Mbi 100 të vrarë në Gazë, Biden thotë se ende nuk ka marrëveshje për armëpushim

Bota

Mbi 100 të vrarë në Gazë, Biden thotë se ende nuk ka marrëveshje për armëpushim

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 21:54
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se si pasojë e sulmeve izraelite sot u vranë mbi 100 persona dhe u plagosën mbi 270 të tjerë. Sulmi ndodhi në qytetin e Gazës, ku palestinezët ishin mbledhur për të marrë ndihma humanitare.

Zyrtarët ushtarakë izraelitë thanë se një autokolonë prej 30 kamionësh, që po lëvizte në drejtim të pjesës veriore të Gazës, u përball me turma të mëdha njerëzish që donin të rrëmbenin ndihmat që po transportonin.

Dhjetëra palestinezë u vranë në rrëmujën e shkaktuar dhe disa u shkelën nga kamionët ndërkohë që drejtuesit e tyre përpiqeshin të largoheshin nga skena, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Forcat izraelite, të pranishme në këtë zonë, hapën zjarr paralajmërues në ajër, sepse ndiheshin të rrezikuar, tha ai.

“Nuk hapëm zjarr ndaj atyre që po kërkonin ndihma. Ndryshe nga akuzat, nuk hapën zjarr ndaj autokolonës me ndihma humanitare, as nga ajri e as nga toka. Ne e siguruam autokolonën në mënyrë që të mbërrinte në pjesën veriore të Gazës,” tha ai.

Dhuna e sotme u dënua nga shtetet arabe, ndërkohë që Presidenti Biden shprehu shqetësim se zhvillimet e së enjten do t’i vështirësonin edhe më shumë negociatat për armëpushim.

Ndërkohë dëshmitarët pohojnë se trupat izraelite hapën zjarr ndaj një turme të madhe që kishte shkuar pranë një autokolone ndihmash për të marrë ushqime. Njëri nga të plagosurit me armë zjarri, Kamel Abu Nahel, i cili po trajtohej në spitalin Shifa, tha se ai dhe të tjerët shkuan në pikën e shpërndarjes së ndihmave në mes të natës për shkak se kishin dëgjuar se do të shpërndaheshin ushqime.

“Ka dy muaj që po hamë ushqimin e kafshëve,” tha ai.

Ai tha se trupat izraelite hapën zjarr ndaj turmës ndërkohë që njerëzit po merrnin nga kamionët thasë me miell dhe konserva ushqimore, duke i detyruar ata të shpërndaheshin, disa duke u fshehur nën makina. Pasi të shtënat u ndërprenë, njerëzit u kthyen tek kamionët dhe ushtarët hapën zjarr përsëri. Ai u plagos në këmbë dhe u rrëzua. Pastaj një kamion e shkeli në këmbë derisa po ikte me shpejtësi, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë tha më herët se numri i palestinezëve të vrarë si pasojë e sulmeve izraelite ka arritur në mbi 30 mijë dhe mbi 70 mijë janë plagosur.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të enjten se një marrëveshje për ndërprerjen e përkohshme të luftimeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë dhe lirimin e disa pengjeve të mbajtura nga grupi militant “me sa duket” nuk do të arrihet deri të hënën. Ai i bëri këto komente disa ditë pasi kishte deklaruar se shpresonte se një marrëveshje do të arrihej gjatë fundjavës.

“Shpresa vdes e fundit”, u tha zoti Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë përpara se të nisej për në Teksas për të vizituar kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. “Bisedova me njerëzit nga rajoni. Me sa duket jo deri të hënën, por shpresoj”.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden ka zhvilluar biseda telefonike me Presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi dhe Emirin e Katarit, Sheikun Tammim Bin Hamad al-Thani. Biseda u përqëndrua në luftën në Gazë dhe negociatat për armëpushim, si dhe planet për të dërguar më shumë ndihma humanitare në territorin e rrethuar.

Presidenti Biden tha se dy udhëheqësit nënvizuan gjatë bisedës se si “lirimi i pengjeve do të rezultonte në një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gazë së paku për një periudhë gjashtë-javore”, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Biden gjithashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të përcaktuar se çfarë ndodhi në Gazë të enjten, ku sipas dëshmitarëve, ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një turme të madhe palestinezësh që po vraponin për të siguruar ushqim nga një autokolonë ndihmash.

Presidenti Biden tha se jetët e humbura do të komplikojnë bisedimet që po zhvillohen për të siguruar lirimin e pengjeve dhe ndërprerjen e përkohshme të luftimeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

“Po e shqyrtojmë në këtë moment”, u tha zoti Biden gazetarëve. “Ekzistojnë dy versione të ndryshme për atë që ka ndodhur. Nuk kam ende përgjigje”.

Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut Volket Turk tha në Gjenevë se të gjitha palët në konfliktin Izrael-Hamas kanë kryer krime lufte.

“Është koha për paqe, hetim dhe llogaridhënie”, tha ai.

Zoti Turk shprehu shqetësim edhe mbi planet izraelite për ofensivë në Rafah, një zonë në jug të Gazës, ku besohet se jetojnë rreth 1.5 milionë palestinezë, që janë zhvendosur nga zonat e tjera të konfliktit.

Zyrtarë izraelitë kanë përmendur planet për evakuim të civilëve në Rafah, por nuk kanë dhënë detaje se ku do të mund të zhvendosen palestinezët. Egjipti, në kufi me Rafahun, ka deklaruar se nuk do t’i hapë kufijtë.

Izraeli nisi operacionin për eleminimin e Hamasit, pas sulmit të 7 tetorit nga grupi militant, që sipas autoriteteve izraelite shkaktoi vdekjen e 1200 personave.

SHBA, Britania dhe BE e kanë shpallur Hamasin organizatë terroriste.

Kombet e Bashkuara thanë të mërkurën se ata që po përpiqen të shpërndajnë apo të marrin ndihmë humanitare në Rripin e Gazës po përballen me sfida që vënë në rrezik jetën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat