SHBA, Britania dhe Australia vendosin sanksione ndaj hakerit rus Dmitry Khoroshev

Bota

SHBA, Britania dhe Australia vendosin sanksione ndaj hakerit rus Dmitry Khoroshev

Më: 7 maj 2024 Në ora: 23:13
Foto ilustrim

Australia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj udhëheqësit rus të bandës së krimit kibernetik “LockBit”, thanë të martën autoritetet britanike dhe amerikane.

Dmitry Khoroshev u identifikua si një nga drejtuesit e “LockBit”, një grup kriminal kibernetik që ka vjedhur më shumë se 1 miliard dollarë nga viktimat në katër vitet e fundit. Britania tha se hakeri rus Khoroshev do të përballet me ngrirjen e pasurive dhe ndalim udhëtimi.

"Këto sanksione janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe tregojnë se nuk ka vend për t'u fshehur për kriminelët kibernetikë si Dmitry Khoroshev, të cilët bëjnë krime të rënda në të gjithë globin", tha përmes një deklarate Graeme Biggar, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani.

“LockBit” fiton para përmes ndërhyrjeve të paligjshme në sistemet kompjuterike, duke vjedhur të dhëna personale dhe duke kërcënuar viktimat me publikimin e tyre nëse nuk paguajnë një shpërblim. Më shumë se 2500 viktima në mbarë botën kanë qenë në shënjestër të këtyre sulmeve kibernetike, duke përfshirë kompani të mëdha.

Khoroshev mori të paktën 100 milionë dollarë në pagesa me kriptomonedhën Bitcoin nga aktiviteti tij me grupin “LockBit”, sipas një padie me 26 akuza të ngritur nga Shtetet e Bashkuara të martën.

Infrastruktura e grupit “LockBit” u shkatërrua nga forcat e zbatimit të ligjit në shkurt në një fushatë nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani, Departamenti amerikan i Drejtësisë, FBI-ja dhe Europoli. Faqja e këtij grupi u konfiskua nga policia dhe u përdor për të nxjerrë informacione të brendshme rreth grupit dhe operatorëve të tij.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se do të ofrojë një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që mund të çojnë në arrestimin e hakerit rus Khoroshev. Shpërblim i ngjashëm është ofruar edhe për idendifikimin ose vendndodhjen e drejtuesve të tjerë të grupit “LockBit”.

“Rusia vazhdon të ofrojë strehim për kriminelët kibernetikë, ku grupet si “LockBit” janë të lira të kryejnë sulme kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve të saj”, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Thesarit.

Disa informacione në këtë artikull janë marr nga agjencia e lajmeve Reuters./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat