Festimi i Buzmit bujar në Malmo të Suedisë

Diaspora

Festimi i Buzmit bujar në Malmo të Suedisë

Nga: Zymer Kuqaj Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 12:40
Festimi i Buzmit bujar

Të shtunën në mbrëmje më 18 dhjetor në ambientin e Qendrës kulturore të Kosovës në Malmö të Suedisë u festua kremtja e Buzmit bujar, veçantia e Kërshëndellave shqiptare. 

Festa u mbajt nën organizimin e Lidhjes së shoqatave shqiptare "Iliria" në Suedi. Festën e hapi Murat Koci, kryetar i LSHSH. Tubimin e  përshëndeten prof Muhamet Shatri aktivist për shumë vite në Suedi dhe Niklas Karlsson (S) deputet në parlamentin suedez. 

Referatin kryesor e mbajti Ismail Rugova. Ai foli për historikun e Buzmit bujar, festës së vjetër mijëvjeçare pagane tek shqiptarët që daton nga ilirët, që është ruajtur deri në kohën tonë në Shqipërinë e veriut dhe në Kosovë. Në mënyrë të veçantë kjo festë është ruajtur të shqiptarët e besimit katolik e që festohet në natën e kërshëndellave, atëherë kur koha "këndellet për së mbari" kur drita fillon të mbarën dhe e mund terrin (natën).

Festa e Buzmit bujar është simbol paqeje. Paqë në mes njërzve, shtazëve dhe bimëve. 

Ishte për çdo lëvdat edhe rregullimi i skenonografisë nga aktivistët e qytetit të Malmö-s. Ishte një ambient i ngrohët dhe tipik shqiptar. 

Këtij aktiviteti i dhanë hijeshi bashkëatdhetarët tanë që kishin bërë qindra kilometra rrugë. Në mesin e shumë mysafirëve ishin Joakim Zandell, Niklas Karlsson dhe Adnan Dibrani, të tre deputet në parlamentin suedez. Blerta Hoti dhe Sedat Arif, nënkryetar komunal (kommunalråd) e Göteborg-ut dhe Malmö-s. 

Ishte një aktivitet i përgatitur mirë,  më pjesëmarrës të të gjitha moshave. Një publik i larmishëm për nga profesioni dhe njërz të integruar mirë në shoqërinë suedeze. Edhe imtësia më e vogël kishte vlerë në këtë aktivitet. Ardita Ukaj doli nga publiku dhe e mahniti publikun më zërin e saj prej sopranoje. Të njëjtën gjë e bëri edhe politikanja numër një nga opozita në qytetin e Göteborg-ut, Blerta Hoti. Kësaj mbrëmje i dhanë vlerë më praninë e tyre edhe dy artiste. Njëra nga fusha e filmit, Fortesa Hoti dhe tjetra nga fusha e arteve figurative, Antoanette Noja Birkenborg.

Ky ishte aktiviteti i fundit i LSHSH "ILIRIA" për këtë vit që u moderua për mrekulli nga dy gjimnaziste simpatike Erva Qaili dhe Elma Dalipi.

Image
Festimi i Buzmit bujar, Malmo, Suedi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat