Lokomotiva e diasporës shqiptare

Diaspora

Lokomotiva e diasporës shqiptare

Nga: Dedë Preqi Më: 27 tetor 2019 Në ora: 07:15
Baki Ymeri është iluministi shqiptar i Bukureshtit të ditëve tona

Baki Ymeri është iluministi shqiptar i Bukureshtit të ditëve tona. Para së gjithash, ai është poet, patriot dhe reformator i kulturës shqiptare. Te personaliteti i këtij malësori, dallojmë një shpirt fisnik dhe zemër bujare, që është i mishëruar me fijet e fildishta të atdhedashurisë. Zbulimet e tij në bibliotekat dhe arkivat e Bukureshtit, janë një ndihmesë e madhe që do t‘u çelin rrugë edhe autorëve tjerë, të gjurmojnë, studiojnë dhe krijojnë një bibliotekë të re të korpusit tonë kulturor, shkencor dhe patriotik.

Më pëlqejnë njerëzit që lexojnë, komunikojnë dhe shkruajnë. Artikujt dhe librat e botuar, përfaqësojnë një provokim magnetik që përhapin dritën e diturisë. Dihet se Bukureshti historikisht ishte një vatër e zjarrtë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përmes së cilës kanë vepruar shumë veprimtarë dhe dijetarë të shquar të kulturës dhe letërsisë sonë në mërgatë. Veprat e tyre frymëzuan gjenerata të tëra, dhe ato i vazhduan edhe veprimtarë të tjerë, siç vepron sot, poeti, publicisti dhe përkthyesi Baki Ymeri. Këtë njeri do ta quaja iluministi shqiptar i Bukureshtit të ditëve tona, i një atdhetari të zellshëm dhe krijues i palodhshëm që lë gjurmë në botën magjike të letrave shqipe. Ai është bërë shembull i shkëlqyer për gjeneratat e reja, për ta vazhduar imazhin tonë në funksion të vazhdueshëm, që të mos ndërpriten asnjëherë urat e miqësisë kulturore ndërmjet popujve si vlera të vjetra dhe tradicionale.

Nuk dua ta përsëris atë që e kanë thënë të tjerët për këtë njeri, por duke e studiuar veprimtarinë e tij, konstatojmë se malësori i Sharrit aspiron për një punë e frytshme dhe kolosale, me mbresa të pasura letrare, atdhetare dhe intelektuale. Autori përqëndrohet ekskluzivisht në tema të angazhuara, sepse shtypit i nevojiten reportazhet, intervistat dhe portretet e veteranëve dhe krijuesve tanë, jo vetëm në diasporë. Në spektrin e tij tematik, ballafaqohemi me tema shumë interesante vlerash të dobishme. Lënda e tyre mund të imponohet dhe përjetohet si një e vërtetë aktuale dhe e përhershme, si një botë magjike që gjakon pas esencave të natyrës njerëzore, duke aspiruar me tërë qenjen e vet, prej një arkitekti dhe mjeshtri të urave të shëndetshme të miqësisë kulturore ndërmjet gjuhëve, njerëzve dhe popujve.

Image

Përmes shkrimeve të tij, gjen gjurma shqiptare në Bukuresht, Krajovë, Konstancë, Brailë e gjetiu. Autori ka një garsonierë të vogël të ngarkuar me vlera të vjetra e të rralla (koleksione të pasura librash, letrash, gazetash, revistash, dorëshkrimesh, fotografishë). Shumicën e artikujve dhe materialeve që ka botuar dhe i boton sot e kësaj dite nëpër gazeta e revista të ndryshme shqiptare, përveç se e pasurojnë kartotekën tonë kulturore, autori investon edhe elemente tjera të nevojshme, duke gjurmuar vlera të panjohura të autorëve të mëdhenj të rilindësve tanë, sidomos kur vjen fjala për kryeveteranin e atdhetarizmit shqiptar në Rumani, Nikolla Naço-Korça. Zbulimet e tij janë një ndihmesë e madhe që do t‘u çelin rrugë edhe autorëve tjerë, të gjurmojnë, studiojnë dhe përfeksionojnë një bibliotekë të re të korpusit tonë kulturor, shkencor dhe patriotik, me studime, fejtone e libra shumë të rëndësishme.

Image

Kanë thënë të tjerët dhe vlen të potencojmë edhe ne, se Baki Ymeri është pjesë aktive e disa simpoziumeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veprimtar i dalluar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, iniciator për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, kryeredaktor dhe editor i revistave „Shqiptari“ dhe „Kosova“ në Bukuresht. Nja 2 filoserbë të Rumanisë e kanë sulmuar në shtyp, duke e shpallur „irredentist“ pse militon për kauzën kosovare në shtyp, një tjetër (sipas një pamfleti të freskët të Kushtrim Kastriotit), e pat hedhur në gjyq, por poetët i mbron Zoti dhe engjëjt. Veprimtaria e Baki Ymerit është plot e përplot me aktivitete të rëndësishme të kulturës dhe letërsisë, i cili nuk rendi pas famës, por madhështinë kombëtare e arriti duke synuar gjithmonë qëllimet parimore për një moral ideal, që përmes sakrificave e përjetimeve të ndryshme të kohës, të fitohet liria njerëzore si një fitore e brendshme dhe e jashtme e njeriut, duke i dhënë prioritet komunitetit shqiptar të Rumanisë, mërgatës sonë, afirmimit të Kosovës dhe lirisë sonë kombëtare.

Baki Ymeri vjen nga Shipkovica e bukur që shtrihet në zemër të Sharrit. Rrjedh nga një familje fisnike e bujare. I ati i tij ishte një veprimtar i flaktë i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ndërsa e ëma e tij, iu adaptua ambientit shqiptar që e deshti me gjithë zemër, paralelisht me gjuhën shqipe, traditat tona dhe flamurin shqiptar. Pushtuesi sllav në trojet shqiptare gjithherë i kishte në shënjestër dhe i përgjonte ata të cilët nuk pajtoheshin me robërinë dhe zgjedhën e huaj, e një ndër ta ishte edhe i biri i Ajvaz Vokës, një intelektual liridashës që nuk do të pajtohet kurrë me robërinë e pushtuesit të egër, me ç’rast akuzohet dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Shkupit me 6 vjet burg të rëndë „për veprimtari armiqësore kundër pushtetit socialist jugosllav“ (1976). I ndjekur nga pushteti i asaj kohe, Bakiu duhej të largohet nga vendlindja e tij, duke u vendosur më vonë në Bukuresht, por aktiviteti i këtij djaloshi në shërbim të lirisë dhe atdheut nuk ndalet kurrë. Themi djalosh edhepse më 1 Gusht të këtij viti i mbushi 70 pranvera. Që nga viti 1971 e deri më sot, ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon pa ndërprerë me shtypin shqiptar të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe mërgatës shqiptare, por edhe me shtypin e huaj, posaçërisht me atë rumun.

Nëse doni të shkoni në Bukuresht, pregadituni për një udhëtim të mbarë me ballin lart. Atje do gjeni një bibliotekë fantastike, ndoshta më të pasurën në diasporë, siç qe shprehur diplomati Avni Spahiu para disa vitesh. Duke e përvetësuar me shumë sukses gjuhën rumune, qysh para 50 vitesh, Bakiu iu rek përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, duke përkthyer edhe shumë autorë të njohur shqiptarë, duke dhënë dhe kontribute tjera të panumërta në publicistikë. Rëndësinë e përkthimeve e përmendin edhe një numër i konsideruar intelektualësh tanë nga Kosova dhe Shqipëria. Pas studimeve (Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë), vazhdoi specializimin në Vjenë dhe Bukuresht (1974/75), duke jetuar e krijuar edhe sot e kësaj dite në kryeqytetin e Rumanisë, duke dhënë me notën brio provimet dhe referatet e doktoratës (“Relacione kulturore rumuno-shqiptare”), duke vazhduar traditën e rilindësve tanë në këtë vend, duke dhënë një kontribut të çmuar për çështjes shqiptare në vendin ku rilindësit tanë bënë përpjekje titanike për përhapjen e zjarrit të pashuar të atdhedashurisë shqiptare.

Baki Ymeri e ka dëshmuar me vepra konkrete veprimtarinë e vet, duke e gërshetuar jetën e tij me çështjen fisnike të atdhetarizmit shqiptar. Ky njeri, tërë jetën vet ia kushtoi kësaj kauze sublime, pa heshtur dhe pa u lodhur. Intelektualët rumunë, e quajnë Poet i dashurisë, Shqiponja e Dardanisë në trojet rumune, Mik i madh i kulturës, Dashamir i njerëzimit. Vlen ta përsërisim se te personaliteti i këtij malësori, dallojmë një shpirt fisnik dhe zemër bujare, që është i mishëruar me fijet e fildishta të atdhedashurisë. Te ky njeri e gjejmë edhe një karakteristikë të jashtëzakonshme si kundërshtar i madh i ekstremizmit fetar. Relacionet e shqiptarit me Zotin janë shumë të rëndësishme për të mbajtur gjallë vlerat shpirtërore që na i falën të parët tanë. Baki Ymeri ka një përvojë të gjatë e të pasur prej mërgimtari, duke përjetuar ngjarje të ndryshme në kushtet dhe rrethanat e vështira, gjithmonë duke tentuar të bëjë diçka pozitive, duke mos ndenjur duarkryq, duke bërë atë që është e mundshme për të mirën e çështjes kombëtare.

Artikujt e botuar të autorit janë vlera mbi vlera. Ato shënojnë thesarin e letrave shqipe, të cilat kanë valenca studimi dhe mësimi. Kështu krijohet respekti, krenaria dhe nderi. Baki Ymeri është lokomotiva dhe zëri i vetëdijes sonë kombëtare në diasporë. Bukuria e shpirtit të tij s'ka limit, sepse kush preokupohet për Atdheun, do të mbetet përjetësisht në memorjen tonë e të gjeneratave të ardhshme. Bashkëpunimi kulturor midis dy vendeve mike ishte shumë i hershëm. Ndërmjet shqiptarëve dhe rumunëve, faktorët objektivë dhe aktivë i dëshmojnë librat, broshurat, abetaret, gazetat dhe dokumetet e vjetra të rilindësve tanë, që sot i shpalos me një kujdes të madh publicisti dhe atdhetari Baki Ymeri. Dokumentet dhe fotografitë e artikujt për gazetat e vjetra shqiptare që i boton, shndërrohen në faktorë të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit pozitiv në planin kulturor dhe miqësor ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve. Prandaj, kjo formë e bashkëpunimit kulturor do të ndikojë edhe sot, kur Rumania dhe Qeveria e saj do ta pregadisë terenin për ta njohur Kosovën sipas rekomandimeve të Bashkësisë Europiane, si shtet të pavarur, të lirë dhe sovran.

Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare në diasporë

Në janar të vitit 1971, shkoi në Bukuresht për të kontaktuar farfisin, dhe i gjeti atje bijtë dhe bijat e rilindësve tanë. Viteve të fundit është organizator i parë i tryezave të miqësisë rumuno-shqiptare. Vetë termi tregon rrethin dhe marrëdhëniet e moçme të këtyre dy popujve të farefisnuar gjatë historisë, të cilët i lidhi ideali dhe jeta shoqërore dhe kulturore. Në kuadrin e këtyre tryezave, dashamirë të mëdhenj të Kosovës, si Teodor Damian, Marius Chelaru, Monika Mureshan, Mihai Antonescu, Tiberius Puiu, Lucian Gruia, Gjergj Bukura, Viktoria Milescu e tjerë, tregojnë më shumë se një përkushtim dhe dashuri ndaj kulturës sonë. Shumica sosh janë poetë dhe prozatorë që shkruajnë me admirim për poetët shqiptarë, të cilët mirren vullnetarisht me analizat dhe përkthimet e tyre, ashtu sikur që anasjelltas, mirret dhe përkthysi dhe publicisti i njohur shqiptar, Zt. Baki Ymeri, përfaqësuesi i parë i Kosovës letrare në gjuhën rumune.

Nuk do të thotë se autori e bën një punë të madhe, nëse e përkthen një libër, në qoftëse nuk i japim rëndësi të karakterit letrar, por duke e përkthyer një libër në një gjuhë tjetër, ke dhënë një shembull të traditës dhe kulturës së popullit tënd në rend të parë, i ke ndihmuar kulturës letrare në rend të dytë, dhe në rend të tretë ke treguar talentin tënd, prej poeti dhe përkthyesi. Traditat e tryezave të miqësisë janë të lashta dhe shumë të vazhdueshme, duke pasë parasysh njerëzit me vyrtyte të larta atdhetare e kulturore, paraqesin urat dhe rolin e ambasadorëve të të dy vendeve mike. Një ndër ambasadorët e tillë që ka sot diaspora shqiptare në Rumani, është edhe përkthyesi dhe publicisti Baki Ymeri, që meriton më shumë se një dekoratë të artë, për kontributin e dhënë deri më tani, në fushën e përkthimeve dhe publikimeve të ndryshme të karakterit letrar dhe kulturor.

Baki Ymeri është autor i disa veprave origjinale dhe redaktor apo i autor i parathënies së disa autorëve nga Kosova dhe diaspora shqiptare. Ka botuar 7 vëllime poetike, 30 antologji me autorë të përbashkët, 3 monografi mbi diasporën shqiptare, 100 numra të revistave “Shqiptari” dhe “Kosova”. Ka përkthyer mbi 100 vëllime poetike të autorëve tanë dhe rumunë, duke shkruar në ndërkohë mbi 1.000 artikuj të ndryshëm, të botuar në gazeta e revista të panumërta. Vlen të ripërkujtojmë faktin se autori është një zbulues i madh librash, letrash, fotografishë, dorëshkrimesh e dokumentesh origjinale të rilindësve tanë. Disa nga to, më të rëndësishmet, ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Këto janë të një vlere të madhe për studiusit e sotëm, për të njohur më mirë aspiratat, kulturën dhe shoqatat e Rilindjes kombëtare në mërgatë. Autori është anëtar i zellshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, lauerat i disa Mirënjohjeve të ndryshme, i nominuar nga Institucioni Biografik Amerikan, „Njeriu i Vitit 2001“, i një Çertifikate nga Kombet e Bashkuara (Qendra për të Drejtat e Njeriut, Bukuresht 1994), laureati i „Urdhërit Kavalier i Mioricës“ në Fokshan të Rumanisë (2006), i vlerësuar me çmimin e Mirënjohjes për Kritikë Letrare, nga klubi i Shkrimtarëve „Drita“ dhe drejtoria e revistës letrare „Pelegrini“ në Athinë (2006). Është i përfshirë në Fjalorin Enciklopedik të Personaliteteve të Rumanisë, posedon disa shpërblime tjera si dhe Mirënjohje për donacion dhe bashkëveprim nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (2007). Dhe jo vetëm kaq! Para një viti, B. Y. qe nderuar me Çmimin e lartë për përkthime letrare në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Mihai Eminescu” në Krajovë.


Vullnet Mato

BUBULLIMA E BUKURESHTIT

Shkrepi vargje, rrufe në zgrip,
derisa në Kosovë zbardhi terri,
bubulloi me shkronja shqip,
poeti rumun Baki Ymeri...

Kosovar me kockë dardani,
mes shqiptarëve të Rumanisë,
krijon arkivin që s’e ka vatani,
për Mesjetën e Shqipërisë.

Nuhat, gjurmon dokumenta,
çel çdo dry dhe kyç të hekurt,
zbulon foto, ngjarje, shkresa,
të ringjalli kujtesën e vdekur.

Shpërndan libra, fjalorë shqip
pluhurin e vjetër heq në fjalë,
tek shqiptarët e Rumanisë,
gjuhën shqipe të mbaj gjallë.

Botues për autorët shqiptarë,
koleksionist figurash historike,
poliglot gjuhësh, ndërkombëtar,
përkthyes veprash artistike.

edukator lauruar me dekoratë,
tërë jetën e tij i përkushtuar,
Arbërisë ilire, gjerë e gjatë,
rrënjët e thella për t’i zbuluar.

Pena e tij mbjell vëllazërimin,
nga Karpatet, në Apenine,
me gjuhën shqipe bën afrimin,
virtuoz i palodhur në ligjërime.

Titullin gjëmimtar në opinion:
“Bubullima e Bukureshtit”
e ka marrë nga, jehonat që krijon,
me gjuhët e popujve të kontinentit.

Demir Krasniqi

ZËRI I BUKURESHTIT

Kam një vëlla - Baki Ymeri ,
Mërgimtari - gojësheqeri!
Pena e Tij, kurrë nuk heshti -
Që t' na njoh dhe Bukureshti!

Zemra i qanë, por goja i qeshë,
Fjala e tij gjithmonë ka peshë!
Emri i tij qarkullon globit -
Biri i Shqipes - Nderi i Kombit!

Kështu banë biri i Shipkovicës
Me bilbilin e Kamenicës -
Këndojnë Gollakun e Tetovën,
S'e harrojnë Shqipërinë e Kosovën!...

As Iliridën e Çamërinë,
Këndojnë Plavën e Gucinë...
Adhurojnë Luginën nga Presheva,
Këndojnë shqip mbi gjithë këto treva!

Urojnë Shkodra e Tepelena -
Baki Ymeri, të rroftë pena!
Urojnë Tuzi e Manastiri -
Shkruan Bakiu - këndon Demiri!
 

P. S.

O Demir mor mbret Kosove

Që i bën nder kësaj Tetove

Me kët'këng'për Bari Bujkun

Që e ka mundur edhe Ujkun

Dhe që ka një porosi

Këngën mos e këndo me sharki

Sepse Zogu i Shipkovicës

Në vend të bilbilit të Kamenicës

I preferon gocat e Drenicës!...

(Riza Lahi, Tiranë)

Demir Krasniqi

MREKULLIA E ZOTIT

(Kushtuar veprimtarit, krijuesit, atdhetarit, poetit, publicistit

dhe mërgimtarit të devotshëm Baki Ymeri, alias Alban Voka)

Mrekullinë që bëri ky zog mërgimtari –

Nuk e bëri n’botë asnjë bir shqiptari!

I prirë nga Zoti dhe dhuntia e mendjes –

I bashkoi në vepra mjeshtërit e penës!

Pena e sokolit të malit është pena e artarit –

Të na rrojë i lumtur sa bjeshkët e Sharrit!

Gjithë vargjet briliante që i shkruan Alban Voka –

Janë burimet e zemrës dhe kurrë nuk janë hoka!

Vargjet e sokolit, zemra gjithë m’i deshti –

Janë ilaçe shpirti që vijnë nga Bukureshti!

Në atë vend të bekuar shkruan dhe jeton –

Por vendlindjen e kombin, kurrë s’e harron!

Uron Shipkovica krenare, ky katund –

Lum e lum për djepin e tij që ka përkund!

Uron mbarë Tetova, fshatrat me malësi –

Lum e lum për nënën, Bakiut që i dha gji!

Uron Ilirida, e mirëbekon Dardania,

Uron Çamëria dhe mbarë Shqiptaria,

Urojnë gjithë shqiptarët dhe mbarë diaspora –

Rrofsh Baki Ymeri! Të lumtë pena dhe dora!

Agim Gashi

KËNGË KUSHTUAR BAKI YMERIT

Eheej, rilindja kombëtare ende ësht’gjallë

Për një engjëll po Jua them dy fjalë!

Qofsh jetëgjatë o mor burrë i malësisë

Flamurtar dhe drit’e bekuar e Dardanisë!

Mbi katër shekuj Bukureshti flet shqip

Që nga koha e lashtë Mihai Trimit

E deri te shekulli i artë i Bubullimës

Që ngritet lart si bjeshkët e Zadrimes?

Kush është ky malësor krenar i Sharrit

Që afirmon gjithandej vlerat e shqiptarit?

Ti je maraton kombëtar i mërgatës sonë

Kosovën përtej kufinjve po e afirmonë!

Para një shekulli ngriti Flamurin e Skënderbeut

Në Shipkovicë të Sharrit ky burrë i dheut.

Iku nga bishat barbare që e ndiqnin pa pushim

Dhe në Bukureshtin e Asdrenit gjeti strehim.

Është dritë e artë e Kosovës në Bukuresht

Flamurtar i shpirtit tonë që kurrë nuk hesht.

Na bëri të njohur para lexuesve të huaj

Duke vepruar me dekada e vite dhe muaj.

Si poet e patriot gjithmonë e zu vendin e parë

Përherë me Zotin përpara e me fjalën e mbarë.

Si polemist i ashpër u kacafyt me do zagarë

Që deshën ta hedhin në gjyq pse ishte shqiptar.

Zoti e mbrojti duke i dhënë gjithmonë dritë

Ta bëjë natën ditë, dritë e ndezur e sy petrit

Si Naimi me bijt e shqipes që vepronin dikurë

Meritor e trubadur, shpirt i ndezur për kulturë.

Vepra e tij na u bë sofër e inteligjencës shqiptare

Ku ushqehen engjëjt me artin e kulturës kombëtare,

Simbol i atdhedashurisë dhe kandil i patriotizmit

Ambasador i lindur dhe veteran i shqiptarizmit.

Le të shkëlqejë çdo shqiptar me shembullin e tij

Rrnoftë Shqipëria e na ndihmoftë Perëndia

Pat thënë para një shekulli nëna e dashur e tij.

Të na rrojë Kosova me trojet tona amtare

Pena e Baki Ymerit ngren vlera kombëtare.

Eugen Evu

ETAPA E DJEGJES

(Kushtuar Baki Ymerit)

Si një shqiponjë

Ndëmjet mikroskopit elektronik

Dhe teleskopit të engjëjve

Vullkan i pashuar atdhedashurie

Që s’e lanë të plaket bukuroshet tona

I patrembur nga eksperimenti i globalizimit

Primordialitet i ri after the day

Të gjitha kohërat i tubon në një tanishmëri të vetme

Duke i kërkuar edhe varret e të parëve të tij

Dhe zanën që e ka shndërruar në pulsim

Zemrën e dëborës duke e shndërruar në zjarr

Zjarrin e zemrës duke e shndërruar në fjalë

Zanat tona duke i praruar me afsh ndjeshmërie

Engjëjt tanë duke i shndërruar në miq Shqipërie

Dhe vetëm Ai këtë vend e ka shndërruar

Në çerdhe shqiponjash duke na e prurë Dardaninë

Në zemrat tona, yjet janë atje, dhe dita me dritë

E dielli është ende atje

Ku dardanët natën e bëjnë ditë…

(E shqipëroi: Luan Topçiu)

Lulzim Gashi

MIKUT TIM PËR KUJTIM

Porsi dallgë deti

Që tundin bregun

Duke krijuar kurorë

Kur dielli i përshëndet

Kreshtat e Sharrit me borë

Porsi flladi i pranverës

Që e freskon frymëzimin

E vargut të posalindur

Porsi bletët që gumëzhijnë

Mbi brigjet e Vardarit

Duke rendur nga lulja në lule

T’jua sjellin lugën e nektarit

Porsi luftëtarët që jetojnë

Me kujtimet e krenarisë

Porsi lapidarët që e mbulojnë

Atdheun e shqiptarisë

Porsi gjelbërimi i fushave

Përtej lëndinave të sheshit

Me energji të pashtershme

Është Bubullima e Bukureshtit.

Rami kamberi

ME SY SHARRI

N’BUKURESHTIN E LIRISË

Nga Sharri i Tetovës, krenare
N’fluturim drej jetës

Ku deshe të pikturosh ura miqësie
N’syt’e botës mbete abetare
T’mos përgjaket toka

Që Zoti na e fali dhuratë dashurie

Duke treguar shtatin e përgjakur

Nën pranga t'robërisë
Për t’i thënë djallit

Se forca e tij po soset n’sytë e lirisë
Ku shtatore mbeten

Shenjtorët e ngdhnjimit, t’dashurisë
Sikur poezitë e poetëve

Që kalojnë kufinjtë e robërisë

Nga Sharri i Tetovës krenare
N’Bukureshtin e lirisë

Ku qëndiset kultura e miqësisë
N’syt’e botës, mbete abetare
Si fluturojnë qiellit të lirisë

Pëllumba paqe e t’dashurisë

Neki Lulaj

VETËM MBRËMË
 

Mbrëmë pash në ëndërr

Se isha kërrusur nga pesha

Se mbaja mbi supe

Shekullin e plagosur

Nga ikja

E këtij fundshekulli

Të trazuar

Të zvetënuar

Pa lënë asnjë testament në letër

Pa e gjykuar asnjë kriminel tjetër

Që Mitrovicën e kanë kërcënuar

Koha shkon zvarrë duke kaluar.

E unë gjithë natën shëtita

Me fanar në dorë

Nuk kish as henë as dritë tjetër

Isha krushk i ftuar

Në dasëm me baballarët e kombit

Thurrnin rapsodi për Qëndresën

Me Oso Kukën e Vraninës

Këndonim heroizmin e Dukagjinit

Me Isa Boletinin

E Adem Jasharin në ballë.

Nga gjithë kjo

Parodi kushtuar Qëndresës

E desha urtinë e Baki Ymerit

Vrrullin e tij prej një atdhetari

Sinqeritetin prej engjulli

Burrërinë e tij të pashembullt.

Desha të huazoj diçka nga vargjet

Nga pena e artë e Ismail Kadaresë

Por plagiatura m’u kërcënua

Mos ndoshta vallë Gjergj Fishta e Naimi

Ibrahim Rugova e Nëna Tereze

At Zef Pllumbi e Skënder Zogaj

Ramiz Dërmaku e Fetah Berisha

Dhe shumë të tjerë

Komb e fis e miq dhe dashamirë

Kanë për tu hatruar…

KONSIDERATA PËR BUBULLIMËN E BUKURESHTIT

Mirënjohje nga Kosova dhe diaspora shqiptare

Vëlla i dashur! Unë kaherë e kam formuar bindjen se Ju në Bukuresht, jatakun e Rilindësve tanë jeni duke e mbajtur me zjarr të pashuar. Ai zjarr i dikurshëm që i ngrohi zemrat dhe shpirtin tonë po vazhdon edhe sot të na ngrohë, kur ende jemi në "hap e kurthë, kurthë e hap". Kam besim se veprimtaria Juaj e ka bekimin e të gjithë shqiptarëve që janë të mbrujtur me gjak të pastër shqiptari. Ju në Rumani, edhe të tjerët si Ju nëpër vende të tjera të botës jeni ata që e mbani të gjallë e të pashuar zjarrin gjithëkombëtar. O Zot, po të përgjërohem me tërë forcën që ia ke dhuruar shpirtit tim, i ruaj këta shpirta, u jep shëndet e forcë! Bekoi o Zot! Ndihmoi në rrugën e tyre të shenjtë! Shenjtëroi me shenjtërinë Tënde! (Hysen Këqiku, Kosovë, 17.10.2009). Të përgëzoj i nderuar për këtë revistë për të cilën nuk kam dyshim se do jetë një vulë e fjalës dhe synimit kosovar në qiellin rumun ku ti na dhuron aq përzemërsisht fluturimin më mikpritës që kemi njohur ndonjëherë përmes veprave tona. Shëndet e suksese, Albina Idrizi (3/11/09). Vëlla Baki, unë nuk mundem të të quaj ndryshe pos Vëlla, sepse Ty dhe bashkëpunëtorët e Tu, qofshin edhe joshqiptarë, çdo shqiptar që merr frymë shqip, mendon shqip, qan e qesh shqip të ka ka Vëlla. Puna jote me vlerë të madhe le të jetë si oaza në shkretëtirë me ujin e ftohtë me ujin kristal, me ujin e shpresës, me ujin shpëtimtar. Ai krua është në duar të sigurta, në duart e një heroi të ditëve tona, në duart e Baki Ymerit. Unë të përgëzoj e dëshiroj shëndet të mirë e jetë të gjatë me suksese të panumërta, sepse sukseset Tua janë edhe tonat. Të përshëndes, Hysen Këqiku (01.11.2009). Kosova, një revistë shumë interesante, që kur e mbaron së lexuari, ndjen në vetvete krenarinë që jemi bij shqipesh, dhe me zgjuarsi, vullnet, durim e këmbëngulje mposhtim veshtirësitë dhe ia dalim mbanë. Nuk ndalet kurrë fluturimi i shqiponjave në kërkim të mirësisë. Falënderoj dhe përshëndes si gjithmonë të papërtuarin punëtor të shqiptarizmës, Zotninë e nderuar Baki, duke mos harruar dhe stafin e gazetës aq simpatike "Zemra Shqiptare", që na është bërë zakon që sa të hapim, të hedhim shikim se ç'farë shkruhet në te. Me respekt, Eduard M. Dilo (25.10.2009). I dashuri Baki! Dëshiroj të jeni mirë me shëndet e me punë. Shumë urime, i nderuar, dalja e revistës “Kosova”. E di se nuk ndalesh për të mirën tonë. Qoftë e pavdekshme dhe e bekuar kjo udhë e dritës që je duke e dhënë për ne! E di që ke shpirt atdhetari, se vetëm këta njerëz mund të bëjnë këtë që je duke e bërë Ti, mik i shtrenjtë i Kosovës së dashur. Është kënaqësi për ne që të kemi mik! (Nexhat Rexha, 01.11.2009). Shumë suksese për revistën Kosova në Bukuresht, i nderuari mik e koleg Baki! Të përgëzoj për gjithë mundin e shtrydhur e vetëmohues që arrite të nxjerrish në dritë revistën “Kosova”, që ndryshe do ta quaja si vazhdimësi nga Rilindësit, pra një maratone e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Rumani. (Hasan Qyqalla, 31/10/09). Përshëndetje, i nderuari z. Baki Ymeri! Edhepse nuk njihemi, desha të Ju përshëndes nga zemra ime me një dlirësi të pastër vëllazërore! Vet puna, kontributi dhe angazhimi i Juaj, për të mirën e kulturës mbarëkombëtare, më obligoi që së paku të Ju përshëndes dhe të Ju përgëzoj për punën që po e bëni në vazhdimësi, me një forcë dhe elan të paepur prej krijuesi dhe veprimtari të spikatur atdhetari! Uroj që të keni shëndet dhe t' i realizoni me sukses ëndrrat e Juaja jetësore! Me respekt dhe nderime të sinqerta vëllazërore, nga Demir Krasniqi (Gjilan, 5.11.09). I nderuar! Ndjeva gëzim të pashoq kur kuptova që po lind edhe një yll i ri i shqiptarizmës në Bukuresht, revista “Kosova”, një tribunë e pritur kahmoti për çdo dashamir që ndjen shqip, shkruan shqip, komunikon shqip dhe lexon shqip. Veprimtaria intenzive e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë na frymëzon dhe jep impulse të reja në diasporë, ngase jeni duke na treguar se drita e Rilindjes Kombëtare nuk është shuar, se patriotizmi i shqiptarëve të Bukureshtit po përcillet nga gjenerata në gjeneratë, dhe kontributi kulturor e historik trasohet me vlera të njëjta, sikur në kohën e Naimit, Samiut, Asdrenit. Zoti ju mbroftë për këtë punë të shkëlqyer. Me nderime, Mediar Leka (Norvegji, 17.10.2009).

(Këto ishin disa fragmente nga libri “Lokomotiva e Diasporës Shqiptare”. Pasojnë edhe poezi tjera kushtuar B. Y. (Neki Lulaj, Xhevat Muqaku, Liman Zogaj, Sadulla Zendeli-Daja, Ana Xh. Hoxha, Sami Sherifi, Hysen Këqiku, Namik Selmani, Elisabeta Gockaj, Gani Osmani, Pjetër Ndrecaj, si dhe konsiderata e mirënjohje nga Kosova, Shqipëria, Rumania dhe diaspora shqiptare. Libri përmbyllet me pasthënien time me titull “Një flakadan i shqiptarisë në trojet e Rumanisë”. Dedë Preqi)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat