OKB paralajmëron për “mizori” tjera në Mianmar

Bota

OKB paralajmëron për “mizori” tjera në Mianmar

Më: 19 maj 2024 Në ora: 18:03
Volker Turk, shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut ka thënë se është “thellësisht e alarmuar” nga rikthimi i dhunës në rajonin Rakhine të Mianmarit [shtet i njohur edhe si Burma], dhe ka paralajmëruar për “mizori” tjera.

Përleshjet janë përhapur në Rakhine prej kur ushtria Arakan i ka sulmuar forcat e sigurisë në nëntor, duke i dhënë fund një armëpushimi të zbatuar qysh prej puçit ushtarak të vitit 2021.

Jam thellësisht i alarmuar nga raportimet për rikthim të dhunës dhe shkatërrim të pronës në rajonin Rakhine, në veri të Mianmarit, çka ka rezultuar me zhvendosje të dhjetëra mijëra civilëve, kryesisht Rohingya”, ka thënë shefi i agjencisë së OKB-së, Volker Turk, përmes një deklarate.

Turk ka thënë se Kombet e Bashkuara po synojnë të mbledhin informacion për “shkelje serioze”.

Me tensione të larta mes komuniteteve, banorëve etnikë të Rakhines dhe atyre Rohingya, e të cilat po nxiten vazhdimisht prej ushtrisë, kjo është një periudhë kritike, pasi rreziku për mizori tjera është akut”.

Ushtria Arakan është një prej shumë grupeve etnike të armatosura në rajonet kufitare të Mianmarit, të cilat kanë luftuar me ushtrinë prej pavarësisë nga Britania, më 1948, për shkak të autonomisë dhe kontrollit të burimeve natyrore.

Ushtria Arakan pretendon se po lufton për më shumë autonomi për popullatën etnike të rajonit Rakhine.

Luftimet janë përhapur në 15 prej 17 vendbanimeve prej muajit nëntor të vitit të kaluar, dhe prej atëherë janë vrarë qindra njerëz dhe rreth 300.000 janë plagosur.

Turk i ka bërë thirrje Bangladeshit fqinj që të rrisë mbrojtjen për “njerëzit e cenueshëm që kanë nevojë për siguri”.

Përleshjet mes ushtrisë Arakan dhe ushtrisë së shtetit më 2019, patën rezultuar me zhvendosje të rreth 200.000 njerëzve,

Në atë rajon, ushtria e shtetit pati nisur shtypjen e minoritetit Rohingya, dhe tani në gjykatën e Kombeve të Bashkuara po trajtohet një rast nën dyshimet për gjenocid për atë periudhë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat