Në Stokholm u promovua romani “Fëmijë në luftë”

Diaspora

Në Stokholm u promovua romani “Fëmijë në luftë”

Nga: Shyqeri Sejdijaj Më: 2 tetor 2021 Në ora: 14:30
Kopertina

Në ambientet e ambasadës së Republikës së Kosovës në Suedi, dje në Stokholm u bë promovimi i romanit ”Fëmijë në luftë” të shkrimtares së re Dafina Buçinca, e cila jeton dhe vepron poashtu në Suedi.

Promovimi u bë me nisiativën e ambasadores Shkëndije Geci Sherifi ku veç pjesëmarrësve tjerë ishin të pranishëm edhe stafi i Ambasadës së Shqipërisë në Stokholm, të prirë nga ambasadori Virgjil Kule.

Fjalën hyrëse e mbajti ambasadorja e Kosovës Shkëndije Geci Sherifi. Ajo përgëzoi autoren e romanit për forcën krijuese duke na sjellë kështu rrëfimet e dorës së parë nga ngjarjet shumë prekëse të luftës së fundit në Kosovë.

Publicisti Shqiptar Oseku foli për rëndësinë që ka trajtimi i temave të luftës në letërsi.

Ndërkaq gazetari Shuquri Sejdijaj foli për romanin e shkrimtares Dafina Buçinca. Ngjarjet e romanit tha ai, janë mjaft prekëse dhe përfshijnë një periudhë të ndjeshme që ka kaluar Kosova nën shtypjen e regjimit serb, një periudhë të mbijetesës e deri te shpërthimi i luftës ku dita ditës popullësia civile po e vuante heroikisht.

Fokusi i romanit përqendrohet te një familje fshati në Drenicë ku lufta kishte nisë më herët se gjithëkund tjetër në Kosovë dhe në jetën e kësaj familje përthyhen të gjitha trajtat e manifestimit të gjendjes së përgjithshme që kishte prekë popullësinë shqiptare të Kosovës.

-Romani ”Fëmijë në luftë” është një libër që të rrëmben nga faqeja e parë dhe nuk të lëshon ti ndahesh deri në pikën e fundit. Madje do thoja se është një libër që edhe pasi ta kesh mbaruar së lexuari nuk të lë rehat.

Frika e luftës nuk zhduket pas arritjes së paqës. Shumë nga ata që kanë përjetuar luftën bartin për kohë të gjatë edhe traumat që shkakton lufta.

Për tu liruar nga frika e përjetuar në luftë ose për ta lehtësuar at dhembje rruga më e mirë është të shkruash dhe të tregosh përjetimet tua.

Dhe këte Dafina Buçinca me romanin e saj ”Fëmijë në luftë”, e bën në mënyrë të mrekullueshme, megjithëse i bie ta përjetojë luftën për herë të dytë, tha gazetari Shuquri Sejdijaj.

Dhe në fund të pranishmve ju drejtua autorja Dafina Buçinca e cila i falënderoi për vlerësimet e bëra me këtë rast dhe theksoi se jo rastësisht kishte zgjedhur 1 tetorin si ditë për ta promovuar librin e saj.

"Kjo ditë shënon 24 vjetorin e demonstratave studentote të vitit 1997 të cilat kanë pasë një efekt të madh në historinë e re të Kosovës. Ende i kam të freskëta kujtimet e asaj dite, dhe para syve më dalin dy figurat më të dashura për mua, Nana dhe Baba. Baba me aparatin e vogël të radios duke dëgjuar lajmet e mbrëmjes, kurse Nana e ulur afër tij, por krejt e humbur në kujtime, me dorën e vendosur në faqe, qan në heshtje, e vetëdijshme për atë që po na priste. Dhe kush do ta mendonte se pikrisht me këtë datë, 24 vite më vonë, do të ndodhesha në Stokholm për të promovuar romanin tim të parë!.. Dhe romani im i kushtohet  jo vetëm kësaj date, por luftës sonë për liri, fëmijërisë sime pa babë dhe Nanës që ishte nënë dhe baba për mua, tha ndër tjera shkrimtarja Dafina Buçinca.

Veprimtarinë e djeshme e bën edhe më të këndshme dy të rinjë, Doruntina Hasani dhe Ené Sherifi duke interpretuar si dy profesionistë të vërtetë dy-tri pika muzikore të luajtura me kitarë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat