A është njeriu i duhur Erdogan për ndaljen e luftës mes Izraelit dhe Hamasit?

Bota

A është njeriu i duhur Erdogan për ndaljen e luftës mes Izraelit dhe Hamasit?

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 06:40
Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka luajtur rolin e ndërmjetësit në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, por përpjekjet e tij nuk kanë sjellë lëvizje pozitive drejt arritjes së paqes.

Dhe tani, ndërsa vendet në mbarë botën po përpiqen të ndalojnë përhapjen e konfliktit Izrael-Hamas, presidenti turk ka bërë që zëri i tij të dëgjohet.

Këtë javë, ai diskutoi zhvillimet e fundit në konfliktin izraelito-palestinez me liderët e Izraelit, Palestinës, Libanit, Katarit dhe Egjiptit.

I pari i shtetit turk gjithashtu tha në një takim me kabinetin qeveritar se Turqia ishte e gatshme të vepronte si ndërmjetëse për t’i dhënë fund konfliktit, raporton skynews.

Por a është lideri turk personi më i mirë për të ndërmjetësuar?

Një zyrtar turk, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka dhënë opinionin për këtë, duke i thënë Politico-s se Izraeli “po distancohet aktualisht nga një kompromis i mundshëm”.

Ata thanë gjithashtu se “çdo rol ndërmjetësues në këtë pikë është një mision i pamundur”.

Ndërkohë, Selin Nasi, anëtar i Shkollës Ekonomike të Londrës, tha se një çështje tjetër këtu është fakti se Turqia nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste.

“Nën qeverinë e AKP-së, politika e Ankarasë rreth çështjes palestineze është më e afërt me Hamasin – ose ka favorizuar relativisht Hamasin ndaj Fatahut – në dy dekadat e fundit, gjë që shkaktoi kritika jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga SHBA”, tha ajo.

Derisa AKP erdhi në pushtet në vitin 2002, Turqia tradicionalisht kishte marrëdhënie të ngushta politike dhe ushtarake me Izraelin. Por, lidhjet e dyja vendeve u ndërprenë në vitin 2010 pasi ushtarët izraelitë bastisën Mavi Marmara, anija turke që kërkonte të thyente bllokadën e Gazës, duke vrarë dhjetë aktivistë turq.

Më pas, Erdogan u kthye kundër Izraelit, duke e quajtur atë një shtet vrasës. Kauza palestineze është e dashur për ideologjinë islamike të Erdoganit.

Por, në vitet e fundit, Turqia është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjën e saj – duke përfshirë edhe Izraelin – një shtytje që u shpërblye me takimin Erdogan-Netanyahu në New York.

Sugjerimi këtu është se Izraeli mund të mos e shohë Turqinë si një aleat të besueshëm.

Analisti politik Soli Ozel, i cili punon në Universitetin Kadir Has në Stamboll, tha gjithashtu se ndërsa të dyja vendet ishin aleatë të Azerbajxhanit në mosmarrëveshjen me Armeninë, Erdogan ka shumë të ngjarë të mbante një qëndrim më të ashpër me Izraelin.

Ai tha gjithashtu se Hamasi do t’i shoh “më shumë me sy pozitiv sinjalet që vijnë nga Teherani sesa nga Turqia”.

Duhet theksuar se Irani po akuzohet gjerësisht se ka ndihmuar në orkestrimin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Edhe pse Irani ka mohuar përfshirjen e drejtpërdrejtë, lideri suprem i vendit Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se “puth duart e atyre që planifikuan sulmin ndaj regjimit sionist”.

Garda Revolucionare iraniane (IRG) ka mbështetur prej kohësh Hamasin me ndihma financiare dhe ushtarake. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat