LIVE: Zhvillohet betejë e ashpër në Detin e Kuq, SHBA paralajmëron rebelët e Huthit – reagon edhe Erdogan

Bota

LIVE: Zhvillohet betejë e ashpër në Detin e Kuq, SHBA paralajmëron rebelët e Huthit – reagon edhe Erdogan

Nga: Bota sot Më: 12 janar 2024 Në ora: 06:38 Përditësuar në ora: 09:20 më 12.01.2024
Pamje nga vendi i ngjarjes

Momenti kur aeroplani britanik Typhoon godet objektivin e Houthit në Jemen - pason një shpërthim i madh

SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisën mëngjesin e së premtes një mori sulmesh ndaj grupit Houthi në Jemen.

Sulmet e tyre vijnë si kundëpërgjigje ndaj sulmeve që kreu grupi Houthi ndaj anijeve amerikane në Detin e Kuq.

Tani, pamjet e publikuara nga ministria britanike e mbrojtjes tregojnë momentin kur aeroplani britanik Typhoon godet një objektiv në Jemen.

Një ndërtesë shihet në pikësynimin e aeroplanit britanik, përpara se të ndodhte një shpërthim i madh.

Kjo ishte një nga dy zonat e qëlluara nga Britania e Madhe, sipas ministrisë.

“Typhoon po fluturonte me shpejtësi prej 965 kilometër në orë deri në 1,287 kilometër në orë dhe megjithatë ai imazh është pothuajse absolutisht statik”, tha analisti i mbrojtjes Michael Clarke.

Kush janë Houthi-t?

Houthi janë një grup rebelësh islamikë shiitë me bazë në Jemenin perëndimor.

Grupi u formua në vitet 1990 si një lëvizje për të promovuar të drejtat e shiitëve Zaidi dhe fisit Houthi, nga i cili grupi mori emrin e tij, shkruan Sky News.

Grupi kundërshton ndikimin e SHBA-së dhe Izraelit në Lindjen e Mesme – me sloganin e saj që përmban fjalët “vdekje Amerikës”, “vdekje Izraelit” dhe një “mallkim mbi hebrenjtë”.

Të mbështetur nga Irani dhe aleatë me grupe të tjera islamike në rajon si Hamasi dhe Hezbollahu, grupi ka akuzuar gjithashtu Arabinë Saudite për “marrëveshje” me SHBA.

Vdekja e themeluesit të grupit, Hussein al Houthi, në duart e ushtrisë jemenase, shkaktoi një luftë civile – kryengritjen Houthi – në vitin 2004.

Grupi, i udhëhequr tani nga vëllai i tij, Abdul-Malik al Houthi, gjithashtu mori pjesë në revolucionin jemenas të vitit 2011, duke fituar territore të tjera.

Që atëherë, ata kanë zgjeruar zonën e tyre të ndikimit dhe tani kontrollojnë pjesën më të madhe të bregut perëndimor të Jemenit deri në ngushticën Bab al Mandeb – hyrja në Detin e Kuq.

Pamje të sulmeve amerikane dhe britanike kundër Houthi-ve të mbështetur nga Irani në Jemen

Ushtria e SHBA-së dhe e Mbretërisë së Bashkuar nisën sulme kundër objektivave të shumta në zonat e kontrolluara nga Houthi të Jemenit.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se ai urdhëroi sulmet “në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedentë të Houthi kundër anijeve detare ndërkombëtare në Detin e Kuq”.

Biden shtoi se ai “nuk do të hezitojë të drejtojë masa të mëtejshme për të mbrojtur popullin tonë dhe rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkombëtare sipas nevojës”.

Më shumë se 100 municione të drejtuara me saktësi “të llojeve të ndryshme” u përdorën, tha ai.

Një zyrtar i lartë ushtarak u tha gazetarëve të enjten në mbrëmje se ai nuk mund të jepte një përqindje të saktë të aseteve Houthi që u shkatërruan në sulme, por se ishin “të rëndësishme”.

Dhe pas sulmeve kanë ardhur reagime të shumta si nga vetë Houthi-t, po ashtu edhe nga vende si Rusia, Irani, Arabia Saudite, grupi Hezbollah – dhe jo vetëm..

Ndërkohë në rrjetet sociale janë publikuar pamje që thuhet se tregojnë sulmet amerikane dhe britanike mbi Houthi-t në Jemen.

Gjenerali Houthi pretendon se ‘beteja e madhe ka shpërthyer’ në Detin e Kuq

Një gjeneral Houthi ka pohuar pa dhënë prova se luftanijet amerikane dhe britanike janë goditur në Detin e Kuq.

Gjeneralmajor Abdul Salam Jahaf tha se një “betejë e madhe ka shpërthyer” në ujëra në orët e para të mëngjesit të sotëm, shkruan Sky News.

Por një orë pas deklaratës së tij, të postuar në X, Reuters raportoi se nuk kishte ndodhur asnjë veprim hakmarrës.

Zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve se ata “nuk do të habiteshin të shihnin një lloj përgjigjeje”.

Pas sulmeve, gjeneralmajor Salam Jahaf tha: “Barbarisë amerikane, britanike dhe izraelite i është dhënë një përgjigje dhe tani një betejë e madhe ka shpërthyer në Detin e Kuq”.

“Është e sigurt se një numër i luftanijeve amerikane dhe britanike janë goditur”.

Megjithatë, Sky News thotë se nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur këto raporte.

Sulmet amerikane dhe britanike ndaj Houthi – vjen reagimi i Arabisë Saudite

Rusia ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar sulmet amerikane dhe britanike mbi Houthit në Jemen.

Ndërsa Irani e dënoi sulmin, duke e quajtur atë një shkelje të sovranitetit të Jemenit, raportoi Nour News.

“Këto sulme janë një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit, dhe një shkelje e ligjeve ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nassar Kannani.

“Këto sulme do të kontribuojnë vetëm në pasiguri dhe paqëndrueshmëri në rajon”, ka vlerësuar më tej ai.

Grupi militant Hezbollah në Liban gjithashtu e dënoi veprimin.

Grupi, i cili është ndër disa në rajon në linjë me Iranin, tha: “Agresioni amerikan konfirmon edhe një herë se SHBA është një partner i plotë në tragjeditë dhe masakrat e kryera nga armiku sionist në Gaza dhe në rajon”.

Arabia Saudite bëri thirrje për përmbajtje dhe për “shmangie të përshkallëzimit”, me ministrinë e jashtme që tha se po monitoronte nga afër situatën me “shqetësim të madh”.

Ajo kishte qenë e angazhuar në bisedimet e paqes me Houthi-t në muajt e fundit. 

Sulme ajrore ndaj Houth/ Kryeministri britanik thërret mbledhje urgjente të kabinetit

Kryeministri britanik, Rishi Sunak zhvilloi një mbledhje urgjente me kabinetin qeveritar, ku raportohet se informoi ministrat mbi sulmet e mundshme ajrore britanike dhe amerikane kundër rebelëve Houthi në Jemen.

Sunak informoi ndër të tjera liderin e opozitës zyrtare, Keir Starmer, për veprime të mundshme ushtarake, siç theksojnë mediat britanike.

Më herët ministri britanik pati një bisedë telefonike me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi. Sipas deklaratave, të dy udhëheqësit shprehën shqetësimin e tyre të thellë për sulmet e Houthi-ve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, ndërsa diskutuan ndikimin që këto sulme do të kenë në transportin global, përfshirë Kanalin e Suezit.

Kryeministri britanik tha se vendi i tij do të vazhdojë të ndërmarrë veprime për të mbrojtur lirinë e lundrimit dhe për të mbrojtur njerëzit në det.

Rusia kërkon mbledhje urgjente të OKB-së, shkak sulmet në Detin e Kuq

Rusia ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të premten në lidhje me sulmet SHBA-MB në Jemen, kështu ka njoftuar Misioni i Përhershëm Rus në OKB.

Misioni i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass se takimi ishte planifikuar për në 10:00 në Nju Jork.

Të mërkurën, një rezolutë e Këshillit të Sigurimit kërkoi që Houthi-t e Jemenit t’i japin fund menjëherë sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Rusia dhe Kina – anëtarë të përhershëm të Këshillit – abstenuan në votimin për atë rezolutë, së bashku me Algjerinë dhe Mozambikun, ndërsa 11 vende votuan për të.

Kujtojmë se Forcat amerikane dhe aleatët e saj goditën më shumë se 60 objektiva në 16 lokacione të përdorura nga rebelët Houthi në Jemeni.

Më shumë se 100 municione të drejtuara me saktësi u përdorën në sulme.

Irani dhe grupi terrorist Hezbollah dënojnë sulmet ajrore të ShBA-së dhe Britanisë në Jemen

Ministria e Jashtme e Iranit dhe grupi terrorist libanez, Hezbollah, kanë dënuar sulmet ajorre të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj grupit të rebelëve Houthi.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani, tha se sulmet në Jemen janë një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit territorial të tyre dhe gjithashtu paraqesin shkelje të ligjeve ndërkombëtare.

“Sulmet nuk do të kenë asnjë rezultat tjetër përveç nxitjes së pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë në rajon”, tha Kanani, shkruan BBC.

Sulmet e ShBA-së dhe Britanisë i ka dënuar edhe grupi terrorist libanez, Hezbollah, i mbështetur nga Irani.

“Agresioni amerikan konfirmon edhe një herë se ShBA-të janë partnere të plota në tragjeditë dhe masakrat e kryera nga armiku sionist në Gaza dhe në rajon”, tha grupi i mbështetur nga Irani.

SHBA, Britania ndërmarrin goditje masive kundër rebelëve Houthi në Jemen

Ushtria amerikane dhe ajo britanike, me mbështetjen Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, ndërmorën të enjten sulme ndaj objektivave të përdorura nga grupi i rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen, tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

“Këto sulme janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedente nga (grupi) Houthi kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”, tha presidenti Biden përmes një deklarate për shtyp.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak gjithashtu njoftoi për sulmet ndaj grupit Houthi.

Ai tha se sulmet e groupit Houthi kanë rrezikuar personelin amerikan, marinarët civilë dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara, kanë rrezikuar tregtinë dhe kanë kërcënuar lirinë e lundrimit.

“Më shumë se 50 vende janë prekur nga 27 sulme ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare. Ekuipazhet nga më shumë se 20 vende janë kërcënuar ose janë marrë peng në akte piraterie”, shprehet presidenti Biden.

Ai shtoi se “nuk do të hezitojë të urdhërojë masa të mëtejshme” për të mbrojtur njerëzit dhe tregëtinë e lirë.

Sulmet u kryen me raketa Tomahawk të lëshuara nga anijet dhe avionë luftarakë, thanë zyrtarë amerikanë për agjencinë Associated Press. Objektivat ushtarake përfshinin qendra logjistike, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe depo armësh, thanë zyrtarët.

​Sulmet ishin përgjigjia e parë ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj fushatës së vazhdueshme të sulmeve me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Sulmi i koordinuar ushtarak vjen një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe një numër vendesh partnere paralajmëruan rebelët Houthi se do të përballeshin me kundërpërgjigje ushtarake nëse nuk ndalonin sulmet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat