në mënyrë hibride vazhdimisht, tha Zbginiew Hoffmann, sekretar shteti për mbrojtjen kombëtare.

“Kjo natyrisht që vjen nga Kremlini, por praktikohet edhe nga Bjellorusia”, sipas Hoffmann-it, dhe prek disa sektorë.

Nuk ka vetëm rrezik të drejtpërdrejtë nga trupat Wagner” por edhe sulme kibernetike. Kush merret me këtë e di “se ata nuk e përdorin këtë strategji nga dje ose sot.”

Hoffmann bën fjalë për ekspertizën e shërbimeve sekrete postsovjetike. Strategjia është destabilizim dhe kaos. E ajo lë gjurmë. Kur në Rshezcov, një pikë e rëndësishme tranziti për në Ukrainë u gjetën në ujin e pijshëm baktere legjionare me pasojë vdekjen e 18 vetëve (gjendja aktuale)  u mor menjëherë me hetimet shërbimi sekret polak. Ndoshta infektimi ishte pasojë e problemeve të tubacioneve të ujit, por nuk përjashtohet as një atentat. Pasiguria në Poloni është e madhe.

Sllovakia mbetet ‘trokë’ pas dhënies së ndihmës me pajisjet mbrojtëse luftarake ndaj Ukrainës, Gjermania bën lëvizjen urgjente

Aeroplanët luftarakë gjermanë kanë nisur dje që të ndihmojnë Sllovakinë në mbrojtjen e hapësirës ajrore, pasi kjo e fundit ia ka dhuruar Ukrainës shumicën e pajisjeve për mbrojtje.

Aeroplanët gjermanë do ta mbrojnë këtë shtet të NATO-s deri më 22 dhjetor, ka thënë forca ajrore gjermane.

Aeroplanët e dërguar do të jenë vazhdimisht aktivë në identifikimin e lëvizjeve armiqësore në hapësirën ajrore të Sllovakisë, ka thënë ushtria gjermane.

Sllovakia është fqinje e drejtpërdrejtë e Ukrainës, e cila është duke luftuar pushtimin rus, prej shkurtit të vitit të kaluar.

Sllovakia ia ka dorëzuar Ukrainës sistemet e saj për mbrojtje ajrore S-300, në prill të vitit 2022.

Si zëvendësim, Shtetet e Bashkuara dhe Holanda, ia kanë dhuruar Sllovakisë nga një sistem raketor për mbrojtje Patriot, ndërsa Gjermania dy shtesë.

Megjithatë, ato i kanë tërhequr prej atëherë bateritë e sistemeve Patriot nga ky vend.

Prej periudhës kur Sllovakia ia ka dorëzuar Ukrainës edhe disa armë shtesë të periudhës sovjetike, hapësirën e saj ajrore e kanë siguruar Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria.

Ish-ambasadori i SHBA-së në Rusi plas deklaratën e fortë: Putin ka shumë frikë nga humbja e Krimesë

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, beson se presidenti rus Vladimir Putin ka shumë frikë nga humbja e Krimesë. 

Duke folur në kanalin ukrainas "Espresso TV" ish-ambasadori tha: “Putini i frikësohet transferimit të luftës në Krime, në vendin tuaj, jo të tijin. Kjo është ajo që ai ka më shumë frikë, sepse kjo do të minonte legjitimitetin e luftës së tij në Rusi".

McFaul shtoi se paaftësia e Putinit për të mbajtur Krimenë do të ishte një "pasojë kërcënuese për regjimin e tij". 

Duke iu referuar pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në samitin e BRICS në vend të Putinit, ish-ambasadori tha se kjo ishte provë e frikës së Putin për t'u paraqitur para Gjykatës Penale Ndërkombëtare në rast arrestimi. 

Forcat ruse bombarduan qytetin Seredyna-Buda në Sumy

Zyra e prokurorit të përgjithshëm raportoi se forcat ruse bombarduan qytetin Seredyna-Buda në Sumy, në veri të Ukrainës, të shtunën, duke vrarë një person dhe duke plagosur tre të tjerë, raporton Kyiv Independent, përcjell Bota sot.

Këto pretendime ende nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Forcat ruse kaluan në rajonin Sumy menjëherë pasi Moska pushtoi Ukrainën shkurtin e kaluar, por forcat ukrainase morën përsëri kontrollin e rajonit disa javë më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat