Prokurori i GJNP-së kërkon fletarrestime për Netanyahun dhe liderët e Hamasit

Bota

Prokurori i GJNP-së kërkon fletarrestime për Netanyahun dhe liderët e Hamasit

Më: 20 maj 2024 Në ora: 16:17
Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka thënë se hënën se ka kërkuar lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe për liderët kryesorë të Hamasit – grupit radikal të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Karim Khan tha se beson se Netanyahu, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe tre liderë të Hamasit - Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh - janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.

Prokurori duhet të kërkojë lëshimin e fletarrestimeve nga një panel prej tre gjyqtarësh, të cilëve mund t’iu duhen deri në dy muaj kohë për t’i shqyrtuar provat dhe për të vendosur nëse mund të procedohet.

Zëdhënësi i GJNP-së, Fadi Al-Abdallah, i tha Radios Evropa e Lirë se gjykatësit do të “marrin vendimin e tyre brenda afateve”, por nuk specifikoi ndonjë datë.

Izraeli nuk është anëtar i kësaj gjykate dhe, edhe nëse lëshohen fletarrestimet, Netanyahu dhe Gallant nuk përballen me rrezik të menjëhershëm për ndjekje penale.

Por, njoftimi i Khanit e thellon izolimin e Izraelit, i cili po e vazhdon luftën në Gazë, ndërsa rreziku për t’u arrestuar mund ta bëjë shumë të vështirë për liderët izraelitë të udhëtojnë jashtë vendit.

Ndërkohë, Sinwar dhe Dief besohet se janë duke u fshehur në Gazë. Por, Haniyeh, lideri suprem i grupit radikal Hamas, është me bazë në Katar dhe shpesh udhëton nëpër rajon.

Benny Gantz, nga kabineti i luftës i Izraelit, e ka kritikuar ashpër njoftimin e Khanit, duke thënë se Izraeli lufton “me njërin prej kodeve më të rrepta” të moralit dhe ka një gjyqësor të fuqishëm që është në gjendje të kryejë hetime vetë.

“Shteti i Izraelit po kryen njërën prej luftërave më të drejta në historinë moderne... vendimi i prokurorit për të kërkuar fletarrestime është krim më vete i përmasave historike, që do të mbahet mend nga gjenerata të ndryshme”, tha ai.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve të Hamasit.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.

Duke folur për veprimet e Izraelit, Khan tha në një komunikatë se “ndikimet e përdorimit të urisë si mjet lufte, së bashku me sulmet e tjera dhe ndëshkimin kolektiv kundër popullsisë civile në Gazë, janë akute, të dukshme dhe shumë mirë të ditura... Ato përfshijnë kequshqyerjen, dehidrimin, vuajtjen e skajshme dhe numrin e madh të vdekjeve në mesin e popullsisë palestineze, përfshirë vdekjen e foshnjave, fëmijëve të tjerë dhe grave”.

Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e ndihmës e kanë akuzuar Izraelin vazhdimisht se po pengon e shpërndarjen e ndihmave gjatë luftës. Izraeli e mohon këtë, duke thënë se nuk ka kufizime ndaj futjes së ndihmave në Gazë dhe e akuzon OKB-në se po dështon t’i shpërndajë ato.

Në lidhje me veprimet e Hamasit më 7 tetor, Khan tha se i ka parë vetë “skenat shkatërruese të atyre sulmeve dhe ndikimin e thellë të krimeve të pandërgjegjshme.”

“Duke folur me të mbijetuarit, dëgjova se si dashuria brenda familjes, lidhjet më të ngushta mes një prindi dhe fëmije, ishin shtrembëruar për të shkaktuar dhimbje përmes mizorisë së kalkuluar dhe ligësisë ekstreme. Këto veprime kërkojnë përgjegjësi”, tha ai.

Pas një periudhe të shkurtër të mbështetjes ndërkombëtare për luftën tij, Izraeli është përballur me kritika për shkak të mënyrës se si e ka vazhduar luftën dhe për shkak të numrit të madh të të vrarëve.

Izraeli përballet gjithashtu me një rast të sjellë nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku e akuzon Izraelin për gjenocid. Izraeli i ka mohuar akuzat.

Kërkesa e Khanit për fletarrestime në luftën Izrael-Gazë u bë 14 muaj pasi GJNP-ja lëshoi fletarrestim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për krime lufte, të cilin e akuzon se është personalisht përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat