2023-ta në botë

Bota

2023-ta në botë

Më: 1 janar 2024 Në ora: 12:18
Pamje nga Ukraina

Dita e parë e janarit  e 2023-ës e gjeti Ukrainën në luftë.

Që në natën e ndërrimit të motmotit Anatoli 73 -vjeçar mbeti i pastrehë pasi raketat ruse goditën fshatin e tij në Kiev.

Pavarësisht brinjëve të thyera, syve të mavijosur e prerjeve në shpinë e kokë, ai doli nga spitali për disa orë për të parë se çfarë kishte mbetur nga shtëpia të cilën e ndërtoi me mund.

“Ju e dini se ne po ndërtonim këtë shtëpi për pesë, gjashtë vjet me rrogën tonë, me paratë tona të fituara me mund dhe ja ku jemi sot. Çfarë mund të them, ata janë kafshë. Ata nuk janë njerëz, ata janë kafshë. Nusja ime… Unë nuk e di se si ky komb, Rusia, ekziston ende në këtë botë”, ka deklaruar Anatolii Kaharlytski – 73-vjepari i plagosur në sulm.

Vetëm një javë më pas, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi për një armëpushim 36 orësh në Ukrainë për festën e Krishtlindjeve Ortodokse.

Por, ukrainasit në atë kohë u shprehën skeptik, ndërsa thanë se nuk i besojnë Putinit.

“Unë mendoj se do të jetë si më parë, ai do të shpallë të ashtuquajturin armëpushim, nuk do të ketë armëpushim, por në momentin që forcat tona do të kundërpërgjigjen Putini do të na akuzojë për terrorizëm”, tha një banor i Kievit.

Putin shpalli armëpushimin në të njëjtën ditë që Berlini dhe Uashingtoni u zotuan për ndihmë shtesë ushtarake për Kievin dhe kjo ishte hera e parë përgjatë luftës që pati një armëpushim në të gjithë Ukrainën.

Ndërkohë, Kroacia filloi vitin 2023 me monedhën e re, euron e Bashkimit Evropian.

Por, për qytetarët në Zagreb ky ndryshim nuk qe aspak i lehtë.

Shitësit me pakicë u akuzuan se po manipulojnë me çmimet për të rritur fitimet e tyre në vend që t’i përmbahen normës së konvertimit prej 7.5 kuna në 1 euro.

“Ata padyshim i vendosën çmimet lart, një tufë qepësh dikur kushtonte 5 kuna, por tani me çmimin në euro, është e barabartë me 8 kuna. Rillogaritja e çmimeve në kokën time ka qenë një përvojë e tmerrshme. Kjo është çmenduri totale, për sa i përket çmimeve dhe gjithçka tjetër”, tha Hedviga, banore në Zagreb.

Kroacia iu bashkua BE-së në vitin 2013, hera e fundit që blloku pranoi një vend të ri anëtar.

Për të adoptuar euron, vendit iu desh të përmbushte një sërë kushtesh të rrepta ekonomike, duke përfshirë një kurs këmbimi të qëndrueshëm dhe  inflacion të kontrolluar.

Në fillim të vitit Rasmus Paludan,  një aktivist i ekstremit të djathtë nga Danimarka mori leje nga policia  suedeze për të organizuar një protestë jashtë ambasadës turke në Stokholm, ku dogji Kuranin, librin e shenjtë të myslimanëve.

Ky akt shkaktoi zemërim tek vendet me shumicë myslimane në botë, shkruan Tëvë1.

Pas lutjeve të së premtes së fundit të janarit, protestuesit në Pakistan, Iran, Liban, Afganistan dhe Irak dogjën flamurin suedez dhe bënë thirrje që vendet e tyre të bojkotojnë Suedinë.

E muaji i dytë i 2023-ës ishte tragjik për Turqinë e Sirinë.

Mëngjesin e 6 shkurtit turqit dhe sirianët u zgjuan nga një tërmet me magnitudë 7.8 , i cili u bë më vdekjeprurësi në botë në një dekadë.

Ndërsa ekipet e shpëtimit në Turqi kërkonin për të mbijetuarit, kjo nënë e pashpresë priste lajme për të bijën, dhëndrin dhe nipin 18 muajsh.

Ndërkohë, të mbijetuarit nga tërmeti të cilët mbetën në rrugë u përballën edhe me një hall tjetër.

Atë të mungesës së ushqimit dhe të ftohtit.

Disave tërmeti ua mori të gjitha.

Siriani Ahmad humbi 25 anëtarë të familjes së ngushtë.

Ai vrapoi i përhumbur nga njëri tek tjetri për tu dhënë lamtumirën e fundit.

E momenti më i vështirë për të ishte kur mbajti në duar trupin e nipit të tij të vogël.

Vendet në mbarë botën dërguan ekipe për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit në Turqi.

Qeveria turke është kritikuar nga të mbijetuarit se nuk ka dërguar ekipet e duhura të shpëtimit në provincë në kohë.

Mbi 50 mijë persona raportohet të kenë vdekur nga tërmeti ndërsa miliona të tjerë mbetën pa strehim.

E në muajin mars ish-presidenti amerikan Donald Trump u padit nga një juri e madhe në Manhattan, duke e bërë atë presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili përballet me një akuzë penale.

Trump dhe mbështetësit e tij në atë kohë u shprehën se kjo është një përpjekje për të persekutuar republikanin dhe një rrezik për të drejtat e të gjithë amerikanëve.

Ndërkohë fillimi i prillit e gjeti Aleancën më të madhe ushtarake në botë të zgjeruar.

NATO pranoi në mesin e saj anëtarin e 31-të, Finlandën.

Për shefin e aleancës Jens Stoltenberg, pranimi i Helsinkit ishte për t’i treguar  botës se presidenti rus Vladimir Putin dështoi në përpjekjet e tij për të ndalur zgjerimin e aleancës.

E alarmuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022, Finlanda së bashku me Suedinë aplikuan për tu bashkuar me NATO-n duke lënë mënjanë vitet e mosangazhimit ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së aleancës.

Menjëherë pas pranimit të Finlandës në NATO, Shtetet e Bashkuara u tronditën nga rrjedhja e dokumenteve ushtarake shumë të klasifikuara të Pentagonit mbi luftën në Ukrainë.

Dokumentet thuhet të kenë detaje për ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s për Ukrainën si dhe detaje rreth aftësive ushtarake të disa aleatëve dhe kundërshtarëve të SHBA-së, që mund të tendosin lidhjet me ato vende.

Për rrjedhjen e këtyre dokumenteve nëpër grupe të bisedave në internet, agjentët e FBI arrestuan si të dyshuar kryesor  gardianin 21- vjeçar Jack Teixeira.

Kësaj radhe Forcat e Armatosura të Sudanit dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në Sudan nisën  luftimet për marrjen e pushtetit atje.

Dy gjeneralët rivalë janë ish-aleatë të cilët bashkërisht orkestruan një grusht shteti ushtarak në vitin 2021 i cili prishi tranzicionin jetëshkurtër të Sudanit drejt demokracisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara që nga fillimi i luftës në Sudan e deri më tani janë vrarë mbi 9 mijë persona.

Ndërkohë në qershor, Franca u përball me protesta masive të njëpasnjëshme të cilat rezultuan edhe në dhunë.

Kjo pas vrasjes së  adoleshentit me origjinë marokene Nahel Merzouk  nga policia franceze  gjatë një ndalese trafiku.

Vdekja e tij  shkaktoi tensione mes protestuesve të zemëruar që u vunë flakën barrikadave dhe policisë franceze që gjuajti gaz lotsjellës.

E korriku i nxehtë i 2023-ës solli temperatura rekorde në botë.

Në Iran u  regjistrua temperaturë e cila arriti deri në 50 gradë Celsius, ndërsa me nxehtësi ekstreme u përballën edhe disa vende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanjë dhe Vietnam.

Për këtë, OKB-ja, u bëri thirrje liderëve botërorë që të veprojnë urgjentisht, pasi sipas tyre kriza klimatike po kërcënon rritjen e urisë globale.

Ndërsa lufta vazhdoi në Ukrainë dhe ukrainasit në vijën e parë të frontit vazhduan të luftonin për çlirimin e vendit, dikush gjeti kohë për të kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë.

Zoia dhe Evhen, një çift ushtarak u larguan vetëm një ditë nga vija e frontit në Bakhmut, veshën kostumet tradicionale të nuses dhe dhëndrit dhe festuan ashtu sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Rëndësinë e jetës e kuptuan edhe më shumë marokenët në fillim të shtatorit të cilët u zgjuan nga një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 6.8, i cili vrau  rreth 3000 njerëz.

Yahya, 19 vjeç,  i cili pas tërmetit humbi shtëpinë e tij dhe kaloi net të tëra nëpër rrugët e sheshit në Marrakech nuk e di se si do të jetojë tani e tutje.

Kombet e Bashkuara vlerësuan se fatkeqësia ka prekur 300  mijë njerëz.

Një ditë pas tërmetit vdekjeprurës në Marok, një tjetër fatkeqësi natyrore goditi Libinë.

Stuhia mesdhetare Daniel e cila kaploi vendin me mbi 6 milionë banorë la të vdekur rreth 13 mijë persona.

Libia vuan nga infrastruktura e dobët pas më shumë se një dekade konflikti.

Vendi është i ndarë  mes dy administratave rivale, një në lindje dhe një në perëndim, secila e mbështetur nga milicitë dhe qeveritë e huaja.

Në tetor, Afganistani u godit nga një tërmet vdekjeprurës i cili la të vdekur më shumë se 2 mijë persona.

Mullah Abdul Basir, i cili humbi pesë anëtarë të familjes së tij nga tërmeti, ndërsa qëndroi pranë shtëpisë së tij të shkatërruar , tha se asnjë familje nuk mbeti e paprekur nga kjo tragjedi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat