Zyrtarët amerikanë, pritshmëri modeste për takimin Biden-Xi

Bota

Zyrtarët amerikanë, pritshmëri modeste për takimin Biden-Xi

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 18:49
Foto nga takimi

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping takohen të mërkurën në San Francisko ku ndodhen për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC). Zyrtarët amerikanë nuk presin ndonjë përparim të ndjeshëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve SHBA-Kinë.

Zyrtarët amerikanë thonë se synimi kryesor i takimit të parë prej një viti mes dy presidentëve, është thjesht vendosja e një ure komunikimi. Shtetet e Bashkuara nuk duan që tensionet të kthehen në konflikt. Dhe tensionet janë të shumta.

Në korrik një avion luftarak kinez iu afrua një avioni amerikan në Detin e Kinës Lindore, duke hapur zjarr paralajmërues në ajër. Pentagoni njofton se ka pasur 200 incidente të tilla në dy vitet e fundit.

Në janar, një balonë kineze spiunazhi fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara. Një avion amerikan më në fund e rrëzoi atë në brigjet e Karolinës së Jugut, por ngjarja u dha një goditje lidhjeve SHBA-Kinë. Tani marrëdhëniet duket se po stabilizohen.

Zoti Xi ka pritur disa delegacione amerikane, ku ka folur me një ton më optimist për marrëdhëniet.

"E kam thënë shumë herë, përfshirë edhe disa presidentëve, se ne kemi një mijë arsye për të përmirësuar marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe asnjë arsye për t'i prishur ato", është shprehur ai.

Presioni i brendshëm mund të shpjegojë një pjesë të diplomacisë më të butë të zotit Xi. Rritja ekonomike e Kinës pas COVID-19 ka qenë shumë më e ngadaltë sesa pritej. Presidenti kinez mund të jetë kapur gjithashtu në befasi nga sulmi rus ndaj Ukrainës, thotë analistja Amanda Hsiao.

“Krijoi një ndarje mes kampit të demokracive dhe vendeve autoritare. Dhe kjo e vendosi Kinën në anën e vendeve autoritare. Kjo solli një efekt uniteti mes Uashingtonit dhe aleatëve dhe partnerëve të tij, duke formuar një koalicion anti-Kinë”, thotë analistja Amanda Hsiao e Grupit të Krizave.

Por gjendja mund të vështirësohet më tej. Një votim i ardhshëm në Tajvan mund të rezultojë në rizgjedhjen e një qeverie që e sheh me dyshim Pekinin. Dhe me intensifikimin e fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA, shumë analistë thonë se tani mund të jetë një moment i rrallë kur Shtetet e Bashkuara dhe Kina të hedhin hapa drejt stabilitetit në marrëdhëniet mes tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat