Vlerat shqiptare të një shoqate mërgimtare

Diaspora

Vlerat shqiptare të një shoqate mërgimtare

Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 07:30
Remzi Basha

Shoqatat shqiptare të diasporës vijojnë me veprimtaritë letrare dhe atdhetare, për të afirmuar vlerat e bashkatdhetarëve tanë gjithandej në botë. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi dallohet me manifestime të panumërta kulturore, duke ndjekur shembullin e shoqatave tona në kohën e rilindësve tanë, të vatrave tona atdhetare që funksiononin në Egjypt, Konstantinopojë, Sofje, Bukuresht, Amerikë e gjetiu. E drejtuar nga presidenti Hysen Ibrahimi, shoqata respektive transmeton mesazhe përparimi intelektual dhe progresi letrar, duke afirmuar krijimtarinë e poetëve, artistëve dhe eseistëve tanë në trojet e Skandinavisë. Pratagonistë të manifestimve letrare e artistike janë shkrimtarë dhe poetë të shquar me një krijimtari dinjitoze.

Merita elementare i përket presidentit të shoqatës, e cila u ka ndarë Dekorata për merita letare dhe atdhetare, shkrimtarëve Muzafer Osmani, Luigj Shkodrani, Ismet Krasniqi-Lala, Fadil H. Curri, Armir Kelmendi, Sami Hyseni, etj. Në kuadrin e manifestimeve të shumta bëhet fjalë edhe për Zonjën Valdete Kryeziu, tashmë e ndjerë, e cila kishte lënë porosi që pensionin e saj të fundit jetësor ta dedikonte për Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Profesoresha Kryeziu ishte një intelektuale nga Prizreni, e cila ka qenë mbështetëse e shoqatës sonë në Suedi, duke e vlerësuar lartë punën e anëtarëve të saj. Nga një bisedë me motrën e saj, Myvedete Kryeziu Basha, për veprimtarinë e së cilës shkruhet në faqet e librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi,  Zonja Valdete kishte insituar që pensionin e saj ta dhuronte për Shoqatën “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Nga artikujt e Zt. Hysen Ibrahimi kuptojmë se Zt. Rrahman Rrahmani e ndau Dekoratën “Papa Klementi” për znj. Valdete Kryeziu (postmortem) dhe znj. Myvedete Kryeziu Basha, si dy intelektuale të shquara, kontributdhënëse në të gjitha proceset për arsimin e Kosovës, iniciatore të shumë nismave për çështje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, humaniste të veçanta, si dhe si mbështetëse të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Ndërkohë, kryetari i Shoqatës, Zt. Hysen Ibrahimi, shprehu ngushëllime për Zonjën Valdete Kryeziu, duke e çmuar lart gatishmërinë e dy motrave për të kontribuar për shoqatën, duke thënë se vetëm personalitete dhe intelektuale që rrjedhin nga familje të ngritura dhe atdhetare, dinë të vlerësojnë dhe të çmojnë librin dhe përpjekjet për botimin e tij. Znj. Valdete Kryeziu, ishte një ndër intelektualet e para të Kosovës.

Valdetja kishte lindur në Prizren, e rritur në një familje atdhetare, e edukuar për arsimin shqip. Kishte qenë në rradhët e studentëve të parë të Kosovës që kanë ndjekur studimet e larta të mjekësisë në kuadër të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Beograd. Ajo kishte diplomuar më 1973, si studente më e dalluara. Në moshën 22 vjeçe ishte kthyer në Kosovë, duke dhënë kontribut të madh, duke ngritur shumë gjenerata në Shkollën e Mesme të Mjekësië “Luciano Motroni”, deri në pensionimin e saj. Ajo kishte qenë një grua vizionare dhe e kishte vlerësuar shumë shkollimin dhe edukimin e fëmijëve. Nga Zt. H. Ibrahimi kuptojmë se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, do të vazhdojë të identifikojë figura që kanë kontribuar për kombin shqiptar, në të gjitha kohërat dhe të shkruaj për to, si dëshmi e gjurmë që do të mbeten për gjeneratat e ardhshme.

Nga artikujt e kryetarit të shoqatës të ribotuar në faqet e revistës „Shqiptari”, kuptojmë se doli nga shtypi libri i poetit Bahri Shyti, i titulluar “KUSH TROKET”. Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”: „Duke e ditur se poezia, me anë të shprehjes, zbulon shumë për opinionin dhe qartëson kuptimin dhe idenë e secilit poet për lëvizjet e kohës, ngjarjet e jetës dhe interesat kombëtare, duke qëndruar fuqishëm mbi artet e tjera në fushën e krijimtarisë. Kështu, siç duket, poeti Bahri Shtyi e ka kuptuar mjaftueshëm këtë ide dhe me përsosmëri të lartë ka arritur të krijojë vargje nga më të ndryshmet, madje me një përsosmëri të natyrshme. Kjo arritje e tij plotëson autorin Bahri Shyti, brengën e tij të kahershme për të publikuar nëpërmjet vargut atë që e ka pasur si brengë në jetë, pra, për t’i publikuar vargjet e tij për lexuesit, pse jo për t’i lënë dëshmi historiografisë shqiptare idenë preokupuese të shprehur nëpërmjet poezisë.”

E tërë poezia e poetit Bahri Shyti, sipas vlerësimeve të Zt. H. Ibrahimi, sillet rreth një boshti të çelikosur, e ky bosht është BOSHTI POETIK E PATRIOTIK i tij, që është i pathyeshëm. Mbi të gjitha është poet që mbështetet në idenë, vizionin e porosinë e tij, në përpjekje kulturore, artistike e patriotike. „Sigurisht është edhe një porosi e madhe e poetit për pushtuesin serbo-sllav (pushtues barbar, me forcën brutale e kriminale, duke vrarë, burgosur dhe detyruar shqiptarë për t’u shpërngulur nga trojet e veta stërgjyshore, donte t’i shtypte të gjithë ata intelektualë që kishte vërejtur se janë atdhetarë dhe të palëkundur për idealet e tyre, e në mesin e tyre ishte edhe vetë poeti Bahri Shyti), se jeni  pushtues i pafuqishëm kundër vrullit të një populli, e po ashtu edhe kundër poetit Shyti, i cili do t’i këndojë dhe do t’i shkruajë të këqijat e pushtuesit dhe, sigurisht, në anën tjetër t’i madhërojë fitoret dhe gëzimet e tij për Shqipërinë, Dardaninë, Çamërinë, Iliridën dhe mbarë trojet etnike shqiptare, si në vendlindje, ashtu edhe në mërgatë.”

Thesari Kombëtar i vlerave të shquara shqiptare

Nga artikujt e presidentit të shoqatës kuptojmë se emri i Prof. Fetah Bahtirit në Suedi, nuk nënkupton vetëm një veprimtar, atdhetar, humanist, krijues, gjuhëtar e jurist i mirë, por sa herë që përmendet ky emër nënkuptojmë se kemi të bëjmë me një figurë të madhe emblematike që di t´i drejtojë faktet, por edhe ta përcaktojë rrugëtimin e veprave me vlera të mëdha kombëtare e njerëzore. Ai, jo vetëm veprat e tij personale, por edhe veprat e shumë krijuesve që janë përcaktuar në rrugën e krijimtarisë dhe publicistikës i ka vlerësuar përmes recensioneve, opinineve, punimeve shkencore e kujtimeve të tij.  „Në veprat e tij, çdoherë si lëndë të parë i hasim e i gjejmë ato shkrime që kanë rëndësi historiografike nga veprimtaria njerëzore e shpirtërore e që të gjitha të botuara, të dëshmuara e të promovuara vite më parë. Me fjalë të tjera e tërë krijimtaria e pasur e tij, është rezervuar për të lënë gjurmë të pashlyera për të ardhmen e historisë shqiptare. Në realitet ai çdo herë ka vendosur për të shkruar atëherë dhe vetëm atëherë, pasi që ka vlerësuar se puna e tij do hyjë në përdorim si material i rëndësisë së veçantë për historinë shqiptare. Kështu ai tanimë është shndërruar si një faktor në mesin e krijuesve që e rrethojnë në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi dhe më gjerë, me punën e tij si metodë dhe mënyrë e trajtimit të veprave pubicistike, letrare e shkencore, duke qenë çdo herë objektiv në analizën e fakteve.”

Para disa muajve, Shoqata shënoi dhjetëvjetorin e veprimtarisë së saj të begatshme në fushën e krijimtarisë letrare dhe artistike.

“Në këtë ditë të madhe jo vetëm për krijuesit e vyer të kësaj shoqate, morën pjesë një numër i madh edhe i mbështetësve dhe donatorëve që ishin shtyllë e fortë për mbarëvajtjen dhe aktivitetin përmbajtjesor të këtij asosacioni krijues. Në fillim të këtij evenimenti me një minutë heshtje u nderuan anëtarët që tashmë kanë shkuar në amshim. Libri “Thesari Kombëtar” është një enciklopedi për shqiptarët në Suedi. Pas përshëndetjes që ua bëri të pranishmëve nikoqiri i këtij tubimi të rëndësishëm, Rrahman Rrahmani, arkëtar i Kryesisë, fjalën e mori Kryetari i kësaj shoqate Hysen Ibrahimi, i cili ndër të tjera tha se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi, gjatë një dekade ka botuar njëmbëdhjetë libra të “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi” me mbi shtatë mijë faqe material me vlerë e peshë kombëtare.”

Nga shkrimet e Zt. Hysen Ibrahimi kuptojmë se në këta libra janë përfshi i gjithë aktiviteti i madh, mundi e sakrifica e njerëzve vullnetmirë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Është fond i gjerë i këtij libri që tashmë janë arkivuar edhe në arkivat shqiptare dhe në institucionet më

të larta shtetërore në Kosovë, Shqipëri, Iliridë por edhe në bibliotekat dhe në shkolla suedeze. Më tej thuhet se ky “Thesar” është një enciklopedi për shqiptarët në Suedi, ndaj në historinë tonë kombëtare vend të rëndësishëm duhet të këtë edhe kjo shoqatë dhe kjo vepër e madhe që do të mbaj gjurmë të një aktiviteti të madh të zhvilluar nga bashkatdhetarët tanë në këtë vend të largët.

Vlen të ripotencohet faksi se model më i mirë se si punohet për atdhe dhe si duhet atdheu. “Bashkimi i mendjeve të ndritura të shqiptarëve rreth Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi, për dhjetë vjet pune e aktiviteti ka ndikuar në pasurimin shpirtëror e mendor të mërgatës shqiptare kudo në botë, duke kultivuar kulturën, artin, gjuhën, traditën dhe historinë, si argumenti më i mirë për të vazhduar këtë rrugë të trasuar nga gjeneratat e ardhshme. Kjo shoqatë mbajti në këmbë krenarinë kombëtare dhe vlerat e larta shqiptare. Me punën e juaj të madhe, në të mirë të kombit dhe atdheut.”

Image
Remzi Basha
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat