Bideni i pret në Uashington liderët polakë

Bota

Bideni i pret në Uashington liderët polakë

Më: 12 mars 2024 Në ora: 10:16
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda (majtas) duke e përshëndetur presidentin amerikan, Joe Biden, në Varshavë, shkurt 2023.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të presë në takim liderët polakë, presidentin Andrzej Duda dhe kryeministrin Donald Tusk në Shtëpinë e Bardhë të martën.

Ai pritet ta sigurojë aleatin e rëndësishëm të NATO-s, Varshavën, se e gëzon mbështetjen e Uashingtonit, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Para vizitës në SHBA, Duda u bëri thirrje aleatëve të NATO-s për t’i rritur shpenzimet si përgjigje ndaj druajtjeve të mëdha për agresionin e Moskës.

Presidenti Duda pritet t’i kërkojë Bidenit të dërgojë më shumë trupa amerikane në krahun lindor të aleancës ushtarake me Rusinë.

Takimi i pazakontë i Bidenit me djathtistin Duda dhe proevropianin Tusk, tregon për shqetësimet e Shteteve të Bashkuara se tensionet e mëdha mes liderëve polakë mund ta dëmtojnë aleancën perëndimore.

Gjatë një fjalimi para kombit javën e kaluar, Bideni tha se “nëse dikush në këtë dhomë mendon se Vladimir Putini do të ndalet në Ukrainë, unë ju siguroj se ai nuk do të ndalet”.

Frika për fatin e Ukrainës është duke u rritur nëpër Evropë, pasi ajo po përballet me mungesë armatimi dhe municioni, derisa Rusia po përparon në fushëbetejë në Ukrainë, në vitin e tretë të pushtimit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat