Ushtria izraelite thotë se vrau shtatë militantë në Bregun Perëndimor

Bota

Ushtria izraelite thotë se vrau shtatë militantë në Bregun Perëndimor

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 14:21
Bastitje të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor. Nëntor, 2023.

Ushtria izraelite tha të premten se ka vrarë të paktën shtatë militantë në dy përleshje të ndara në Bregun Perëndimor, pasi Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian - pranoi se një numër i ushtarëve të tij u vranë në mes të dhunës në rritje.

Që prej sulmeve të grupit ekstremist palestinez, më 7 tetor, në pjesën jugore të Izraelit, ka pasur rritje dramatike të numrit të përleshjeve në Bregun Perëndimor, ku ushtria izraelite ka shtuar inkursionet duke synuar grupet militante.

Forcat izraelite kryen një operacion gjatë natës në mes të së enjtes dhe të premtes në një kamp refugjatësh në Xhenin, një qytet në veri të Bregut Perëndimor, i konsideruar prej kohësh qendër e aktivitetit luftarak.

"Në total, të paktën pesë terroristë u vranë," tha ushtria përmes deklaratës.

Diku tjetër, në jug të Bregut Perëndimor, ministria palestineze e Shëndetësisë tha se dy persona u vranë "nga plumbat e ushtrisë izraelite" në hyrje të qytetit të Hebronit.

Ushtria izraelite tha se "dy sulmues mbërritën me një automjet në një kryqëzim ngjitur me Hebronin dhe qëlluan mbi ushtarët që po vepronin në zonë."

"Ushtarët u përgjigjën me zjarr dhe vranë sulmuesit", përpara se të kapnin një armë, u tha në një deklaratë, duke shtuar se nuk kishte viktima izraelite.

Në Xhenin, Hamasi, grupi radikal palestinez, tha se tre nga luftëtarët e tij ishin vrarë në sulm - inkursioni i tretë i madh izraelit në zonë në po aq javë.

Të premten në mëngjes, gazetarët e AFP-së panë një kortezh funerali për tre persona, i ndjekur nga dhjetëra vajtues dhe militantë që qëllonin në ajër.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah, tha gjithashtu se tre persona u vranë në sulmin në Xhenin dhe 15 të tjerë u plagosën, katër prej tyre në gjendje kritike.

Shkëmbim zjarri

Ushtria izraelite tha se "një celulë e armatosur terroriste që qëlloi ndaj forcave izraelite të sigurisë u godit nga një avion [ushtarak]."

Në deklaratë gjithashtu thuhet se “terroristët që qëlluan dhe hodhën mjete shpërthyese ndaj forcave të sigurisë u neutralizuan.”

Ushtria tha se "terroristët dhe personat e armatosur u larguan nga zona me automjete dhe ambulanca në drejtim të zonës së spitalit Ibn Sina në Jenin me qëllimin për t'u fshehur atje. Sipas ushtrisë një automjet u ndalua në hyrje të spitalit.

Ai publikoi pamjet që dukej se tregonin armët duke u hequr nga një automjet jashtë një spitali.

Izraeli vazhdimisht thotë se militantët e Hamasit në Rripin e Gazës po përdorin spitalet si bazë për sulmet e tyre, një akuzë që grupi islamik e mohon vazhdimisht.

Sipas Izraelit, persona të armatosur të Hamasit, grupit ekstremist palestinez, gati gjashtë javë më parë dolën nga Gaza dhe vranë 1.200 njerëz - kryesisht civilë - dhe kapën rreth 240 pengje.

Si hakmarrje për sulmet, Izraeli filloi bombardimet dhe një ofensivë tokësore kundër Hamasit, grupit radikal palestinez, në Gaza, për të cilën autoritetet në territorin e drejtuar nga ky grup thonë se kanë vrarë të paktën 11.500 njerëz, kryesisht civilë.

Një inkursion javën e kaluar në Xhenin rezultoi me 14 vdekje të palestinezëve - sipas ministrisë së Shëndetësisë - në sulmin më vdekjeprurës në Bregun Perëndimor që prej të paktën vitit 2005, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat