Shaqir Salihu: Kushtuar mikut tim të dashur, profesorit të nderuar Riza Smaka

Diaspora

Shaqir Salihu: Kushtuar mikut tim të dashur, profesorit të nderuar Riza Smaka

Më: 4 janar 2021 Në ora: 06:34
Në fotografi, profesor Zymer Neziri, Shaqir Salihu dhe Prof. Dr. Riza Smaka, gjatë një vizite timen në Kosovë në prill të vitit 2019

Në llogarinë personale në rrjetin social Fb, mësimdhënësi e veprimtari i shquar shqiptar, Shaqir Salihu, autori i librit “Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës” me ikjen nga kjo jetë të profesorit të nderuar nga Kosova, Riza Smaka, ka lënë një dedikim mjaft të veçantë për të.

Kushtuar mikut tim të dashur, profesorit të nderuar Riza Smaka, shkruan Shaqir Salihu i cili jeton prej dekadash në Virginia (SHBA).

Viti 2020, të cilin shumë shumë vetë e kanë cilësuar si viti që na solli Koronavirusin Covid-19 dhe që mori miliona jetë njerëzish, po e thyente qafën dhe pothuajse tërë njerëzimi po prisnin me padurim Vitin e Ri 2021 me shpresë se po lind një dhjetëvjeçar i ri, me shpresa të reja dhe me bindje te thellë se njerëzimi po shkonte përsëri drejt një jete normale. 

U zgjova vonë sepse e prita Vitin e Ri me familjen time këtu në afërsi të Uashingtonit. Sapo u zgjova mora telefonin e zgjuar që ruan e shënon çdo gjë, dhe aty në Facebook gjeta dhjetëra e dhjetëra mesazhe urimi për Vitin e Ri nga miq, farefis e dashamirë. Kur papritmas me shkuan sytë te një mesazh që tërë gëzimin e harenë e Vitit të Ri e shndërroi në pikëllim. Lajm i trishtë. Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm profesori universitar dhe njohësi i së drejtës, Riza Smaka. Profesori i njohur, ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011. Mbeta gojëhapur. Paska ndërruar jetë shoku im i klasës në Gjimnazin e Pejës, Prof. Dr. Riza Smaka. Por jo thjesht një shkok i mirë i klasës nga i cili të gjithë kemi përfituar nga zgjuarsia dhe niveli i tij intelektual, por një profesor me vlera e virtyte të larta intelektuale, profesionale dhe kombëtare. 

Për të shkruar për shokun tim të klasës, profesorin e madh Riza Smaka, nevojiten faqe të tëra dhe këtu nuk është as vendi e as koha e duhur, por dua thjesht të njoftoj me pak fjalë miqtë e mi se me humbjen e Prof. Dr. Riza Smaka, shteti ynë i ri humbi një intelektual të madh që punoi aq fort për çështjen tonë kombëtare. Ai i takon brezit të artë të intelektualëve të shumtë që dha Rugova në vitet 60, 70, 80 e të cilët lanë gjurmë në zhvillimin e Kosovës deri në lirinë dhe pavarësinë e saj. Kishim një respekt të ndërsjelltë. E dinte se isha arratisur në Itali dhe prej Italisë në Amerikë. Për vendimin tim për të braktisur atdheun, të cilin e lashe nën flakën e pan-sllavizmit serb, profesor Smaka nuk ishte edhe aq i kënaqur, sepse njeriu gjithmonë kontribuon më shumë për atdhe nëse jeton e vepron aty. Megjithatë, profesor Smaka, nëpërmjet një mesazhi fort të shkurtër, një herë m’i kishtë shkruar këto fjalë të arta:

“Shaqë, kurdoherë ishe i pathyeshëm e vullnetfortë. Nderime për ty shoku im i nderuar i fëmijërisë sonë idealiste, nacional-romantike me plot vuajtje e mundime, por kurdoherë të mbushur me shpresë e krenari.” 

Këto fjalë të mira të tij i kam ruajtur shumë vjet sepse kanë dalë nga një shpirt i madh prej një idealisti të kalibrit të tij të veçantë dhe një njeriu fisnik e shumë trim. Smaka ishte shumë i gjallë. Anëtar i Komisionit Kushtetutar për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të miratuar më 1990 në Kaçanik. Një nga katër konsulentët kosovarë për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të miratuar në vitin 1997. Anëtar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të miratuar, në Prishtinë, në vitin 2008. Ai ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Ai mbajti edhe shumë e shumë funksione të ndryshme në Republikën e Kosovës. Por profesor Smaka do të mbahet mend si njeriu që kurrë nuk u pajtua me vendimin e Kuvendit të Kosovës për t’i dhënë Malit të Zi tetë mijë e ca hektarë tokë të Kosovës, përfshirë këtu Çakorrin tonë të dashur.

Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës!

U prehtë në paqe miku im i dashur, Prof. Dr. Riza Smaka!

Në Uashington, 3 Janar 2021

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat