Fabrika e dronëve që përdoren nga ushtria ukrainase

Bota

Fabrika e dronëve që përdoren nga ushtria ukrainase

Më: 29 tetor 2023 Në ora: 18:19
Foto ilustrim

“Brinc Drones” është një kompani amerikane që ka dërguar qindra dronë në Ukrainë. Këto pajisje të sofistikuara i ndihmojnë njësitë e reagimit të parë që të vëzhgojnë zonat e bombarduara nga ushtria ruse dhe gjetjen e të mbijetuarve.

Të përdorur si armë lufte dhe mjete shpëtimi, dronët e prodhuar nga kompania BRINC po luajnë një rol vendimtar në Ukrainë.

Ky dron quhet “Lemur 2” dhe është prodhuar në fabrikën e dronëve “Brinc Drones” në Siatëll.

“Një përdorim thelbësor i dronit është për operacione kërkimesh në ndërtesat e shembura. Droni eviton dërgimin e individëve në ndërtesa që kanë struktura të paqëndrueshme ose në raste kur janë shembur shkallët”, thotë për Zërin e Amerikës Blake Resnick me kompaninë Brinc Drones.

Për t’u futur në një ndërtesë, droni përdor një shufër çeliku për të thyer xhamin e dritares, nëse është e nevojshme. Droni aktivizon një radar me lazër për të skanuar ambjentet dhe krijon një hartë tredimensionale. E njëta teknologji përdoret nga makinat pa shofer.

“Kjo është një hartë 3D e ndërtesës në të cilën ndodhemi. Zmadhimi i hartës tregon se ku ndodhemi ne. Një tjetër veti është transmetimi i drejtpërdrejt me video nga droni që krijon hartën tredimensionale në një pajisje të veçantë”, thotë Colin Bell me kompaninë Brinc Drone.

Me ndihmën e kamerave termike, droni mund të zbulojë njerëzit që mund të jenë në ndërtesë dhe të vendosë kontakte me ta.

“Droni është i pajisur me mikrofon dhe altoparlant dhe mund të përdoret për të komunikuar”, thotë David Benowitz me kompaninë Brinc.

Dronët Lemur u vunë në provë në muajin shkurt pasi një tërmet i fuqishëm goditi Turqinë dhe Sirinë.

Dronët BRINC i ndihmuan ekipet e shpëtimit të gjenin të mbijetuarit nën rrënoja. Kompania BRINC thotë se ka dërguar në Ukrainë rreth 60 dronë për misionet e kërkim-shpëtimit.

“Kishte kërkesa specifike për veçori që janë unike në mjedisin e tyre operativ. Ata nuk donin të mbështeteshin fare në sistemin GPS, pra një dron pa sistem orientimi”, thotë Blake Resnick me kompaninë BRINC.

Kompania po punon për trajnimin e operatorëve të një gjenerate të re dronësh për Ukrainën.

“Po trajnojmë ekipet ukrainase dhe po këshillohemi me ta, çka rezultoi tek prodhimi i gjeneratës Lemur 2. Disa veçori kritike të kësaj gjenerate janë funksionet e krijimit të hartave 3D dhe 2D”, thotë David Benowitz me firmën BRINC.

Kompania BRINC shpreson që dronët e gjeneratës së ardhshme të përdoren nga organet e zbatimit të ligjit, si dhe për negociata në raste pengmarrjesh. Firma thotë se ka marrë porosi për dronë nga policia e Nju Jorkut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat