“Libri i luftës” promovohet edhe në Kopër të Sllovenisë - Bota Sot
“Libri i luftës” promovohet edhe në Kopër të Sllovenisë

Diaspora

“Libri i luftës” promovohet edhe në Kopër të Sllovenisë

Më: 5 maj 2019 Në ora: 23:53
Foto nga takimi

Në Kopër, në organizim të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Slloveni dhe të Shoqatës Kulturore “Iliria”, u bë promovimi i “Librit të luftës” të autorit, gazetarit dhe publicistit Nuhi Bytyçi.

Në këtë eveniment, përveç autorit, morën pjesë edhe ambasadorët e Republikës së Kosovës e të Shqipërisë në Slloveni, Avni Kastrati e Pëllumb Qazimi, veprimtari i shquar profesor Martin Berishaj, përfaqësues të shoqatave shqiptare në Slloveni e Trieshtë, si dhe shumë mërgimtarë që jetojnë e punojnë në Slloveni.

Promovimi u hap me xhirimet dokumentare nga ngjarjet më të rëndësishme historike, nga të cilat ka raportuar Nuhi Bytyçi, të cilat krijuan emocione te pjesëmarrësit.

Në fjalën e hapjes me rastin e promovimit të “Librit të luftës” kryetari i Shoqatës kulturore Shqiptare “Iliria” në Kopër,  Heset Ahmeti e përgëzoi autorin për këtë vepër me vlera shumëdimensionale.

Ai falënderoi Bytyçin që u përcaktua që në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Slloveni dhe me Shoqatën “Iliria”  me librin e tij të paraqitet në mesin  e bashkëkombëseve tanë në Kopër.

Ndërsa ambasadori Kastrati, e vlerësoi “Librin e luftës” si vepër monumentale të Nuhi Bytyçit, nga se, si tha ai, aty janë përfshirë ngjarjet historike të popullit shqiptar të Kosovës dhe përjetimet e rrëfimet autentike të autorit.

Ai tha se libri promovohet në momentin, kur Kryesia e  Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga shtetet mike të Kosovës që ta miratojnë rezolutën për dënimin e gjenocidit të regjimit serb mbi shqiptarët gjatë luftës në Kosovë.

Ai e përgëzoi Nuhi Bytyçin për një vepër të jashtëzakonshme për Kosovën dhe historinë tonë më të re kombëtare dhe sugjeroi që në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës “Libri i luftës” të botohet edhe në gjuhët e huaja.

Edhe ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi, shprehu konsideratat më të larta për punën profesionale të gazetarit Nuhi Bytyçi, sidomos gjatë periudhës së luftës  në Kosovë, duke e sensibilizuar jo vetëm opinionin kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar.

Ndërkaq, profesor Martin Berishaj, “Librin e luftës” e çmoi si kontribut të jashtëzakonshëm me vlera historike, duke prezantuar sakrificën e madhe të popullit tonë, sidomos luftën e UÇK-së dhe realizimin e ëndrrës shumëshekullore për liri e pavarësi.

Me këtë rast, Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni, e dekoroi Nuhi Bytyçin me mirënjohjen e veçantë dhe të parë të këtij lloji  “për kontributin e tij të dhënë përmes gazetarisë dhe publicistikës në evidentimin dhe afirmimin e fakteve historike në kuadër të përpjekjeve të popullit të Kosovës dhe të diasporës shqiptare për liri dhe pavarësi”.

Mirënjohjen e firmosur nga Ambasadori Avni Kastrati, Bytyçit iu dorëzua nga Arbnore Avdylaj, Zyrtarja konsullore në Ambasadën e Kosovës në Slloveni.

Në pjesën përfundimtare të promovimit, Dino Murtezani, enkas për pjesëmarrësit u paraqit me një pikë artistike kushtuar komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari “Çou Adem”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...