Franca, Gjermania dënojnë vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi - Bota Sot
Franca, Gjermania dënojnë vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi

Bota

Franca, Gjermania dënojnë vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi

Më: 21 tetor 2018 Në ora: 15:42
Angela Merkel

Franca dhe Gjermania dënuan vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi brenda konsullatës së vendit të tij në Stamboll.

Ministri i jashtëm francez Jean-Yves Le Drian bëri thirrje të shtunën për një "hetim të hollësishëm dhe të zellshëm për të përcaktuar saktësisht kush ishte përgjegjës" për vdekjen e Kashogit. Le Drian tha gjithashtu se "ata që janë fajtorë për vrasjen" duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.

Ndërkohë, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i saj i jashtëm, Heiko Maas, thanë në një deklaratë të përbashkët të shtunën se ata e dënojnë vdekjen "në terma më të forta të mundshme". Ata shtuan se " presim transparencë nga Arabia Saudite" në lidhje me detajet e vdekjes së Kashogit dhe i quajtën informacionet në dispozicion për incidentin "të pamjaftueshme".

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha të shtunën se rrethanat rreth vdekjes së Kashogit janë thellësisht shqetësuese dhe bëri thirrje për një hetim të plotë, të besueshëm dhe transparent.

Deklaratat erdhën në përgjigje të njoftimit të Arabisë Saudite se Kashogi, i cili u zhduk pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, ka vdekur brenda kompleksit pasi "diskutimet" midis tij dhe njerëzve që u takuan me të brenda konsullatës u shndërruan në një grindje. Presidenti Donald Trump, gjatë një mitingu në Nevada të shtunën, u tha gazetarëve se ai nuk është i kënaqur me shpjegimin e sauditëve për atë që ka ndodhur me Kashogin. Ai shtoi se ishte e mundur që Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman nuk ka qënë në dijeni për vdekjen.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...