“Diaspora ka dhënë ndihmë të pakursyer në rrugën e vështirë të Kosovës për liri e pavarësi”

Diaspora

“Diaspora ka dhënë ndihmë të pakursyer në rrugën e vështirë të Kosovës për liri e pavarësi”

Nga: A.M. Më: 26 prill 2022 Në ora: 20:58
Ganimete Shala dhe Tanja Fajon

Kandidatja shqiptare për deputete në Slloveni, Ganimete Shala ka shpalosur rolin e diasporës shqiptare në shtetin slloven.

Ajo në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se shqiptarët janë të integruar në shoqërinë sllovene, duke shtuar se organizimi i diasporës shqiptare është në nivel shumë të lartë.

“Diaspora shqiptare në Slloveni është një diasporë aktive dhe shumë e vyeshme. Përveç si diasporë, ajo para së gjithash është pjesë e rëndësishme dhe plotësisht e integruar e shoqërisë sllovene. Gra e burra të shkëlqyeshëm që ushtrojnë profesione fisnike të mjekut, inxhinierit, artistit, afaristit, ndërmarrësit, mësuesit e infermierit etj. Po ashtu, këtu kemi brezat e rinj që ndjekin shkollimin e universitetin, duke bërë kështu krenarë prindërit, familjen e shoqërinë, për punën e zellin e tyre. Organizimi i diasporës nëpër shoqata kulturore është një dimension tjetër i rëndësishëm. Gjithnjë jam përpjekur dhe përpiqem që të japë kontributin tim në aktivitete të ndryshme që organizohen nga shoqatat, të cilat funksionojnë nëpër qytete të ndryshme në vend”, deklaroi Shala.

Sipas saj, diaspora ka kontribuuar shumë dhe i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe Kosovës në rrugën e saj për liri dhe pavarësi.

“Në përgjithësi, diaspora e Kosovës ka dhënë mbështetje të madhe e ndihmë të pakursyer në rrugën e vështirë të Kosovës për liri e pavarësi. Edhe diaspora këtu ka qenë e organizuar, sidomos nga vitet e ’90-ta e tutje, për ta ndihmuar kauzën e Kosovës, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e tyre”, theksoi Ganimete Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat