LIVE: NATO në mbështetje të Ukrainës, Putini “hakmerret” ndaj SHBA-së - merr vendimin drastik për këta dy zyrtarë amerikanë!

Bota

LIVE: NATO në mbështetje të Ukrainës, Putini “hakmerret” ndaj SHBA-së - merr vendimin drastik për këta dy zyrtarë amerikanë!

Nga: Bota sot Më: 14 mars 2024 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 16:17 më 14.03.2024
Vladimir Putin

Rusia ua ndalon hyrjen Cholletit dhe Millerit

Rusia ua ka ndaluar hyrjen mbi 200 qytetarëve amerikanë, përfshirë edhe këshilltarit të lartë politik të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe zëdhënësit të këtij institucioni, Matthew Miller. Këto veprime të Moskës janë në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura nga Uashingtoni ndaj rusëve për mbështetjen e tyre për pushtimin rus të Ukrainës.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha përmes një deklarate se 227 amerikanëve u është ndaluar hyrja në Rusi “sepse ata janë të përfshirë në hartimin, zbatimin dhe justifikimin e kursit rusofobik të administratës aktuale të Shteteve të Bashkuara si dhe janë të përfshirë drejtpërdrejtë në veprimet kundër Rusisë”.

Lista, që tashmë numëron 2.078 persona, shënjestron përfaqësuesit e Qeverisë amerikane, afaristët, gazetarët dhe akademikët.

Përveç Millerit, në listë janë përfshirë edhe ish-ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, ish-sekretari i Thesarit, Lawrence Summers, zëvendëspërfaqësuesja për tregti, Sarah Bianchi dhe drejtori për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Alexander Vidman. Vidman, i lindur në Kiev, më herët kishte dëshmuar para Kongresit amerikan lidhur me abuzimin e pushtetit në gjykimin e parë të presidentit të atëhershëm, Donald Trump.

“Përveç se janë shpallur të padëshirueshëm në Federatën Ruse një numër i organizatave humanitare amerikane, që përdoren nga Ambasada amerikane në Moskë për të rekrutuar “agjentë me ndikim”, zgjerimi aktual i ‘listës së ndalimit’ synon, veç tjerash, të konsolidojë ndërgjegjësimin e Uashingtonit për të vërtetën dhe për t’i treguar se çdo përpjekje agresive nuk do të kalojë pa u ndëshkuar”, u tha në deklaratë.

Ndaras, kjo ministri po ashtu akuzoi Austrinë “për hapin e radhës jomiqësor”, pasi Vjena dëboi dy diplomatë nga Ambasada ruse në Austri.

Një ditë më herët, Austria urdhëroi dy diplomatët rusë të largoheshin nga shteti, pasi tha se ata kishte vepruar në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik, duke i shpallur “persona të padëshiruar”.

Austria nuk dha detaje për aktivitetin e diplomatëve rusë, ndërkaq Ministria e Jashtme ruse tha se ky vendim ishte i pabazë, duke paralajmëruar Vjenën për pasoja./REL

Kremlini: Putini nuk kërcënoi për përdorimin e armëve bërthamore

Kremlini tha sot se komentet që bëri Presidenti Vladimir Putin për armët bërthamore gjatë një interviste për median shtetërore nuk ishin kërcënim për përdorim të tyre dhe akuzoi Shtetetet e Bashkuara se i nxorri qëllimisht komentet jashtë kontekstit.

Presidenti Putin tha në një intervistë të publikuar të mërkurën se Rusia ishte teknikisht gati për luftë bërthamore dhe se nëse Shtetet e Bashkuara do të dërgonin forca në Ukrainë, veprimi do të konsiderohej një përshkallëzim i konsiderueshëm i konfliktit.

Duke komentuar deklaratat e zotit Putin, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve se për Uashingtonin udhëheqësi rus po rikthen doktrinën e Moskës për armët bërthamore dhe akuzoi Rusinë se po përdor retorikë të papërgjegjshme bërthamore ndërsa ndodh konflikti në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të enjten se zoti Putin thjesht po i përgjigjej pyetjeve të gazetarit, duke theksuar rrethanat që tashmë dihen, në të cilat teorikisht Rusia do të detyrohej të përdorte armët bërthamore.

Zoti Peskov vuri në dukje faktin se zoti Putin, tha gjatë së njëjtës intervistë se nuk i ka shkuar në mend ideja e përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë.

I pyetur mbi deklaratat e Shtëpisë së Bardhë, zëdhënësi Peskov tha se “komentet ishin nxjerrë qëllimisht nga konteksti. Zoti Putin nuk bëri kërcënime për përdorim të armëve bërthamore në Ukrainë”, tha ai.

Deklaratat e zotit Putin në intervistën e publikuar dje, vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale në Rusi që mbahen nga 15 deri më 17 mars, në të cilat ai pritet të fitojë./VOA

Stoltenberg: NATO duhet të shtojë ndihmat ushtarake për Ukrainën

Ukrainës po i mbarojnë municionet për luftën ndaj Rusisë dhe vendet anëtare të NATO-s nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndihmuar Kievin, tha sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Në komentet e pazakonta të drejtpërdrejta mbi gjendjen e luftës, zoti Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s kanë kapacitete për të dhënë më shumë ndihmë për Ukrainën, por shtoi se është e nevojshme të dëshmojnë se kanë vullnet politik për ta bërë një gjë të tillë.

“Mbështetja e pashembullt nga aleatët e NATO-s e ndihmoi Ukrainën të ruante pavarësinë e saj. Por Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje dhe tani”, u tha gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel, Sekretari Stolteneberg.

“Ukrainasve nuk po u humbet kurajoja, por po u mbarojnë municionet”, tha ai.

Më shumë se dy vjet pasi Rusia ndërmorri sulmin në shkallë të gjerë, ushtria e Ukrainës po përballet me reduktim të konsiderushëm të furnizimit me armë nga Perëndimi. 

“Aleatët e NATO-s nuk po e ndihmojnë Ukrainën me aq municione sa ka nevojë dhe kjo ka pasoja në fushtë betejë. Është një prej arsyeve se pse Rusia ka arritur të bëjë disa përparime në fushën e betejës përgjatë javëve dhe muajve të fundit”, tha shefi i NATO-s.

“Është urgjente që aleatët të marrin vendimet e nevojshme për të dërguar më shumë municione në Ukrainë. Ky është mesazhi që u dërgoj të gjitha kryeqyteteve. Ne kemi kapacitetet, ekonominë dhe jemi të aftë t’i japim Ukrainës ndihmën që i nevojitet. Është çështje e vullnetit politik. Për të marrë vendime dhe për ta kthyer në përparësi ndihmën për Ukrainën”, theksoi ai.

Ai shtoi se çdo përpjekje për të oraganizuar votime për zgjedhjet presidenciale ruse në rajonet ukrainase që kontrollohen nga Moska, do të ishte e paligjshme./VOA

Ukraina fillon rotacionin e trupave që kanë shërbyer për një kohë të gjatë

Ukraina ka filluar të bëjë rotacion me trupat që kanë shërbyer në vijën e frontit “për një kohë të gjatë”.

Kështu tha komandanti i lartë ushtarak ukrainas, Oleksandr Syrskyi dhe ka dhënë disa detaje rreth luftës me Rusinë.

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura deklaroi se kjo do të “stabilizonte situatën” dhe do të kishte një efekt pozitiv në gjendjen morale dhe psikologjike të trupave, raporton skynews.

Duke raportuar për situatën mbrojtëse në Zaporizhzhia, Syrskyi tha se sulmet ruse po vazhdonin “pa shumë sukses” dhe trupat ukrainase po arrinin të mbanin pozicionet e tyre.

Pavarësisht “situatës së vështirë” në fushën e betejës, ai pohoi se “kemi arritur të fillojmë procesin e rotacionit dhe zëvendësimit të njësive që kanë kryer detyra luftarake në front për një kohë të gjatë”.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.

Rusia i sulmon rajonet verilindore të Ukrainës me dronë dhe raketë

Forcat ruse i sulmuan mëngjesin e së enjtes rajonet verilindore të Ukrainës me dronë dhe me një raketë, duke shtaruar dëme në infrastrukturën civile, thanë zyrtarët rajonalë.

Nuk u raportua për viktima nga këto sulme në rajonet Sumi dhe Harkiv.

Sulmet u kryen në qytetet Shostka, Trostianets dhe Bilopil në Sumi, tha administrata ushtarake rajonale mëngjesin e sotëm, duke shtuar se është duke u bërë vlerësimi i dëmeve.

Në Harkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, forcat ruse përdorën dronë dhe një raketë S-300, duke shkaktuar dëme në disa ndërtesa banimi, por jo viktima, thanë kryetari Ihor Terekhov dhe guvernatori rajonal Oleh Synyehubov.

Rusia i ka shtuar sulmet ajrore dhe tokësore në Ukrainë këtë vit, pasi Kievi po përballet me mungesë të armëve dhe municionit.

Ukraina u ka kërkuar më shumë mbështetje Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të NATO-s.

Një paketë prej 60 miliardë dollarësh ndihmë financiare, e cila do ta hapte rrugën për furnizim me armë në Ukrainë, është bllokuar tash e pesë muaj nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha në fillim të kësaj jave se do të dërgojë në Ukrainë ndihmë ushtarake në vlerë të 300 milionë dollarëve, paketën e parë të ndihmës që disa muaj.

Ato do të përdorën për të blerë municion dhe raketa, tha administrata Biden./REL

SHBA-ja nuk sheh shenja se Rusia planifikon të përdorë armë bërthamore

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën vonë se nuk sheh ndonjë tregues se Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, pas deklaratave të presidentit rus, Vladimir Putin, se ai është i gatshëm ta bëjë këtë, nëse kërcënohet sovraniteti i Rusisë.

“Ne nuk kemi parë ndonjë arsye për ta përshtatur qëndrimin tonë bërthamor, e as nuk kemi parë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore në Ukrainë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Lideri rus ka folur vazhdimisht për gatishmërinë për të përdorur armë bërthamore, prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Jean-Pierre shtoi se “retorika bërthamore e Rusisë” ka qenë “e pamatur” gjatë gjithë kohës prej se ajo e nisi pushtimin e Ukrainës.

Duke folur në një intervistë për televizionin shtetëror, e cila u publikua më 13 mars, Putini e përshkroi presidentin amerikan, Joe Biden, si një politikan veteran i cili i kupton rreziqet e mundshme të përshkallëzimit, dhe tha se nuk mendon se bota po shkon drejt një lufte bërthamore.

Në të njëjtën kohë, ai tha se forcat bërthamore të Rusisë janë në gatishmëri të plotë dhe se “nga pikëpamja tekniko-ushtarake, ne jemi të gatshëm”.

Putini tha se Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore, në rast se kërcënohet “ekzistenca e shtetit rus, sovraniteti dhe pavarësia jonë”.

Një kërcënimi të tillë ai e bëri edhe gjatë një fjalimi para kombit në shkurt, kur e paralajmëroi Perëndimin se thellimi i përfshirjes së tij në luftën në Ukrainë rrezikon nxitjen e një lufte bërthamore./REL

Bloomberg: Sulmet e fundit me dron të Ukrainës goditën objektet që përfaqësojnë 12% të kapacitetit të përpunimit të naftës të Rusisë

Nga: A.Sh

Sulmet me dron ukrainas shënjestruan tre rafineri të naftës thellë brenda territorit rus, në atë që Presidenti Vladimir Putin e përshkroi si një përpjekje për të prishur zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Më 13 mars, një sulm me dron shkaktoi një zjarr në fabrikën Ryazan të Rosneft PJSC pranë Moskës, një nga objektet më të mëdha të përpunimit të naftës së papërpunuar në vend. Për më tepër, një sulm me dron ndaloi operacionet në rafinerinë më të vogël të Novoshakhtinsk në rajonin jugor të Rostovit.

Këto incidente, së bashku me një sulm të ngjashëm në uzinën Norsi të Lukoil PJSC më 12 mars, kanë shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme, raporton Bloomberg. Tre objektet e goditura nga dronët ukrainas në ditët e fundit përbëjnë rreth 12% të kapacitetit të përpunimit të naftës të Rusisë.

Ukraina ka përdorur dronët më shpesh për të shënjestruar objektet e rëndësishme të naftës ruse nga Deti i Zi në Detin Baltik.

Rusia pretendoi se rrëzoi 65 dronë ukrainas mbi territorin e saj gjatë natës dhe në mëngjes më 13 mars. Ministria e Mbrojtjes e vendit tha se forcat e saj dyshohet se kapën një dron mbi rajonin e Leningradit, një mbi rajonin Ryazan, tetë mbi rajonin Bryansk, tetë mbi rajonin e Kurskut, 12 mbi Belgorod Oblast, dhe 35 mbi Voronezh Oblast.

Sulmet e Ukrainës në rajonet ruse “kanë për qëllim, nëse jo zhgënjimin e zgjedhjeve në Rusi, atëherë ndërhyjnë në to”, tha Putin në një intervistë me shërbimin shtetëror të lajmeve RIA Novosti. “Një synim tjetër është të marrim një lloj atuti në një proces të mundshëm negocimi”.

Qytetarët rusë do të votojnë në zgjedhjet presidenciale të planifikuara nga 15 deri më 17 mars. Vladimir Putin kandidon për herë të pestë për president, duke kërkuar të zgjasë sundimin e tij edhe për gjashtë vjet të tjera - të paktën deri në vitin 2030.

NATO dhe Kina diskutojnë luftën në Ukrainë në bisedimet e stafit ushtarak

Nga: A.Sh

NATO dhe Kina mbajtën bisedimet e tyre të teta vjetore të stafit ushtarak më 13 mars në Pekin, ku të dy delegacionet diskutuan çështje të sigurisë globale dhe rajonale, duke përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Bisedimet ndodhën ndërsa Kina fillon stërvitjet e përbashkëta detare me Rusinë dhe Iranin në Gjirin e Omanit dhe NATO kryen stërvitjet e saj më të mëdha ushtarake në dekada.

Delegacioni i NATO-s kryesohej nga gjeneralmajor Dacian-Tiberiu Serban, drejtor i divizionit të sigurisë bashkëpunuese. Drejtues i delegacionit të Kinës ishte gjeneralmajor Yao Qin, zëvendësdrejtor i zyrës për bashkëpunim ushtarak ndërkombëtar.

Sipas një konference për shtyp të NATO-s, delegatët diskutuan "peizazhet e sigurisë globale dhe rajonale, me theks në pushtimin e paligjshëm të Ukrainës nga Rusia".

Pekini ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën gjatë luftës së saj të plotë kundër Ukrainës, duke rritur bashkëpunimin ekonomik dhe duke ndërprerë përpjekjet perëndimore për të izoluar Rusinë. Kina ka peshuar gjithashtu mbi negociatat e mundshme të paqes, duke thënë se bisedimet duhet të përfshijnë Moskën.

Nuk u dhanë detaje për përmbajtjen e bisedimeve të stafit.

"Të dyja palët ranë dakord mbi vlerën e angazhimit të vazhdueshëm," thuhet në njoftimin për shtyp të NATO-s.

Sulmet ruse në rajonin e Sumy-it vrasin 1, plagosin 2

Nga: A.Sh

Forcat ruse sulmuan 10 komunitete kufitare në rajonin Sumy më 13 mars, duke vrarë një person dhe duke plagosur dy të tjerë, njoftoi administrata ushtarake rajonale.

Granatimet nga një helikopter vranë një banor të Velyka Pysarivka dhe plagosën dy të tjerë. Fshati u godit edhe nga sulmet ajrore, të cilat shkaktuan mbi 30 shpërthime.

Sulmet goditën komunitetet e Velyka Pysarivka, Bilopillia, Krasnopillia, Nova Sloboda, Esman, Shalyhyne, Seredyna-Buda, Znob-Novhorodske, Yunakivka dhe Vorozhba.

Ushtria ruse qëlloi 66 herë në kufirin e rajonit Sumy gjatë gjithë ditës, duke sulmuar rajonin me dronë, raketa, artileri dhe armë të tjera. Sulmet shkaktuan 332 shpërthime në zonë.

Komunitetet kufitare të Sumy Oblast pësojnë sulme pothuajse çdo ditë nga trupat ruse aty pranë. Një sulm në Velyka Pysarivka më 12 mars plagosi pesë fëmijë.

Një sulm me raketa ruse në qytetin Sumy, kryeqyteti rajonal, vrau dy persona dhe plagosi të paktën tetë. Forcat ruse filluan sulmin gjatë natës më 12-13 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat