Piloti rus që dezertoi në Ukrainë me helikopter: Vdekje, lot e gjak – nuk do të jem pjesë e saj

Bota

Piloti rus që dezertoi në Ukrainë me helikopter: Vdekje, lot e gjak – nuk do të jem pjesë e saj

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 17:41
Piloti rus i helikopterit

Piloti rus i helikopterit, i cili dezertoi në Ukrainë në gusht, ka zbuluar detaje të një operacioni me helikopterin e tij luftarak Mi8 në një intervistë të publikuar nga inteligjenca ukrainase.

Siç raporton CNN, piloti Maxim Kuzminov shpjegoi në një intervistë se si e kishte planifikuar arratisjen e tij dhe pse u ndje i detyruar ta bënte këtë.

“Kam kontaktuar me përfaqësuesit e inteligjencës ukrainase, shpjegova situatën time dhe ata më ofruan këtë opsion: ‘Ne garantojmë sigurinë tuaj, dokumente të reja, kompensim monetar’”, tha piloti në një video të publikuar të hënën.

Drejtori i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, zbuloi në gusht se si zyrtarët ukrainas arritën të ndihmonin pilotin të arratiset.

“Arritëm të krijojmë kushtet që ta nxjerrim të gjithë familjen e tij pa u vënë re, dhe më në fund t’i krijojmë kushtet që ai të fluturojë në këtë aeroplan me një ekuipazh që nuk e dinte se çfarë po ndodhte”, tha Budanov.

Në një intervistë të publikuar të hënën, piloti përshkroi se si ndodhi ngjarja: “Gjatë një fluturimi kuptova se isha afër kufirit. Transmetova vendndodhjen time. Mendova se ia vlente të provoja sepse nuk isha aq larg. Duke marrë vendimin përfundimtar, fluturova në një lartësi jashtëzakonisht të ulët në modalitetin e heshtjes së radios. Askush nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte”.

Piloti rus thotë se arriti të ulej në Ukrainë, ku u prit nga zyrtarë ukrainas. Rrethanat e intervistës janë të paqarta, por piloti duket se po fliste lirshëm.

Në atë kohë, një kanal jozyrtar rus në Telegram, njoftoi se helikopteri Mi-8 kishte fluturuar në Ukrainë dhe ishte ulur gabimisht në rajonin qendror të Poltava.

“Askush më herët nuk e ka bërë këtë, por shpresoj që do të ketë më shumë raste”, tha Budanov.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, piloti dënoi ashpër dezinformimin rus për pushtimin e Ukrainës: “E vërteta është që këtu nuk ka nazistë dhe fashistë. Është turp kjo çfarë po ndodhë këtu. Vrasje, lot, gjak. Njerëzit vriten mes vete. Kam bërë gjithçka që kam mundur, nuk dua të jem pjesë e kësaj”.

“Ajo çfarë po ndodhë është gjenocid mbi popullin ukrainas. Motivi që të veprojë kështu ishte se nuk doja të jem pjesë e këtyre krimeve. Ukraina pa dyshim që do ta fitojë këtë luftë, pasi që njerëzit janë shumë të bashkuar. Më parë nuk kanë qenë kështu, por tani janë të bashkuar. E tërë bota po u ndihmon, sepse para se gjithash duhet vlerësuar jeta e njeriut”, shtoi piloti që i bërë thirrje ushtarëve tjerë rusë të dezertojnë në Ukrainë.

“Për ju do të kujdesen deri në fund të jetës. Do t’ju ofrojnë punë kudo, pavarësisht se çfarë punoni. Thjesht do ta shihni botën me ngjyra”, shtoi piloti rus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat