OBSH: Virusi i hepatitit vret 3500 njerëz në ditë

Bota

OBSH: Virusi i hepatitit vret 3500 njerëz në ditë

Më: 11 prill 2024 Në ora: 07:30
Foto ilustrim

Më shumë se 3500 njerëz vdesin çdo ditë nga virusi i hepatitit, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje për veprime vendimtare dhe të shpejta në luftën kundër vrasësit të dytë më të madh në mesin e sëmundjeve infektive.

Të dhënat e reja nga 187 vende treguan se numri i vdekjeve nga hepatiti viral u rrit në 1.3 milion në vitin 2022, 200 mijë më shumë se tre vjet më parë, sipas një raporti të OBSH-së të publikuar së bashku me Samitin Botëror të Hepatitit këtë javë në Portugali.

Këto janë “tendenca alarmante”, tha në një konferencë shtypi, Meg Doherty, kreu i programeve globale të OBSH-së për HIV, hepatitin dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme.

Ndër ata që vdiqën nga hepatiti, 83 për qind iu nënshtruan hepatitit B dhe 17 për qind nga hepatiti C.

Ka barna gjenerike efektive dhe të lira që mund t’i trajtojnë ato.

Megjithatë, vetëm tre përqind e atyre me hepatit kronik B morën terapi antivirale deri në fund të vitit 2022, thuhet në raport.

Vetëm 20 për qind ose 12.5 milionë njerëz u trajtuan për hepatitin C.

“Këto rezultate janë shumë larg objektivave globale të vitit 2030 për trajtimin e 80 për qind të të gjithë pacientëve që jetojnë me hepatit kronik B dhe C”, tha Doherty.

Afrika përbën 63 për qind të infeksioneve të reja të hepatitit B, megjithatë më pak se 20 për qind e foshnjave të porsalindura vaksinohen atje, thotë raporti.

OBSH gjithashtu thekson se vendet e prekura nuk kanë qasje të mjaftueshme në barna gjenerike për trajtim dhe shpesh paguajnë për to më shumë sesa duhet.

Sipas raportit, dy të tretat e të gjitha rasteve të hepatitit janë regjistruar në Bangladesh, Kinë, Etiopi, Indi, Indonezi, Nigeri, Pakistan, Filipine, Rusi dhe Vietnam.

Hepatiti viral është vrasësi i dytë më i madh në mesin e sëmundjeve infektive, afër tuberkulozit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat