SHBA ngre akuza ndaj oligarkëve rusë të sanksionuar, ja shkeljet që dyshohet se kanë kryer

Bota

SHBA ngre akuza ndaj oligarkëve rusë të sanksionuar, ja shkeljet që dyshohet se kanë kryer

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 21:12
Foto nga vendi i ngjarjes

Departamenti amerikan i Drejtësisë më 22 shkurt bëri të ditur për ndërmarrjen e veprimeve ligjore në pesë raste të ndara federale kundër oligarkëve të sanksionuar rusë dhe rrjeteve që mbështesin Rusinë.

Veprimet, që përkojnë me dyvjetorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, përfshijnë ngritjen e akuzave kundër kreut të bankës shtetërore ruse VTB, Andrei Kostin, dhe dy bashkëpunëtorëve të tij me seli në SHBA, tha Departamenti.

Akuzat u ngritën në Nju Jork kundër Kostin dhe bashkëpunëtorëve të tij, Vadim Wolfson dhe Gannon Bond, të cilët u arrestuan.

Kostin, që është nën sanksione të SHBA-së, për një kohë të gjatë është president i Bankës VTB, që është banka e dytë më e madhe në Rusi. Ai po akuzohet se është përfshirë në një skemë për shmangie të sanksioneve dhe pastrim të parave për të mbështetur dy superjahte. Kostin dhe dy bashkëpunëtorët e tij po ashtu akuzohen se kanë tentuar të shmangin sanksionet e lidhura me një shtëpi luksoze në shtetin amerikan të Kolorados.

Michael Khoo nga Departamenti i Drejtësisë, i tha gazetarëve se ky njoftim nënkupton dërgimin e mesazhit të presidenti rus, Vladimir Putin, se “ne nuk do të largohemi” dhe ne “po ashtu mund të luajmë lojën e gjatë” për aq kohë sa lufta të vazhdojë.

Veprimet e tjera të ndërmarra më 22 shkurt po ashtu përfshijnë ngritjen e një aktakuze në Floridë ndaj një oligarku ukrainas pro-rus, Serhiy Kurchenko, për shkak të dyshimeve se ai është i lidhur me një skemë të shkeljeve dhe shmangieve të sanksioneve amerikane.

Po ashtu në Floridë, agjentët federalë kanë ngritur një kërkesë civile për konfiskimin e dy ndërtesave luksoze që i përkasin biznesmenit të sanksionuar rus, Viktor Perevalov, i cili është bashkëpronar në një kompani ndërtimore në Rusi.

Departamenti amerikan i Drejtësisë po ashtu njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj Vladislav Osipov, i cili akuzohet për mashtrime bankare në lidhje me operimin e një jahti të oligarkut të sanksionuar rus, Viktor Vekselberg. Osipov, me shtetësi ruse, jeton në Zvicër.

Në aktakuzë thuhet se bëhet fjalë për superjahtin Tango, që i takonte oligarkut të sanksionuar i cili kishte lidhje të ngushta me Kremlinin. Jahti u konfiskua me kërkesë të Qeverisë amerikane pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Departamenti i Drejtësisë tha po ashtu se Feliks Medvedev është deklaruar fajtor më herët gjatë këtij muaji për ndihmën që kishte dhënë për pastrimin e mbi 150 milionë dollarëve përmes llogarive bankare që ai kontrollonte. Mevedev, shtetas rus, jeton në shtetin amerikan të Xhorxhias.

Përmes një deklarate, prokurori i Përgjithshëm, Merrick B. Garland, tha se Departamenti i Drejtësisë “është më i përkushtuar se kurrë për të ndalur rrjedhjen e fondeve ilegale që po financojnë luftën e Putinit dhe për të mbajtur përgjegjës të gjithë ata që vazhdojnë të ndihmojnë Putinin”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat