Tetë promovime librash në Suedi në Ditën Botërore të Librit

Diaspora

Tetë promovime librash në Suedi në Ditën Botërore të Librit

Nga: Qerim Kryeziu Më: 29 prill 2019 Në ora: 07:38
Pamje nga promovimi i librave

Në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi u shënua Dita Botërore e Librit me promovimin e tetë veprave të autorëve që jetojnë e veprojnë në Suedi. Librat, promovimet e tyre nënkuptojnë pasurimin kulturor të popujve. Pasuri kulturore të jetës së komunitetit tonë në Suedi e konsideruam edhe këtë promovim që u realizua të shtunën më 27 prill, në nderim të 23 prillit –Ditës Botërore të Librit. Aktivitetin kulturor e organizoi Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Republikës së Kosovës me Qendrën Kulturore si dhe Shoqatën Shqiptaro-Suedeze të Shkrimtarëve që krijojnë në këtë shtet nordik. Aktiviteti pati tri pjesë: në pjesën e parë u prezantua letërsia shqiptare e botuar në suedisht dhe letërsia suedeze e botuar në shqip, në pjesën e dytë u prezantuan autorë shqiptarë që kishin botuar vepra letrare e shkencore kohëve të fundit dhe pjesën e tretë që iu kushtua inaugurimit të bibliotekës së Qendrës Kulturore.

Pjesëmarrësit

Në promovim erdhën shumë bashkëkombës, autorë, dashamirës të librit dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore të atdheut. Nga Ministria e Diasporës morën pjesë dy këshilltarët e ministrit Dardan Gashit, Isa Osmani e Arian Demiri si dhe zonja Shyhrete Kastrati drejtore për Qendrat Kulturore. Mori pjesë edhe Arton Krasniqi konsull i republikës sonë në Danimarkë.

Promovimi

Muhamet Shatri zyrtar koordinator në Qendër përshëndeti të pranishmit dhe iu dëshiroi një pasdite të këndshme kulturore. Pastaj Riza Sheqiri, shkrimtar i njohur për lexuesit shqiptarë e suedezë drejtoi promovimin. Autori i parë që i paraqiti krijimtarinë e tij publikut ishte Hamit Gurguri. Gurguri është prozator i frytshëm në Suedi, me dhjetë vepra të botuara në suedisht. Për vlerat artistike të prozës së Gurgurit foli shkrimtari Riza Sheqiri, e për aspekte të veçanta të krijimit, frymëzimit, tematikës e vështirësive të realizimit të romaneve foli vet autori. Poeti Sevdail Zejnullahu lexoi disa poezi të përmbledhjes “Çelësin varur në qafë” ndërsa për disa veçori poetike të stilit të Zejnullahut foli R. Sheqiri. Qerim Kryeziu tha: “Në rrjedhat e sotme të poezisë shqipe, poeti Sevdail Zejnullahu artikulon zërin revoltues të qytetarit përballë deformimeve shoqërore. Prandaj, në poezinë “Liria në spital” të Zejnullahut nuk diagnostikohet liria por shëndeti i sëmurë i aparatit shtetëror që e bënë të lëngojë në spital lirinë e shumë pritur”. Vepra e radhës që u promovua ishte “Antologji e poezisë suedeze “ e përkthyesit Qerim Raqi. Antologjia sapo është botuar në Prishtinë dhe për shqiptarët në Suedi, kjo vepër nënkupton njohjen, vlerësimin dhe dashurinë për kulturën letrare të kombit suedez. Qerim Raqi solli në shqip në formë të shkëlqyer poezinë e njëqind poetëve që jetuan e shkruan suedisht këtu e treqind vjet më parë. Kjo antologji u vlerësua si botim i rëndësishëm i kohëve të fundit që pasuron me margaritarë poetik fondin e letërsisë së përkthyer në gjuhën shqipe. Sipas Ismail Rogovës (njëri nga të parët hartues të fjalorthit suedisht-shqip) përkthimi nga suedishtja në shqip në këtë antologji është profesional dhe dëshmon dy gjera të rëndësishme: njohjen e mirë të suedishtes nga përkthyesi dhe përkthimin poetik të materialit, pa ia humbur ndjenjën, bukurinë e porosinë e origjinalit. Poezitë e përkthyera të Qerim Raqit në shqip janë po aq të bukura sa në suedisht-tha Rugova. Një prezantim të shkurtër të krijimtarisë së Riza Sheqirit në suedisht e bëri vet autori ndërsa për disa nga vlerat artistike të veprës së fundit “Shoferi i lojës” (“Lekens chaufför” ) foli poeti Sevdail Zejnullahu. Xhevat Isufi foli për veprimtarinë krijuese e arsimore të Riza Sheqirit. Qazim Taraku- Berisha promovoi dy vepra me karakter dokumentar -historik “Xhafe Tajari dhe disfata e tij në Lugun e Baranit 1910” dhe “Hazir Alija-simbol i rezistencës”. Berisha ka rrëfyer bukur historinë e vendlindjes, të gjyshërve të vet me ndihmën e rrëfimeve të njerëzve të gjallë e dokumenteve arkivore të gjetura në Shkodër e Podgoricë si dhe në shtypin e kohës. Falënderoi edhe vet autori Qazim Taraku-Berisha për promovimin që i ofroi Qendra Kulturore. Mësuesi Rashit Berisha paraqiti tri vepra të llojit doracak që përmbanin përvojën e tij si mësues veteran në Suedi, vepra me porosi, këshilla e urti popullore shqiptare. Djaloshi Egzon Shabani ishte autori surprizë i gjithë aktivitetit kulturor të 27 prillit. Inxhinieri i ri, me perspektivë e ambicie krijuese kombëtare, paraqiti stripin që kishte krijuar vet dhe njoftoi për projektin me një seri stripesh që për tematikë do të kenë subjektet e përrallave shqiptare. “Jam i impresionuar nga përrallat tona” –tha në intervistën për AlbSe Egzon Shabani. Kjo punë e tij është pëlqyer shumë nga rrethi shoqëror suedez. Egzoni shpreson të botojë vepra të tilla me subjekte tematike përrallore shqiptare në suedisht, anglisht e shqip. Vepra e fundit që u promovua ishte përmbledhja kapitale historike e Dr. Muhamet Shatrit “Kryengritja e përgjithshme shqiptare anti osmane e vitit 1910”. Vepra hedh dritë mbi periudhën e kryengritjeve luftarake shqiptare në prag të pavarësisë, periudhë e interesimeve të përhershme shkencore të dr. Shatrit. Vepra është botuar në vitin 2016 në Prishtinë.

Gjithë aktiviteti kulturor për nder të Ditës Botërore të Librit përfundoi me një koktej rasti . Pjesëmarrësit morën diçka për të shijuar nga garnitura e pasur e drekës tradicionale shqiptare, u freskuan dhe u relaksuan. Bisedat e lehta e të këndshme të çastit, lidheshin me promovimin që sapo kishte mbaruar dhe me hallet e dilemat shumta të njerëzve mërgimtarë.

Image

I gjithë programi u regjistrua nga dy kamerat e Televizionit AlbSe të Bashkim Hotit dhe kameramanëve Klodian Bathorja e Almir Balla.

Aktivitetin kulturor e moderoi Qerim Kryeziu.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat