​Buriq nga Këshilli i Evropës dënon krimet terroriste të Hamasit

Bota

​Buriq nga Këshilli i Evropës dënon krimet terroriste të Hamasit

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 14:23
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës Marija Pejçinoviq Buriq

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës Marija Pejçinoviq Buriq ka dënuar krimet e Hamasit duke thënë se shpërthimi i terrorit në Izrael është i tmerrshëm.

Në një deklaratë për media, Buriq ka theksuar se Këshilli i Evropës qëndron me vendosmëri me viktimat, familjet e tyre dhe më të dashurit e tyre.

“Dënoj në termat më të fortë të mundshëm krimet terroriste të Hamasit, të cilat kanë marrë jetën e kaq shumë njerëzve të pafajshëm dhe kanë shkaktuar kaq shumë lëndime. Këshilli i Evropës qëndron me vendosmëri me viktimat, familjet e tyre dhe më të dashurit e tyre. Mbështetja dhe solidariteti ynë janë të plotë dhe të pa rezervë”, ka thënë ajo.

Buriq ka mirëpritur veprimet e vendosura të ndërmarra nga qeveritë e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës për të bllokuar rrugën e ekstremistëve nga të gjitha anët, në mënyrë që të parandalohet që konflikti i Lindjes së Mesme të eksportohet në Evropë.

“Bashkëqytetarët tanë të besimit hebre duhet të vazhdojnë të ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre. Antisemitizmi – ngado që vjen – është i papranueshëm dhe duhet luftuar pamëshirshëm. Këshilli i Evropës është një projekt paqeje. Organizata jonë është e vendosur të mbrojë lulëzimin e komuniteteve hebreje në shtetet tona anëtare, kudo që të jenë. Bashkëjetesa paqësore bazohet në mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë”, ka thënë ajo.

Buriq u ka bërë thirrje autoriteteve izraelite që t'i qëndrojnë besnike vlerave demokratike, të respektojnë parimin e proporcionalitetit dhe të mbrojnë rreptësisht popullsinë civile, pasi që “përgjigjja e nevojshme ndaj terrorizmit nga demokracitë nuk mund dhe nuk duhet të kundërshtojë vlerat tona”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat