U ekzekutua në Ekuador, arrestohen 11 “ushtarët” e Ergys Dashit në Torino, mes tyre dhe shqiptarë

Diaspora

U ekzekutua në Ekuador, arrestohen 11 “ushtarët” e Ergys Dashit në Torino, mes tyre dhe shqiptarë

Më: 8 prill 2022 Në ora: 07:31
Ergys Dashi

Një operacion i policisë italiane ditën e djeshme ka çuar në pranga 11 persona, mes tyre edhe shqiptarë duke shkatërruar një grup kriminal që merreshin me trafik droge. Kreu i këtij grupi ishte Ergys Dashi, i cili është ekzekutuar në 22 janar të këtij viti në Ekuador, teksa gjatë hetimeve u kapën dhe u sekuestruar 80 kg kokainë dhe 7 kg marijuanë me vlerë në treg prej 4.5 milion euro.

Referuar publikimeve të  medieve italiane, 11 të arrestuarit janë shtetas italianë, shqiptarë dhe polakë, ku gjykata ka caktuar masën e sigurisë 'arrest me burg' 6 persona, 3 të tjerë në arrest shtëpie dhe 2 detyrim paraqitje.

Droga kishte si destinacion për shitje veriun italian, Slloveninë, Holandën, Zvicrën dhe Gjermaninë, me makina që i modifikonin për fshehjen e drogës. Sipas autoriteteve italiane, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal.

Kush ishte Ergys Dashi?

Ergys Dashi kishte lidhje me Plarent Dervishaj, kunati i Lul Berishës dhe Eldi Dizdarin, të dy të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të strehuar në Dubai, si vendi ku strehohen kriminelët shqiptarë për shkak se qeveria shqiptare nuk ka marrëveshje ekstradimi me autoritete në Dubai.

Dervishaj ka qenë i akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit, ndërsa Eldi Dizdari njihet për lidhjet mes bosëve të drogës në Amerikën Latine dhe kishte lidhje shumë të forta me Ndraghetën, dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ku raportohet se jeton në Dubai, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk lejuan ekstradimin e tij drejt Belgjikës.

E madje, Dashi në vitin 2014 është arrestuar nga policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona. Trafiku i heroinës drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi 3-vjeçar nga autoritete italiane në Pulia. Transporti i drogës, heroinë e cilësisë së shkëlqyer, bëhej përmes makinave të modifikuara. Droga shitej me një çmim konkurrues, si për të lejuar fitime të mëdha për ata që e blenë lëndën narkotike nga grupi i Dashit.

Si u ekzekutua Ergys Dashi?

Ekzekutimi ka ndodhur 22 janar në orën 19:00, kur një nga autorët ka hyrë brenda lokalit me synimin për të ekzekutuar Ergys Dashin, ndërsa tjetri e priste jashtë me motor për ta larguar. Autori mbante një buqetë me lule në duar, për t'u ruajtur nga kamerat e sigurisë së barit, dhe teksa i është afruar me vrap tavolinës ku ndodhej Dashi ka nxjerrë armë dhe ka qëlluar për vdekje durrsakun, ndërkohë që miku në tavolinë me Dashin ka tentuar të qëllojë autorin me karrige, por është zmbrapsur pasi autori vijonte të qëllonte me armë edhe teksa largohej me vrap jashtë lokalit.

“Mos ndërhy, mos ndërhy,”- rezulton t’i kenë thënë atentatorët njërit prej punonjësve, duke i treguar dhe armën që mbanin në brez. Të trembur, punonjësit janë zmbrapsur e vrasësit kanë vijuar rrugën për të mbyllur “porosinë”. Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 gëzhoja. Sipas medieve në Ekuador, dyshohet se Dashi është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe se prishja e pazareve të drogës të jetë shkak i ekzekutimit të tij nga bandat rivale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat