Me nderime të larta u përcoll për në banesën e fundit, atdhetari Bajrush Imer Krasniqi

Diaspora

Me nderime të larta u përcoll për në banesën e fundit, atdhetari Bajrush Imer Krasniqi

Nga: Dashnim Hebibi Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 21:29
Ceremonia e varrimit

„Ushtria kroate e nderoi edhe në përcjellje për në banesën e fundit dhe duke gjuajtur me armë në varreza për nder të jetës dhe veprës së të ndjerit. Gjatë tërë kohës ushtarë kroatë rrinin afër arkivolit të mbuluar me flamurin kroat dhe anash, flamuri ynë kombëtar kuq e zi dhe ai i Kosovës në anën e djathtë. Përveç shumë personaliteteve shqiptare dhe kroate, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, z.Martin Berishaj.

Data 08.02.2022, në varrezat në Mirosevac, Zagreb ishte shumë e dhimbshme. I ndjeri u përcjell nga organet më të larta shtetërore. Nga ushtria e Republikës së Kroacisë, ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci z. Martin Berishaj, z. Esad Çollaku - kryetar i Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, z. Tom Kaqinari - kryetar i luftëtarëve në Kroaci, z. Behar Mullajupi - kryetar i SHKSHK Shkëndija, znj. Miriam Deponte - ish ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Kroaci me bashkëshortin z. Romeo Deponte i cili ishte më parë ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, kryetari i Lidhjes shqiptarëve në Botë, dega në Kroaci, z. Sahit Tashevci.

Gjithë këta ishin të pranishëm me familjet e tyre dhe poashtu përfaqësuesit e shoqatës së grave shqiptare të Zagrebit " DRITA", kryetari i Bashkësisë shqiptare Zagrebit, z. Sejfedin Prekazi, Frok Prekpalaj nga shoqata „HASI“, si dhe shumë përfaqësues të shoqatave tjera, që veprojnë në Republikën e Kroacisë. Poa shtu shumë familjarë nga e gjithë Europa e Kosova si dhe miq të z.Bajrush të të gjitha trevave shqiptare, më pastaj ishin edhe stafi spitalit „Jordanovac“ në Zagreb, ku punon vajza e të ndjerit, zonjusha, Kaltrina dhe ku shpesh ishte mjekuar i ndjeri.

Image
Ceremonia e varrimit

Nuk është e lehtë të ndash fjalë për një reportazh të shkurtër për një atdhetarë, që e ka shkri jetën për paqe e liri. Nuk besoj, se ka bashkëkombës, që jeton në Zagreb e gjithë Kroacinë, që nuk e ka njohur z.Bajrush. I urtë, i qetë, i sjellshëm, fjalë pak, por veprues në të mirën e paqes. Ditë më parë, konkretisht më 02.02.2022, u nda nga kjo jetë në Zagreb afër familjes së tij të ngushtë për të shkuar në përjetësi dhe duke e lënë bashkëshorten, vajzën e djalin me mall e dhimbje, por në anën tjetër krenarë, që patën një bashkëshort e baba të tillë.

Kush ishte Bajrush Krasniqi?

Bajrush Krasniqi u lind me 29.03.1936 në fshatin Llashka Drenoc, komuna e Malishevës. Rrjedh nga një familje e pastër, që është mësuar të fitoj me djersë e të jetojë, nga baba Imeri dhe nana Fatime. Shkollën fillore e kreu në fshatin Caralluke si nxënës i shkëlqyeshëm. Duke mos ditur as një fjalë të gjuhës serbo-kroate, ai e mori guximin pa as një frikë dhe e drejtoi rruga për në Sarajevë, ku është regjistruar në shkollën ushtarake. Pas mbarimit të shkollës së mesme ushtarake si nënoficer aktiv, në vitin 1958 e dërguan për të shërbyer në kazermën: “Spanskih dobrovoljaca” në Trsat, Rijekë.

Pas katër viteve të shërbimit, kushtet e vështira e detyruan të kërkon demobilizim. Ishte këmbëngulës dhe njëherit vullneti dhe dëshira për të investuar në vete, sepse investim në vetvete është pasuria më e madhe iu dha mundësia për të jetuar në kryeqytetin e Kroacisë në Zagreb. Këtu regjistroi fakultetin e Shkencave Politike ku arriti titullin Profesor obrane i zastite i osnova marksizma i teorije i prakse samoupravnog socijalizma. Gjatë studimeve është punësuar në Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë në “Opcina Centar” në Zagreb dhe punoi deri në pension.

Aty ka kryer disa funksione:

- këshilltar profesional në planet e mbrojtjes, bashkëpunëtor profesional për oficerë rezervë dhe shpërndarja e rekrutëve në njësitë e mbrojtjes civile të komunitetit lokal. Me datë 01.01.91 emërohet bashkëpunëtor profesional- kreu i Qendrës në Sekretariatin e mbrojtjes në “ Opcina Centar” dhe disa funksione tjera deri në pension.

Është dekoruar nga ish presidenti i Republikës së Kroacisë, Dr. Franjo Tuđman me Memorialin të Luftës Atdhetare

Memoriali i Luftës Atdhetare është një dekoratë e Republikës së Kroacisë, e cila zë vendin e shtatëmbëdhjetë në sekuencën e rëndësishme të dekoratave kroate. Përbëhet nga shenja e Memorialit në një shirit trekëndësh, një shenjë e vogël e Memorialit dhe një zvogëlues i përkujtimit. Nga gjeneral Zvonimir Cervenko iu është nda lavdërim për punën dhe kontributin e dhënë në mbrojte te qytetit te Zagrebit dhe Republikës së Kroacisë gjatë luftës atdhetare 1990/92.

Image
Ceremonia e varrimit

Po ashtu iu është ndarë statusi: Hrvatskog branitelja iz domovinskog rata - dragovoljca. Tregoj fisnikërinë dhe humanitetin ndaj njerëzimit duke dhuruar disa herë vullnetarisht gjak. Në vitin 2016, është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani me “Dekoratën e artë të shqiponjës” .Dhe kështu 66 vjet në kurbet, prej tyre 62 në Kroaci- Zagreb, ku u shkollua, veproi, punoi dhe jeton me familje me bashkëshorten Melihatēn pejane dhe dy fëmijët, vajzën Kaltrinēn e cila kreu Masterin për infermiere dhe punon në KBC në Zagreb dhe djalin Ardianin ekonomist i diplomuar.

Sikur ta pyeste dikush Bajrushin sa ishte gjallë, se ku ke dëshirë të varrosesh?

Ai me shumë nostalgji dhe me ndjenja te papërshkrueshme përgjigjej! Me borxh e kemi ti kthejmë eshtrat aty ku janë gdhendur! Eeehhhh sikur të ishte e mundur, gjysmën e trupit në vendlindje, e gjysmën tjetër në Zagreb, se këtu e kalova pjesën më të madhe të jetës dhe e ndjej si vendlindjen e dytë! Gjithë kjo jetë me suksese. Z.Bajrush, ky shembull i së mirës, që i rrinte në krah gjithmonë, zonja Melihate dhe menjëherë, vajza dhe djali, e bënin edhe më të lumtur dhe krenarë. E në sytë e tij shiheshin gëzim, sheh shpresë për ditë të mira në tokat shqiptare dhe paqe në gjithë botën. Mbante me shumë zemër medalje e mirënjohjet në shtëpi dhe thoshte, se medaljet nuk dua që ti mbaj me vete, por ato janë arritur me punë e vepër dhe ti shërbejnë të gjithë atyre, që duhet kontribuar për të mirë.

Ai është i nderuar në Zagreb e gjithë Kroacinë. Të gjithë e nderonin. Zonja Melihate dhe z.Bajrush, ishin gjithnjë në takime që organizohen në Zagreb e më gjerë nga komuniteti ynë, ata gëzohen kur shohin suksese, gëzohen kur shohin gjeneratat e reja që po korrin suksese dhe gëzohen, që miqësia shqiptaro kroate gjithnjë e më shumë po forcohet. Z.Bajrush mendonte, se do të duhej të jemi edhe më punëtorë, që të arrijmë suksese, sepse jeta është shumë e shkurtë. Të çmohemi mes veti, të jemi unikë dhe të ecim te para. Sado që të flitej për këtë personalitet do të ishte e pamjaftueshme. Një duhet përmendur, se do të mbetet në zemrat e atdhetarëve kroatë e shqiptarë. Sepse syri i tij nuk dinte se çka është frika, duke e mbrojtur Kroacinë mike në përgjithësi.

Edhe pse po jetojmë në këtë kohë pandemie, shumë personalitete morën pjesën për ti dhënë lamtumirën e fundit. Ja se çka tha në emër të familjes, djali i të ndjerit Ardiani, para të pranishmëve, në mes lotësh e dhimbjeve. Zonja e të ndjerit mbante një lule të kuqe në dorë së bashku me vajzën e tyre, ku na jepte të kuptojmë, se shpirti i tij ishte lule në këtë botë dhe do të jetë aromë luleje në botën e përjetësisë. Ku të ndalem mes shkronjash për të shkruar për të ndjerin, që pata nderin ta takoj disa herë në Zagreb. Ai kurrë nuk mungonte edhe atë bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.  Ja fjala lamtumirëse e djalit të të ndjerit kur pritej të përcillet për në banesën e fundit, z.Bajrush.

I dashuri babë, zemra jonë, shpirt, loçka jonë, mbreti ynë, kryefamiljari ynë!

U ulem dhe po mendonim, se si t’ia fillojmë. Dora nuk mundet, zemra nuk deshti, truri mbizotëronte. Ah more babë, ende nuk po besojmë që ty po ta dedikojmë këtë letër. Ti që e ke dashur aq shumë jetën si askush në këtë botë! Ti, që ishe fryma jonë, busulla jonë, arsyeja pse na u zgjoheshim çdo mëngjes.

Si të vazhdojmë ne tani? Kujt ti drejtohemi, nëse do të kemi ndonjë pyetje të pa qartë? Ti na ke mësuar të gjitha. Ti na ke shpjeguar çdo term të mundshëm që ne nuk e kuptonim. Ti ishe enciklopedia e gjithanshme.

“Vaj si qenka ba dynjaja, me tu bo mos me kenë gjallë, unë i mjeri fukaraja, paskem ndodhum pa igball. Gjithë prej hallit e sikletit, mu bo borxh me dal me tretë, mora rrugën e kurbetit, selametin për me gjet…”

Ah sa shumë e këndofshim këtë këngë së bashku në shtëpi. Vargjet e këngës që përshkruajnë rrugëtimin tënd të jetës, që nga mosha e re kur je larguar nga vendlindja jote Llashka Drenoc, drejt shkollës ushtarake në  Sarajevë. Ke shkuar pa ditur asnjë fjalë të gjuhës kroate dhe ke arritur të shkosh drejt kazermës së Rijekës në Trsat. Aty ke ushtruar për katër vite si nënoficer dhe pastaj ke ardhur në Zagreb, ku ke regjistruar fakultetin e shkencave politike dhe arrite titullin Profesor obrane i zastite i osnova Marksizma i teorije i prakse samoupravnog socijalizma. Gjate studimeve je punësuar në Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë në OpCina Centar, ku ke kryer disa funksione:

- këshilltar profesional në planet e mbrojtjes

-bashkëpunëtor profesional për oficerë rezerve dhe shpërndarja e rekrutëve në njësitë e mbrojtjes civile të komunitetit lokal

-bashkëpunëtor profesional- kreu i qendrës në sekretariatin e mbrojtjes në “ OpCina Centar” dhe disa funksione tjera deri në pension.

Je dekoruar nga ish presidenti i Republikës së Kroacisë Dr. Franjo Tuđman me Memorialin te Luftës Atdhetare, po ashtu edhe nga gjeneral Zvonimir crvenko, ishe luftëtarë në luftën atdhetare në mbrojtjen e Republikës së Kroacisë. Disa herë tregove fisnikërinë dhe humanitetin ndaj njerëzimit duke dhuruar vullnetarisht gjak. Je dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani me “Dekoraten e artë të shqiponjës”. Kujtimet që i kaluam së bashku do të mbesin në zemrat tona. Do ti ruajmë gjithmonë! E mbajmë në mend dhe me shumë dashuri, sa herë që vinim nga shkolla Lina e unë ti na prite me atë buzëqeshjen tënde të ngrohtë. Na përqafoje me ato duart tuaja që na rriten dhe na putheshe me loçkën e shpirtit të pastër, që ke pasur.

Gjithmonë na ke bë me dorë nga dritarja sa here, që shkonim në shkolle. Kur u rritëm kjo tradita vazhdoi tutje edhe kur shkonim në pune, po tani do të jetë mami, që do vazhdon traditën tënde e me ty flasim shpirtërisht. Babë, ku po shkojmë? Ku dush Ardi. A po shkojmë në New York? Aiii, Melihat këqyrE qa po fol Ardi? A dojmë me shku? Lina qa po thua? Eh more BABË, kurrë s’na ke prish. Gjithmonë ke qenë gati t`na plotësosh dëshirën dhe na i plotësove. Udhëtimet tona do të jenë për ne shkëndija që të vazhdojmë tutje. Do vazhdojmë me planet që kemi patur dhe do ti realizojmë që të gjitha. Së bashku ne të 4 si gjithmonë! Vozitjet tona me makinë, shëtitjet tona në sheshin e luleve çdo të shtune, kafet e mëngjesit, drekat tona të përbashkëta, bombona Negro, cheeseburgera, akullore Snjeguljica, këngët që i këndonim së bashku në shtëpi, vallëzimet tona të këndshme, nuk do të kenë më të njëjtën shije pa ty, por ne do ti kujtojmë gjithmonë vetëm me dashuri të gjitha ato momente që i kaluam së bashku. Katërshi i famshëm të pa ndashëm. Si katër gomat e kerrit që nuk ndahen kurrë!

Rruga jonë nuk është më e njëjtë! Kosova, Kroacia, Zagrebi, Jaruni kanë humbur një yll në tokë, por tani babe ti do na ndriçon nga qielli.

Ke qenë modest, i urtë, zemër të mirë dhe njeri optimist në çdo moment të jetës. Buzëqeshja jote konstante, që rrezatonte nga ti ishte për ne gjithçka. Vetëm një shikim i yt ishte mjaftueshëm që ta dimë se çdo gjë në këtë botë do të jetë në rregull. Tek ti kem gjetur sigurinë, bujarinë, pozitivitetin dhe dashurinë.

Ti je një diell dhe do të jesh me ne përherë! Kur të kanë pyetur se ku ke dëshirë të varrosesh, me plotë emocione përgjigjet: Ehhh, kjo është një pyetje e rëndë, por pasi që 64 vite jetoj në Zagreb dhe se Zagrebin e di si vendlindjen e dytë, kemi vendosur, që t`më varrosin këtu pranë familjes edhe pse me borxh e kemi që eshtrat ku janë gdhendur t`ia kthejmë vendlindjes. Çdo vit me datën 02.02, do ta shënojmë jetën tënde, që ke pasur.

Do të mundohem të mos të qajmë, por ti kujtojmë vetëm momente të bukura, që i kaluam së bashku. I lutemi zotit, që t`na fal vetëm pak nga ato virtytet, që i ke pasur ti, sepse pastaj edhe bota do të jetë një vend më i bukur në të ardhmen. Babë i dashur: Të qoftë toka e lehtë e Kroacisë, të qoftë e lehtë dheu i Zagrebit e Kosova le t`na fal, që nuk e dërguam trupin tënd në vendlindje!

Jemi krenar dhe mburremi me ty që të patëm në jetë. Gjithmonë do të jesh në zemrat dhe mendjen tonë. Lamtumirë babë deri sa të takohemi përsëri. Të dojmë përgjithmonë, mami, Lina e Ardi! Një fjalë lamtumirës e mbajti edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, z.Martin Berishaj duke ngushëlluar familjen dhe gjithë të pranishmit në emrin e tij dhe të shtetit të Kosovës. Krejt në fund, imami ( teologu) Hafiz Aziz Alili, që vepron në Zagreb, bëri lutjet, që i takojnë fesë islame për të treguar, se z.Bajrush tash më është drejtuar përjetësisë dhe lutemi, që të jetë njëri nga banorët e parajsës, familjes durimin dhe gjithë atyre që e kanë njohur të ndjerin. shqiptarisë, Zagrebit e gjithë Kroacisë, do ti mungoje shpirtërisht ky atdhetarë, por veprat e tij do të mbesin të gjalla për jetë të jetëve. Buzëqeshja e tij origjinale, shpirti i tij i bardhë do të rrezatojnë brez pas brezi. Pusho i qetë i nderuar, e shpirti yt bëftë dritë në parajsë. AMIN!

Image
Bajrush Imer Krasniqi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat