LIVE: “Plas” mes Finlandës dhe Rusisë; Gjermania i jep goditjen Putinit - zbulon sa ushtarë ukrainas ka trajnuar

Bota

LIVE: “Plas” mes Finlandës dhe Rusisë; Gjermania i jep goditjen Putinit - zbulon sa ushtarë ukrainas ka trajnuar

Nga: BOTA SOT Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 06:31 Përditësuar në ora: 19:06 më 15.11.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Biden merr mbështetje në kërkesat për Ukrainën

Një sondazh dyditor i organizuar në SHBA ka gjetur se 41 për qind e amerikanëve mbështesin dërgimin e armëve në Ukrainë në luftën kundër Rusisë.

Kjo krahasuar me 32 për qind që ishin kundër – pjesa tjetër ishin të pasigurt ose refuzuan të japin mendim.

Sondazhi i kryer nga Ipsos dhe Reuters në muajin tetor, zbuloi se mbështetja për armët ishte më e fortë mes demokratëve sesa republikanëve.

Rreth 1006 të rritur amerikanë u morën në pyetje për sondazhin, raporton skynews.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se po mbarojnë fondet për ndihmën ushtarake të destinuara për Ukrainën, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët dhe Senati i dominuar nga demokratët, nuk po arrijnë marrëveshje.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden kërkoi sërish rreth 60 miliardë dollarë (55.3 miliardë euro) për Kievin dhe 40 miliardë dollarë shtesë (37 miliardë euro) për Izraelin.

Medvedev: Mbështetja e SHBA-së për Ukrainën po i afrohet fundit të pashmangshëm

Uashingtoni së shpejti do të ndalojë ofrimin e mbështetjes për Kievin, pasi shpenzon shumë për të, me pak ose aspak dobi në fushën e betejës.

Kështu u shpreh zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitry Medvedev, shkruan Tass.

“Ligjvënësit amerikanë po pengojnë financimin e shpenzimeve ushtarake izraelite dhe ukrainase për këtë vit. Arsyet janë teknike dhe … jo mjaft teknike,” shkroi ai në kanalin e tij Telegram.

“Ndërsa në rastin e Izraelit arsyeja është padyshim teknike, pasi ai vend është më i rëndësishëm për Kongresin e SHBA-së sesa i veti, gjithçka është më e ndërlikuar për sa i përket regjimit ukrainas,” tha Medvedev, duke tërhequr vëmendjen për faktin se ” Shtetet e Bashkuara i fshijnë lehtësisht minionët e tyre kur bëhen të padobishëm”.

Medvedev parashikon se kjo është pikërisht ajo që do të ndodhë me Ukrainën.

Një i vrarë në sulmin me raketa ruse në qytetin lindor të Ukrainës

Të paktën një person u vra nga një sulm me raketa ruse gjatë natës që goditi një ndërtesë apartamentesh në Ukrainën lindore, thanë autoritetet të mërkurën.

Pesë të tjerë, duke përfshirë një fëmijë, u shpëtuan, por të paktën një person besohet të jetë bllokuar nën rrënoja pas sulmit në qytetin Selydove, në veriperëndim të qytetit të pushtuar nga Rusia, Donetsk, tha ministri i Brendshëm Ihor Klymenko.

Një ndërtesë katërkatëshe është dëmtuar rëndë, tha ai në Telegram.

Iryna Shushura, një ndihmëse e policisë, i tha Reuters në vendngjarje se dy sulme kishin ndodhur rreth orës 1 të mëngjesit, njëra goditi ndërtesën dhe tjetra u ul rreth 100 metra larg.

Ekipet e shpëtimit herët të mërkurën po pastronin rrënojat dhe paralajmëruan banorët që të mos i afroheshin strukturës, e cila dukej se ishte zhdukur nga përplasja.

Një vinç i madh ndihmoi punëtorët në pastrimin e një mase rrënojash nga vendi ku dikur ishte kati i fundit. Shumë shikues u tronditën, disa qanë, shkruan BBC.

Finlanda e akuzon Rusinë se po e ndihmon migrimin ilegal

Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, e ka akuzuar Rusinë se po u ndihmon migrantëve për të hyrë në shtetin e tij ilegalisht, duke thënë se disa janë ndihmuar prej Gardës kufitare ruse.

“Është e qartë se këta njerëz po ndihmohen dhe janë duke u transportuar në kufi nga garda kufitare”, ka thënë Orpo në një konferencë për media.

Zyrtarët finlandezë kanë thënë se migrantët po shkojnë në Finlandë me makinë, para se të çiklojnë përgjatë kufirit, në grupe të vogla, për të kërkuar azil.

Ata besohet se janë duke e shfrytëzuar një marrëveshje që mund të çiklohet në zonën kufitare.

Mirëpo Finlanda, e ka ndaluar një praktikë të tillë javën e kaluar.

Finlanda e ndan një kufi 1.340 kilometra me Rusinë, njëherësh kufiri më i gjatë mes dy vendeve në Evropë.

Numri i kalimeve ka qenë i vogël, mirëpo është raportuar për rritje këtë javë.

Garda kufitare ka thënë se i ka regjistruar 89 kalime në territorin finlandez brenda dy ditëve.

Matti Pitkaniitty, kolonel në Gardën kufitare finlandeze, ka thënë për transmetuesin britanik BBC se migrantët, përfshirë qytetarë të Irakut, Jemenit dhe Sirisë, kanë arritur legalisht në Rusi, por nuk kanë qenë të autorizuar të kalojnë në Finlandë, vend anëtar i Bashkimi Evropian.

“Tradicionalisht, garda ruse nuk i ka lejuar njerëzit që të arrijnë në kufirin finlandez pa dokumentet e duhura”, ka thënë ai.

Mirëpo, sipas tij, politika e autoriteteve ruse ka ndryshuar në muajt e fundit.

Më 2021, mijëra migrantë prej Lindjes së Mesme dhe shteteve afrikane e kanë kaluar kufirin me vendet e BE-së, Poloni dhe Lituani, përmes Bjellorusisë, vend aleat i Rusisë.

BE-ja, atëbotë, e ka akuzuar liderin bjellorus, Alexander Lukashenka, se e ka përdorur migrimin si armë për “luftë hibride”, me qëllim të destabilizimit të bllokut evropian.

Gjenerali gjerman: Stërvitëm rreth 8 mijë ushtarë ukrainas

Forcat e Armatosura të Gjermanisë deri më tani kanë trajnuar mbi 8 mijë ushtarë ukrainas.

“Pres që të trajnojmë rreth 10 mijë ushtarë deri në fund të vitit, në rreth 200 module të trajnimit”, tha gjenerali i Bundeswehr-it, Andreas Marlow, komandant i njësisë stërvitore shumëkombëshe.

Ndodhet në Strausberg pranë Berlinit dhe menaxhon misionin e trajnimit EUMAM të Bashkimit Evropian, i nisur një vit më parë.

EUMAM ofron trajnime bazë dhe një sërë specializimesh, si ato për paramedikët, snajperistët dhe operatorët e tankeve.

Marlow tha se me rrjedhën e luftës ndryshon edhe theksi i stërvitjes, nga operacionet mbrojtëse në ato sulmuese.

Ai theksoi se vetë Bundeswehr-i po bën përparim në këtë stërvitje, duke përmendur përvojën e gjerë të ukrainasve në luftën me dron.

Gjenerallejtënant gjerman tha se ukrainasit kalojnë gjashtë javë trajnim bazë dhe më pas gjashtë javë specializim, raporton dpa.

Çfarë po ndodh në Ukrainë? Lëshohet alarm në të gjithë vendin

Një alarm gjithëkombëtar për sulme të mundshme ajrore u lëshua në Ukrainë më 14 nëntor, me autoritetet që i bënë thirrje qytetarëve të kërkojnë strehim.

Ka rrezik për sulme raketore nëpër tërë Ukrainën. Avionët luftarakë MiG-31K, që i takojnë Forcës Ajrore të Rusisë, janë ngritur nga bazat e tyre ajrore”, tha Forca Ajrore e Ukrainës në një komunikatë.

Ajo nuk dha hollësi të tjera dhe e lashtoi deklaratën pasi një person u vra dhe një tjetër u plagos mëngjesin e 14 nëntorit në qytetin jugor të Ukrainës, Nikopol, në rajonin Dnipropetrovsk, i cili u sulmua nga tre dronë rusë.

Një 72-vjeçar u plagos dhe u shtri në spital në gjendje relativisht të mirë. Fatkeqësisht, kemi një të vdekur. Ngushëllime familjarëve”, tha guvernatori rajonal. Serhiy Lysak, në Telegram.

Dnipropetrovsk është rajon që është goditur vazhdimisht nga sulmet ruse.

Ndërkohë, sot gjatë ditës, vendet e Bashkimit Evropian e kanë pranuar se mund të dështojnë ta furnizojnë Ukrainën me municionin që ia kishin premtuar për ta luftuar pushtimin rus dhe për ta çliruar territorin e vet të uzurpuar.

Në fillim të këtij viti, liderët e BE-së u zotuan se do t’ia dërgonin frontit të Ukrainës një milion copë municion deri në pranverë të vitit 2024. Kjo do të nënkuptonte rritje të jashtëzakonshme të prodhimit. Por, blloku i përbërë nga 27 vende, thotë tani se e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë.

“Shifra një milion nuk do të arrihet, duhet ta hamendësojmë këtë”, tha ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistrius, para një takimi të ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Be-së në Bruksel.

Rreth 300.000 copë municion i janë dërguar asaj nga depot ekzistuese të BE-së deri më tani.

Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Andris Spruds, nguli këmbë se caku fillestar nuk duhet të merret si diçka e saktë.

“Epo, natyrisht, një milion copë janë simbolike. Mendoj se të rëndësishme janë aspirata dhe ambicia”, tha ai.

Në fushëbetejë, megjithatë, prania e municionit është gjëja e vetme që ka rëndësi.

Në luftën e Ukrainës me Rusinë, predhat e artilerisë 155mm luajnë rol vendimtar. Harxhimi i 6.000 deri në 7.000 predhave në ditë tregon për rëndësinë strategjike të tyre./REL

Çfarë u tha në takimin me dyer të mbyllura? Zyrtari rus: Do të dërgojmë në luftë nga 500 banorë në javë, do i marrim nga një rajon siberian

Një zyrtar rus i Mbrojtjes ka kërkuar që Jakutia, një rajon me shumicë etnike jo ruse në verilindje të Siberisë, t’i dërgojë nga 500 burra në frontin ukrainas çdo javë për ta përmirësuar renditjen e vet.

Aleksandr Avdonin, komisar ushtarak i Jakutias, tha në një takim me dyer të mbyllura me zyrtarët lokalë në shtator se ky rajon ishte i fundit në renditjet e rajoneve që rekrutojnë trupa.

Jakutia e kishte përmbushur vetëm një të tretën e planit të rekrutimit, Avdonin kishte thënë, sipas grupit për të drejtat e njeriut Fondacioni për Jakutian e Lirë, i cili e siguroi një audio incizim të takimit.

Ky ishte vendi me shkallën më të ulët të rekrutimeve në rajonet lindore të Rusisë, tha ai.Ai u bëri thirrje zyrtarët t’i dërgojnë nga 15 banorë prej çdo rrethinë çdo javë deri në përfundim të vitit. Jakutia, njëra prej rajoneve më të varfra në Rusi, i ka 36 rrethina, që do të nënkuptonte dërgimin e 540 burrave çdo javë në luftën në Ukrainë.

Jakutët, një popull që flet gjuhën turkike, është grupi më i madh etnik në Jakutia, i ndjekur nga rusët.

Kremlini është përpjekur ta arsyetojnë luftën agresive kundër Ukrainës në shumë mënyrë të rrejshme, përfshirë për nevojën për t’i mbrojtur rusët në lindje të Ukrainës.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se pakicat po e bartin një barrë më të rëndë të luftës se sa vetë rusët. Rajonet etnike të Rusisë janë në mesin e më të varfrave dhe burrat mund të joshën nga pagat e larta që u ofrohen për të luftuar në Ukrainë.

Jakutia është rreth 5.000 kilometra larg frontit ukrainas./REL

Rusia vijon bombardimet në Ukrainë, një i vdekur dhe një i plagosur në Dnipropetrovsk

Të paktën një person ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pasi nga sulmet ruse në Dnipropetrovsk.

Mësohet se i lënduari, një 72-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Lajmi u konfirmua nga guvernatori i rajonit, Serhiy Lysak , i cili përmes një postimi në rrjetin social ‘Telegram’ shkruan se Dnipropetrovsk-u u sulmua nga tre dronë kamikazë.

Ky bombardim i radhës vjen pasi Ukraina pretendoi se tre oficerë rusë u vranë në një shpërthim në qytetin Melitopol të kontrolluar nga Kremlini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat