Arabia Saudite fton në Riad rebelët Houthi të Jemenit për vazhdimin e bisedimeve të armëpushimit

Bota

Arabia Saudite fton në Riad rebelët Houthi të Jemenit për vazhdimin e bisedimeve të armëpushimit

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

Arabia Saudite ka ftuar në kryeqytetin Riad rebelët jemenas Houthi të mbështetur nga Irani për të vazhduar bisedimet e armëpushimit dhe zgjidhjes politike.

Në një deklaratë të bërë nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite thuhet se "Arabia Saudite ftoi një delegacion nga Sana për të vizituar Riadin për të përfunduar bisedimet e armëpushimit dhe zgjidhjes politike".

Në deklaratë nuk jepet informacion lidhur me datën kur do të mbahen bisedimet, por njoftohet se kjo ftesë është në kuadrin e iniciativës që Arabia Saudite ka deklaruar në mars 2021.

Në deklaratë theksohet se Arabia Saudite dhe Omani duan të vazhdojnë përpjekjet e tyre për një armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës në Jemen dhe arritjen e një zgjidhjeje politike të pranueshme dhe të qëndrueshme për të gjitha palët jemenase.

- Përgjigje pozitive nga Houthi

Mohammed Ali al-Houthi, anëtar i Këshillit të Lartë Politik të grupit Houthi, në një deklaratë nga platforma e medias sociale "X" theksoi se nga Sana nën kontrollin e tyre është nisur një delegacion nga Jemeni dhe se ka marrë rrugën drejt Riadit për të vazhduar negociatat.

Kjo do të jetë vizita e parë që një delegacion Houthi do të zhvillojë në Arabinë Saudite që nga fillimi i luftës civile në Jemen.

- Lufta civile dhe zgjidhja politike në Jemen

Që nga shtatori i vitit 2014, rebelët Houthi me mbështetje iraniane në Jemen mbajnë nën kontroll disa rajone të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Ndërkaq, forcat e koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite që nga marsi 2015 ofrojnë mbështetje për qeverinë e Jemenit kundër grupit rebel.

Arabia Saudite dhe Omani prej muajsh kanë ndërmjetësuar mes qeverisë së Jemenit dhe grupit Houthi për të përgatitur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t‘i japë fund krizës 9-vjeçare në Jemen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat