LIVE: Lëvizje interesante, vjen paralajmërimi nga sekretari i NATO-s për luftën në Ukrainë – lajmërohet edhe lideri çeçen

Bota

LIVE: Lëvizje interesante, vjen paralajmërimi nga sekretari i NATO-s për luftën në Ukrainë – lajmërohet edhe lideri çeçen

Nga: Bota sot Më: 17 shtator 2023 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 18:12 më 17.09.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Stoltenberg: Nuk ka dyshim se Ukraina do të jetë dikur në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se nuk parashikon një përfundim të shpejtë të luftës në Ukrainë, pasi sipas tij, “shumica e luftërave zgjasin më tepër sesa që pritet fillimisht”.

“Ne të gjithë urojmë që të ketë paqe sa më shpejt. Por, në të njëjtën kohë, duhet ta pranojmë: nëse presidenti Zelensky dhe ukrainasit ndalojnë së luftuari, atëherë shteti i tyre më nuk do të ekzistojë. Nëse presidenti Putin dhe Rusia ulin armët, atëherë do të kemi paqe”, ka thënë ai në një intervistë për “Funke”.

Ai është shprehur i bindur se dikur Ukraina do t’i bashkohet NATO-s.

“Nuk ka dyshim se Ukraina do të jetë dikur në NATO”, tha Stoltenberg. Në anën tjetër, ai i ka bërë thirrje Gjermanisë që ta rrisë buxhetin për mbrojtje.

5 të vdekur nga bombardimet ukrainase në Donetsk

Pesë civilë u vranë dhe një tjetër u plagos në granatimet e rënda nga artileria ukrainase në rajonin e Donetskut, tha Denis Pushilin, guvernatori i tij rajonal i vendosur nga Rusia.

Granatimet në rrethet Kirov dhe Kuibusevsky vranë pesë civilë, ndërsa një grua u plagos në rrethin Svetlandarsk, tha Pushilin përmes Telegramit.

Rajoni i Donetskut, si pjesët e tjera të Ukrainës lindore, është pjesërisht i kontrolluar nga separatistët pro-rusë që nga viti 2014.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritetet ukrainase.

U përfol se ishte në koma, reagon lideri çeçen: Dilni në ajër të pastër dhe kthjelloni mendimet

Informacioni i rrjedhur nga shërbimet sekrete ukrainase për shëndetin e Ramzan Kadyrovit ka përfshirë internetin ditët e fundit. Të enjten, përfaqësuesi i shërbimeve sekrete, Andrei Yusov, raportoi se lideri çeçen është shtruar në spital në gjendje shumë kritike, ndërsa dje u përfol se ai kishte rënë në koma, në një spital të Moskës, ku përshkruhej gjendja e tij si “kritike”.

Kadyrov i është përgjigjur kësaj të dielën në mëngjes, përmes një video të publikuar në kanalin e tij Telegram. Në të ai mohon raportet për sëmundje, ai shihet duke ecur në një rrugë (nuk dihet se ku) dhe në shi, ndërsa videoja shoqërohet me frazën ironike: Unë këshilloj fuqimisht të gjithë ata që nuk mund të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtrat në internet, të bëjnë një shëtitje në ajër të pastër dhe të kthjellojnë mendimet e tyre. Shiu është absolutisht freskues”. Në të njëjtën kohë, Kadyrov tha se ai “tashmë ka ecur 11 kilometra”.

Ditët e kaluara mediat e huaja si dhe ato ukrainase kanë cituar përfaqësuesin e shërbimeve sekrete të Kievit, Andriy Yusov, duke deklaruar se gjendja shëndetësore e Kadyrov është përkeqësuar ndjeshëm. Në fakt, gjithçka tregonte se shëndeti i tij i përkeqësuar nuk ishte për shkak të ndonjë dëmtimi në fushëbetejë, por për shkak të sëmundjeve.

Raportet për shëndetin e Kadyrov, i cili është një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ngjallën shqetësime dhe spekulime për pasardhësin e tij, veçanërisht nëse ai nuk do të shërohej. Disa  ekspertë argumentuan se Rusia mund të përpiqet të ruajë stabilitetin në rajon duke emëruar një pasardhës të besueshëm, ndërsa të tjerë kishin frikë se situata mund të çonte në rritjen e tensioneve dhe jostabilitetit.

Ndërkohë, nuk u dhanë detaje për sëmundjet që e çuan liderin e Çeçenisë në këtë gjendje, ndërsa ky lajm i veçantë qarkulloi në rrjetet sociale ndërsa ka raportime të ngjashme në kanalet ruse dhe çeçene Telegram.

Në të njëjtën kohë, pala ruse nuk konfirmoi zyrtarisht gjendjen e aleatit të ngushtë të Putinit.

Kreu i NATO-s paralajmëron: Duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainë

“Ne duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë me grupin mediatik gjerman Funke, të botuar të dielën.

“Ne të gjithë dëshirojmë një paqe të shpejtë”, tha zoti Stoltenberg, “por në të njëjtën kohë, nëse Presidenti Zelenskyy dhe ukrainasit e ndalojnë betejën, vendi i tyre nuk do të ekzistojë më”.

Ndërkohë, herët të dielën Rusia vuri në shënjestër rajonin Odesa të Ukrainës me një sulm të kombinuar me dron dhe raketë, duke goditur një objekt bujqësor, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës në aplikacionin e mesazheve Telegram. Shkalla e dëmtimeve nuk u bë e qartë menjëherë.

Gjithashtu të dielën, Ukraina ndërmori sulme me dronë në Krime dhe Moskë. Një zyrtar rajonal i Krimesë tha se një dron goditi një rezervuar karburanti, duke shkaktuar një zjarr që u shua më vonë. Ndërsa dronët mbi Moskë ndërhynë në trafikun ajror mbi kryeqytet.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha të dielën në raportin e përditshëm mbi agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës se ushtria ruse ka gjasa ta përforcojë mbrojtjen e saj rreth qytetit të pushtuar Tokmak në Ukrainën jugore.

Qyteti Tokmak është 16 kilometra larg vijës së frontit dhe po përdoret për t’u bërë një “nyje” e linjës së dytë kryesore të mbrojtjes së Rusisë.

Përqendrimi i vëmendjes tek mbrojtja e qytetit “ka të ngjarë të tregojë shqetësimin e Rusisë në rritje për depërtimet taktike të Ukrainës në vijën kryesore të mbrojtjes në veri”, thuhet në raportin britanik./ VOA

Forcat ukrainase kanë bërë një “lëvizje të rëndësishme taktike” në linjat e mbrojtjes jugore të Rusisë

Forcat ukrainase kanë bërë një “lëvizje të rëndësishme taktike” në linjat e mbrojtjes jugore të Rusisë, sipas një instituti amerikan.

Përparimi i tyre në Zaporizhzhia e ka detyruar Rusinë të ridislokojë trupa elitare nga Bakhmut, të cilin Ukraina po përpiqet të rrethojë njëkohësisht, tha Instituti për Studimin e Luftës, shkruajnë mediat e huaja.

Sulmet në qytetin lindor – dhe suksesi i pretenduar nga Ukraina në Andriivka aty pranë – e kanë penguar Rusinë që t’i tërheqë ato trupa sa më shpejt që të donte, është thënë më tej.

“ISW ka vlerësuar më parë se operacionet kundërofensive të Ukrainës përgjatë disa linjave të përpjekjeve do ta detyronin komandën ruse të vë në prioritet disa sektorë të frontit dhe të kryejë ridislokime anësore që i ofrojnë Ukrainës mundësi për shfrytëzim”, thuhet në deklaratë.

Siç thuhet më tej, ushtria ukrainase po zgjeron thyerjen e pozicioneve mbrojtëse në Robotyne dhe në perëndim të Verbove, Zaporizhzhia, por mungesa e pajisjeve të rënda dhe automjeteve në zonë sugjeron se ka më shumë mbrojtje përpara.

Megjithatë, forcat ruse “ka të ngjarë të kenë pësuar humbje të rënda” në rajon dhe anëtarët e Sulmit Ajror të Gardës së Veçantë të 83-të ruse janë zhvendosur nga Bakhmut për të forcuar mbrojtjen e saj atje, tha ISW.

“Forcat ruse deri më tani nuk kanë qenë të gatshme të dërgojnë këto formacione relativisht elitare për të ndihmuar në përpjekjet kritike mbrojtëse në rajonin perëndimor të Zaporizhzaia dhe operacionet ukrainase rreth Bakhmut duket se vazhdojnë të pengojnë komandën ruse ta bëjë këtë”.

Rusia dhe Ukraina përballen në Gjykatën Botërore për rastin e gjenocidit

Rusia dhe Ukraina do të përballen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të hënën në rastin që ka në qendër pretendimet e Moskës se pushtimi i saj i Ukrainës është bërë për të parandaluar një gjenocid.

Ukraina e solli këtë rast në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara disa ditë pasi nisi pushtimi rus më 24 shkurt të vitit të kaluar. Kievi argumenton se Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar duke thënë se pushtimi justifikohet me gjenocidin e pretenduar në lindje të Ukrainës.

Zyrtarët rusë vazhdojnë ta akuzojnë Ukrainën se po kryen gjenocid.

Rusia dëshiron që rasti të hidhet poshtë dhe kundërshton juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Seanca dëgjimore, që do të zgjasë deri më 27 shtator, do të përqendrohet në themelet e çështjes në vend se në argumentet ligjore lidhur me juridiksionin e gjykatës.

Moska ka thënë se Ukraina po e përdor këtë rast për të fituar një vendim gjyqësor lidhur me ligjshmërinë e veprimit ushtarak të Rusisë. Ukraina veçse e ka një fitore pasi gjykata marsin e vitit të kaluar ishte në favor të saj gjatë vendimit preliminar. Bazuar në atë vendim, gjykata urdhëroi Rusinë që të ndalë menjëherë veprimet ushtarake në Ukrainë.

Në seancën dëgjimore do të ketë dëshmi nga 32 shtete të tjera dhe të gjitha do të mbështesin argumentin e Ukrainës se gjykata ka juridiksion për të vazhduar me këtë rast.

Përderisa Rusia ka injoruar urdhrin e gjykatës që të ndalë veprimet ushtarake dhe kjo gjykatë nuk ka mënyrë që të zbatojë vendimet e saj, ekspertët kanë thënë se një vendim eventual në favor të Ukrainës do të ishte i rëndësishëm në pretendimet në të ardhmen për dëmshpërblim.

Konventa për gjenocid e Kombeve të Bashkuara e vitit 1948 e përkufizon gjenocidin si krime të kryera “me qëllim për të shkatërruar, të gjithin apo një pjesë, një komb, një etni, një racë apo një grup fetar”./REL

Kim dhuroi pesë dronë kamikaze dhe një jelek antiplumb

Sipas raporteve, para se të largohej nga rajoni Primorye i Rusisë për në Korenë e Veriut, Kim Jong Un iu dhuruan pesë dronë kamikaze dhe një antiplumb si dhuratë, përcjell Bota sot.

Guvernatori Oleg Kozhemyako gjithashtu i dorëzoi liderit rroba të imazhit anti-termik dhe një dron zbulimi, tha agjencia shtetërore e mediave Tass.

Udhëtimi shënoi "një kulm të ri miqësie dhe solidariteti dhe bashkëpunimi po hapet në historinë e zhvillimit të marrëdhënieve midis DPRK-së dhe Rusisë", tha agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA.

Dy drone u rrëzuan mbi Rusi

Ka raportime nga Rusia për dy sulme të tjera me dronë, përveç atyre të raportuara më parë pranë kryeqytetit, përcjell Bota sot.

Një tjetër dron u rrëzua në rajonin Voronezh të Rusisë, tha guvernatori lokal Aleksandr Gusev dhe ministria e mbrojtjes. Sipas Gusev, nuk ka pasur viktima apo dëme.

Autoritetet në rajonin e Tulës raportuan gjithashtu një përplasje të një droni në bazë të një qendre logjistike, megjithëse nuk pati viktima apo dëmtime serioze në infrastrukturë.

Sulmet thellë brenda Rusisë, larg vijës së frontit, janë shtuar gjithashtu muajt e fundit.

Rusia tha se kishte penguar një sulm të koordinuar ukrainas në Krime herët të dielën, ndërsa dronët synuan gjithashtu Moskën, duke ndërprerë trafikun ajror në kryeqytet dhe shkaktuan një zjarr në një depo nafte në jugperëndim të vendit.

Duke përdorur një rrugë të re, anijet e para të grurit mbërrijnë në Ukrainë

Dy anije mallrash kanë mbërritur në një port ukrainas pasi udhëtuan përmes Detit të Zi duke përdorur një rrugë të re.

Kështu kanë bërë të ditur autoritetet e portit ukrainas, shkruan BBC.

Anijet arritën në Chornomorsk dhe do të ngarkonin 20 mijë ton grurë për tregjet botërore.

Zyrtarët thanë se ishte hera e parë që anijet civile kishin arritur në një port ukrainas që nga rënia e një marrëveshjeje me Rusinë që garantonte sigurinë e anijeve.

Sulmet e Ukrainës në Krime po shihen si çelësi për kundërofensivën ndaj Rusisë

Gjatë kësaj jave ka pasur disa sulme ukrainasë në Krime, duke goditur kështu edhe anije luftarake dhe raketa ruse.

Këto sulme ngritën pyetjen se a a po përgatitet Ukraina të rimarrë Krimenë, shkruan BBC.

“Strategjia ka dy qëllime kryesore. Për të vendosur dominimin në veriperëndim të Detit të Zi dhe për të dobësuar mundësitë logjistike ruse për linjat e tyre të mbrojtjes në jug, pranë Tokmak dhe Melitopolit, është shprehur Oleksandr Musiienko, nga Qendra e Kievit për Studime Ushtarake dhe Ligjore.

Ndryshe, bëhet e ditur se operacionet në Krime shkojnë krah për krah me kundërofensivën e Ukrainës në jug.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat