Fondi humanitar në Treviso, shpresë e siguri në hallet dhe vështirësitë e mërgimtarëve

Diaspora

Fondi humanitar në Treviso, shpresë e siguri në hallet dhe vështirësitë e mërgimtarëve

Nga: Gëzim Muçolli Më: 4 korrik 2021 Në ora: 15:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Ka vite që në memorien kolektive të mërgatës shqiptare në Itali, emri i qytetit Quinto di Treviso është rrënjosur si simbol i atdhetarisë dhe humanizmit në vepër të veprimtarëve të mirëfilltë të cilët veprojnë te shoqata e njohur kulturore “Shën Nëna Terezë”.

Fillimet e aktiviteteve të këtyre mërgimtarëve ishin të lidhura me themelimin e Shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe e cila brenda një kohe të shkurtër krijoi standard të ri me zgjerimin e pjesëmarrjes së shumicës së fëmijëve në klasat ku mësohej me vullnet gjuha jonë e bukur.

Prindërit e nxënësve të vegjël ishin dhe vazhdojnë të jenë forca dhe përkrahja më madhe në realizimin e projekteve të shumta kulturore të cilat tashmë janë bërë pjesë e programit të veprimtarive shoqërore të udhëheqjes së komunës Quinto di Treviso.

Shoqata shqiptare “Shën Nëna Terezë” në mbledhjen e mbajtur në pjesën e parë të këtij viti pas analizës së veprimtarisë mjaft të suksesshme në periudhën paraprake hyri në një proces të riorganizimit me qëllim të funksionalizimit sa më të mirë dhe të koordinimit  me synim të realizimit të një niveli më të lartë të integrimit të komunitetit shqiptar në suaza të shoqërisë dhe institucione italiane duke i dhënë rast vlerësimit dhe konsolidimit të  identitetit gjuhësor dhe kulturor të mërgatës në provincën Treviso , rajonin Veneto e më gjerë.

Me këtë rast u aprovua edhe statuti definitiv i Shoqatës e cila edhe deri më tash është dëshmuar pozitivisht me pjesëmarrjen e saj aktive dhe ka vepruar si një urë ndërmjet organeve  institucionale italiane dhe komunitetit kosovar në veçanti dhe komunitetit të emigrantëve në përgjithësi, përmes takimeve institucionale, pjesëmarrjes në tryezat bilaterale, konsultime, etj.

Shoqata Kulturore Humanitare “Shën Nëna Terezë” nga Treviso si edhe më parë do të vazhdojë të promovojë dhe favorizojë iniciativa të reja që përmirësojnë përfshirjen dhe integrimin duke i dhënë vlerën identitetit kulturor, përmes promovimit dhe mësimit së gjuhës dhe kulturës italiane dhe shqipe.

Poashtu ajo kërkon dhe propozon mënyra të reja për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve që eventualisht mund të rëndojnë mbi komunitetin duke ndihmuar anëtarët e regjistruar në Shoqatë  në mënyrë zyrtare dhe solidale  në raste vështirësie dhe në veçanti për të lehtësuar riatdhesimin në Kosovë në të gjitha rastet e nevojës së domosdoshme. Kohëve të fundit po angazhohen në rast nevoje në bashkëpunim me organe publike dhe private që veprojnë në sektorin social për të ndihmuar të miturit  kosovarë të paprindër  të pranishëm në territorin italian.

Kryesia e shoqatës për anëtarët e regjistruar ofron edhe mundësinë e ndihmës në trajtimin e procedurave administrative, formularëve relativë (leje qëndrimi për punë, bashkim familjar, etj.) duke i shoqëruar në raste të veçanta në të njëjtat zyra ku duhet. Poashtu do të sigurojë për të interesuarit edhe konsulencë ligjore, fiskale, ligjore në bashkëpunim me qendrat kompetente të asistencës, dhe përcjellje gjatë kryerjes së tyre për raste të veçanta.

Një risi e madhe është edhe krijimi i një Fondi Humanitar në kuadër të kësaj shoqate. Nga historiku i veprimit të kësaj shooqate dihen mirë rastet e humanizmit shembullor të anëtarëve të saj të cilët para çdo sfide, fjalën vështirësi e kanë shëndërruar në fjalën solidaritet duke u angazhuar në vetën e parë për t'iu dalur në ndihmë çdo bashkatdhetari tonë në situata të jashtëzakonshme si në raste të sëmundjes, vdekjes së anëtarëve të familjes, tragjedive kombëtare si tërmeti që goditi Shqipërinë sidomos në Rrethin e Durrësit apo edhe ndihma solidare për Fondin e Regjionit Veneto për t' i përballuar pasojat e pandemisë Covid-19 të shkaktuar nga Coronavirusi. Ishte shembullore pritja dhe falenderimi që bëri kryetari i Regjionit Veneto z. Luca Zaia për delegacionin e afaristëve të dalluar shqiptar nga provinca Treviso të prirë nga kryetari i Shoqatës z. Bajram Desku.

Shoqata, duke u mbështetur në burimet financiare të saj, ka krijuar  Fondin Humanitar, menaxhimi i të cilit i është besuar  Komisionit të prirë nga kryetari i Këshillit Drejtues të Shoqatës “Shën Nëna Terezë” z. Bajram Desku dhe tre anëtarëve tjerë: Bedri Suka, Hetem Zogaj dhe Albert Bashota.

Një nga qëllimet kryesore të Fondit është ndihma e anëtarëve në kryerjen e të gjitha veprimtarive burokratike-administrative, logjistike dhe të transportit, të nevojshme për riatdhesimin në Kosovë të të afërmve të tjerë që vdesin në Itali. Në këtë rast, parashihet që përveç mbështetjes organizative, Shoqata do të kontribuojë financiarisht duke dhënë një kontribut ekonomik prej 2,000.00 Euro (dy mijë / 00) për secilin të afërm të vdekur.

Sipas statutit ,Kryetari i Këshillit Drejtues, rastet të veçanta ku konstatohen  kushte të vështira të familjes, të cilëve u duhet kontributi financiar, mund të vendosë për ta rritur atë fillestare prej 2000 euro në mënyrë të pavarur me një shumë shtesë prej 3,000.00 Euro (tre mijë / 00). Për qëllime të hyrjes në parametrat e shfrytëzimit në rast nevoje të Fondit humanitar, të afërmit e ngushtë duhet të kuptohen ekskluzivisht si: pasardhës, bashkëshortë, vëllezër, motra, të afërm të të njëjtit gradë, xhaxhallarë dhe nipa.

Shoqata Kulturore Humanitare “Shën Nëna Terezë” ka zgjedhur këshillin drejtues të ri në këtë përbërje: Bajram Desku kryetar;  Hetem Zogaj n.kryetar i parë;  Bedri Suka  n.kryetar i dytë;  Ramadan Rukolli sekretar;  Bekim Spahiu  arkatar.  Anëtarë të tjerë të kryesisë janë: Nazim Morina;  Albert Bashota;  Arton Gjokaj;  Musa Ahmetaj;  Gazmend Bytyçi;  Njazi Pirku;   Muamer Murtezani (organizator i grupit të valleve folklorike). Për menaxhimin e informacioneve të Shoqatës dhe Fondit Humanitar në rrjetet sociale dhe në mediat e shkruara është caktuar Gëzim Muçolli.

Fondi Humanitar i Shoqatës “Shën Nëna Terezë” do të menaxhohet në mënyrë të drejtë dhe çdo shkelje ose keqpërdorim do të pasojë shkarkimin automatik të personit përgjegjës dhe  denoncimi në bazë të përgjegjësisë penale në prokurori të Republikës italiane dhe do të shpallet publikisht emri i tij. Komisioni është i detyruar të jep përgjegjësi dhe llogari për gjendjen financiare të Fondit çdo tre muaj.

Të drejtë regjistrimi në fond kanë të gjithë mërgimtarët tonë jo vetën në Treviso por edhe nga gjithë territori i Italisë.Shuma vjetore për çdo familje është 120 euro dhe paguhet një herë në vit.Shfrytëzues të fondit në rast nevoje do të jenë të gjithë ata që janë regjistruar duke paguar kuotën e regjistrimit vjetor(120 euro). Përveq tjerash Komisioni menaxhues i Fondit Humanitar do të sigurojë kompaninë e transportit të trupit të pajetë në rastet tragjike.

Nga e gjithë kjo del se krijimi i këtij fondi është njı hap i pritur dhe i nevojshëm duke marrë parasysh eksperiencën e familjeve shqiptare në momentet më të vështira kur të rrënuar nga pikëllimi dhe vështirësitë ekonomike të shkaktuara edhe nga kriza ekonomike para dhe gjatë pandemisë, kanë pasur edhe probleme për të riatdhesuar kufomat e më të dashurve.

Këto ditë po vazhdon interesimi i mërgimtarëve tonë për tu bërë pjesë e këtij fondi i cili sigurisht se do t'iu lehtësojë barrën në momente pikëllimi dhe të humbjes së personave të dashur të familjes. Pagesa e anëtarësimit në fondin humanitar mund të bëhet vetëm nëpërmjet pagesës në bankë apo në postë në llogarinë bankare Unicredit me këtto koordinata bankare:  Codice BIC Swift UNCRITM1A17  Filiale Treviso Selvana (04017)  Iban : IT 65 Q 02008 12017 000106140819 Per Associazione Culturale “Shën Nëna Tereze” di Treviso.

Për krijimin e fondit është njohtuar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë dhe Konsullata e përgjithshme e Kosovës në Milano dhe vetë ambasadorja kosovare , Sh,S, zonja Lendita Haxhitasim ka përshëndetur dhe lavdëruar krijimin e Fondit Humanitar dhe është ndër të parët që ka paguar një kontribut të konsiderueshëm financiar për këtë Fond kaq të nevojshëm dhe të rëndësishëm për nevojat e komunitetit të mërgimtarëve tonë në Itali.

Image
Image
Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat