Bilbilat e Labërisë në skenat e mbretërisë

Diaspora

Bilbilat e Labërisë në skenat e mbretërisë

Sejmen Gjokoli Nga Sejmen Gjokoli Më 8 dhjetor 2021 Në ora: 18:15
Bilbilat e Labërisë në skenat e mbretërisë

Namuri është një nga qytetet më të spikatur në pjesën frankofone të Belgjikës, është qendra administrative e rajonit Walloon i konsideruar gjithashtu si kryeqyteti i Wallonisë.

Ka një popullsi me rreth 110 mijë banorë por për shkak të aseteve të shumta turistike e historike mbetet shumë i frekuentuar nga vizitorë e turistë nga çdo anë e botës.

Për shkak të këtyre atraksioneve ai mbetet i ngjashëm me shumë qytete të Europës ku tradita dhe historia vijnë prej shumë  shekuj të shkuar.

Përveç francezëve, si kudo në Belgjikë, edhe këtu jetojnë komunitete të ndryshme ku, njëri prej tyre tani po konsiderohet edhe ay shqiptar.

Rreth gjashtë mijë shqiptarë gjenden aktualisht  të vendosur  në Namur dhe ka plot 5 vite që ata tani përfaqësohen nga Shoqata " Nëna Tereza" e cila i ka dhënë një dimension të ri integrimit të këtij komuniteti në të gjithë jetën e qytetit.

Adnan Rexhepi është kryetari i shoqatës, lindur në Preshevë e rritur në Prishtinë por që prej 22 vitesh është vendosur në këtë anë të Belgjikës duke u bërë një veprimtar i madh i çështjes shqiptare.

Së bashku me Arian Bajraktarin, një tjetër veprimtar i pa lodhur nga Malësia e Madhe, ata kanë hapur edhe shkollën shqipe ku mësojnë fëmijët e shqiptarëve po edhe belgë që duan të mësojnë shqip.

Ariani është drejtori i shkollës "Faik Konica" , kështu e kanë emërtuar atë, dhe ka shtatë vite që me përkushtim të jashtëzakonshëm së bashku me shoqatën kanë arritur të realizojnë një shkollë shqipe me tre nivele

 Programin e kanë hartuar në bashkëpunim me ministritë e diasporës të Shqipërisë e Kosovës dhe aktualisht ka pesë klasa për të vegjël dhe dy klasa për të rritur.

Shoqata " Nëna Tereza" gjatë këtyre viteve ka realizuar mjaft aktivitete kulturore por edhe me bazë sociale e humane, në Shqipëri e Kosovë.

Falë interesimit dhe punës së kësaj shoqate po edhe përpjekjeve individuale të Adnanit e Arianit qyteti i Namurit ka realizuar një marrëdhënie binjakëzimi e bashkëpunimi me Malësinë e madhe ku vetëm pak kohë më parë prej këtij qyteti belg kanë arritur në inventarin e Bashkisë së Malësisë së Madhe mjaft ndihma humanitare e ku spikat dhurimi i një  mjeti zjarrfikëse  por edhe një autoambulancë për spitalin e qytetit.

Në fokusin e shoqatës janë edhe aktivitetet me karakter kulturor e artistik ndërkohë që aktiviteti i këtij viti shënon një kulm të veprimtarive e jetës së saj.

Aktiviteti i nëntorit të këtij viti ju kushtua nderimit dhe kremtimit të Ditës së Pavarësisë Kombëtare por edhe figurës legjendare të heroit Adem Jashari i cili ditën e lindjes e ka pikërisht në datën 28 nëntor, në ditën e madhe të flamurit.

Grupi “Bilbili” i Vlorës u bë pjesë e këtij manifestimi kulturor falë prezantimit të tij te organizatorët nga dashamirësit e vlerave të trashëgimisë shpirtërore jugore, gazetarit Ramazan Çeka dhe drejtueses së shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, Rita Kalaj Shkurtaj.

Organizatorët e kishin menduar që dita e 28 Nëntorit, si dita simbol i Pavarësisë të përcillej si Konferencë Historike titulluar: "Adem Jashari, simbol i qëndresës, frymëzues i lirisë’’ po edhe si koncert i madh festiv me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe grupeve folklorike nga Shqipëria e Kosova.

Pjesën e ligjëratave e përfaqësuan Prof.Dr Nusret Pllana, Prishtinë, Prof. Lukë Junçaj, USA dhe gazetari belg Michel De Maegt të cilët, me dokumente, dëshmi dhe foto të kohës, hodhën dritë mbi luftën heroike çlirimtare dhe rolin e legjendarit, sakrifikuesit, vetëflijuesit e motivuesit, Heroit tonë Kombëtar Adem Jashari.

Pjesën koncertore e hapën nxënësit dhe mësuesit e shkollës shqipe “Faik Konica”  të Namurit të cilët edhe me prezencën dhe aktrimin  e jashtëzakonshme të aktorit të madh kosovar, Çun Lajçi, realizuan një tablo koreografike drithëruese kushtuar tragjedisë dhe heroizmit të familjes Jashari.

Në 150 vjet jetë e aktivitet, Teatri Mbretëror Namur ishte e para herë që frymon i tëri shqip.

E para herë që ulëset një mijë vendesh "pushtohen" nga shqiptarët, e para herë që në skenë interpretohen e nderohen të dy himnet kombëtare, ai belg e shqiptar, e para herë që nën ritmin e këngës " Xhamadani vija-vija" kënduar nga Leonora Jakupi skena të mbushet me rrathë vallesh nga vajza e djem shqiptarie.

Këngëtarja simbol e Dardanisë, Leonora Jakupi  e këndoi edhe këtu këngën “A vritet pafajësia” e kthyer në himn për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës njëzetë e dy vite më parë dhe që përsëri krijoi emocione të fuqishme mes shqiptarëve të Belgjikë.

Grupi Folklorik  ‘’Xhubleta e Alpeve Shqiptare’’ nga Malësia e Madhe udhëhequr nga Rita Kalaj Shkurtaj, përveç madhështisë e veçorisë së xhubletës solli edhe disa këngë e rite traditash luajtur nga anëtarët këngëtarë, valltarë të e instrumentistë të grupit.

Xhubleta e Alpeve, veshja tradicionale e grave fisnike të malësisë së veriut tregoi edhe një herë se mbetet ndër veshjet më të veçanta dhe autentike të etnografisë shqiptare, veshje që vjen si trashëgimi kulturore nga shekujt dhe që meriton të certifikohet si atraksin i rrallë trashëgimie botërore “Made in Albania”.

Grup folk "Bilbili" i Vlorës duket se ishte edhe “qershia mbi tortë” apo e veçanta mes aktorëve të tjerë përbërës të këtij koncerti.

Jo vetëm se në këtë ditë të madhe të kremtimit të Pavarësisë ata vinin pikërisht nga qyteti i Pavarësisë por edhe se fustanellat e bardha si bora përndritën skenën dhe sallën plot lozha e ornamente të Teatrit Mbretëror të qytetit..

E para herë që Xhubleta e Malësisë dhe Fustanella e Labërisë bëhen bashkë në një skenë kaq shumë të veçantë ndërkombëtare por edhe e para herë që Iso-Polifonia shqiptare jehon në një skenë të jashtëzakonshme e kaq shumë antike, siç është pikërisht skena e këtij Teatri  Mbretëror.

Në Belgjikë kemi ardhë,

Nga Vlora me det e valë,

Bashk' me grupin e Malsisë,

Ti këndojmë Pavarsisë,

Dhe burrave të lirisë.

"Nënë Tereza" shoqatë,

Në Belgjikë na bëri bashkë,

Bashkë do jemi përhera,

Me Xhubletë e Fustanella.

Kjo ishte kënga e parë e bilbilave të Labërisë që bëri të shpërthejnë në duartrokitje e ovacione platea dhe lozhat rrethore të teatrit antik.

Pastaj kënga për Epopenë e Jasharajve dhe komandantin legjendar Adem Jashari  e cila merrte kuptimin e vërtetë kur në sale, mes qindra kosovarëve, kishte ardhur për tu bërë pjesë e aktivitetit edhe Murat Jashari, nipi i Heroit Kombëtar.

Emocione të fuqishme krijoi edhe kënga–valle, e famshmja e Vranishtit të Vlorës, “Prapa më vjen historia”, një nga këngët më simbolike të polifonisë labe kushtuar Pavarësisë Kombëtare dhe flamur ngritësit të saj, Ismail Qemali.

Kështu kënduan në skenën e Mbretërisë, bilbilat e Labërisë.

Të gjitha këto ndodhën në Namur të Belgjikës në 28 Nëntor 2021.

Bërë të mundur nga Shoqata " Nëna Tereza" dhe Shkolla "Faik Konica", Namur e ku falë tyre sytë e bashkëkombësve në këtë ditë u drejtuan jo vetëm në Vlorë ku është ngritur Flamuri Kombëtar dhe në Prekaz ku ka lindur Heroi ynë Kombëtar Adem Jashari  por edhe në Teatrin Mbretëror të qytetit, mbushur plot e përplot me shqiptarë.

Kjo, falë gjithashtu vullnetit dhe përkushtimit të dy veprimtarëve të pa lodhur për çështjen shqiptare, lindur andej e këtej Drinit, Adnan Rexhepi e Arian Bajraktari.

Faleminderit vëllezër shqiptarë që na pritët e nderuat me aq shumë bujari e dashuri!

Mirë u pafshim në aktivitete të tjera ku shpirti dhe trashëgimia shpirtërore shqiptare do të derdhet edhe më furishëm në  këngën e vallen e popullit!

Image
Bilbilat e Labërisë në skenat e mbretërisë
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat