Mërgimtari shqiptar dhe intensiteti i dashurisë së parë

Diaspora

Mërgimtari shqiptar dhe intensiteti i dashurisë së parë

Nga: Baki Ymeri Më: 26 korrik 2022 Në ora: 12:43
Kopertina e librit

Përse dashuria e parë është e paharrueshme? Përveç puthjes së parë, edhe dashuria e parë shfaq një botë tjetër për ne. Na ndihmon të zbulojmë aspekte të reja të jetës që do të na shoqërojnë gjithmonë. Edhe pse ka kaq shumë gjëra të reja për të përjetuar në jetë, ka momente të cilat nuk mund t’i harrosh: Ti - rrushi i vreshtës/ Unë - elbi i vjeshtës/ Përqafimi ynë do të ishte/ Shiu i mbrëmjeve të ngrohta/ Çdo ditë do të bëhesha i gjatë / E më i gjatë, duke u afruar me ty/ Unë do të shikoja retë që kalonin/ Si fshihen hijet në fytyrën tënde. (Dy ngjyra)

Dashuria është gjithmonë një ndjenjë e veçantë, por ajo e para është një përvojë unike. Për mirë apo për keq kjo marrëdhënie e vërtetë, e bukur apo e shëmtuar, shoqërohet me ndjenja frike, kurioziteti dhe emocione të reja. Ndoshta nuk zgjat, por do t’na bëjë të ndiejmë një përzierje emocionesh të ndryshme që janë të vështira për t’u shpjeguar. Përse dashuria e parë nuk harrohet kurrë? Kush pat thënë vallë/ Se s’harrohet dashuria e parë/ Se e pashë dritën në tokë/ Dhe se u linda edhe unë/ Të shoh se si po kaloni!/ Të shëndetshëm dukeni/ Si po kaloni me lumturinë?/ Faleminderit! Mos më pyesni!/ Nuk kam kohë për përgjigje./ Mezi kam kohë për të bërë pyetje./ Por mua më pëlqen këtu/ Është ngrohtë, është bukur/ Dhe aq shumë dritë / Saqë bari po rritet./ Dhe ajo vajzë, këtu/ Me shikon me shpirt.../ Jo zemër, mos harro/ Të më duash! Megjithatë/ Një kafe të zezë do ta pi/ Nga dora jote./ Më pëlqen që din ta bësh/ Të ëmbël...! (Dashuria e parë)

Vargjet e Remzi Bashës tregojnë se dashuria e parë është e fuqishme. Herën e parë që biem në dashuri ndjejmë sikur i përkasim pjesës më të mirë të botës. Kuptojmë se kujdesemi për personin tjetër shumë më tepër sesa mund të kishim imagjinuar. Megjithë, konceptin tonë të dashurisë, herën e parë që e provojmë, zbulojmë një botë me mundësi të pafundme të romancës, emocionit, por edhe të frikës. Asgjë nuk na duket siç na e kanë treguar të tjerët, ndaj i mbajmë kujtimet në mendjen tonë përgjithmonë. Zemra që thyhet për herë të parë është një nga emocionet më të forta: Do të të prekja, e dashur,/ Me shkëndijën e një mendimi/ Ti, me natën në këmishë/ Më bërtitët, megjithëse në heshtje./ Dhe që atëherë i kam mbuluar sytë/ Ditët e dashurisë së parë vijnë/ Me palosjen e një fustani të bukur/ Që ti e vesh vetëm për mua...! (Me natën në këmishë)

E vetmja gjë që përjetohet me të njëjtin intensitet si dashuria e parë është ndarja e parë. Në shumicën e rasteve, një ndjenjë ankthi shoqërohet me kujtime për atë që dikur ishte partneri yt. Nuk është e pazakontë që ndarja e parë të jetë më e dhimbshmja gjithashtu. Nuk ka rëndësi nëse historia përfundon keq ose miqësisht. Thyrja e zemrës dhemb. Nëse mendoni për zhgënjimin tuaj të parë në dashuri, gjithnjë do ndjeni dhimbje për humbjen e përjetuar. Fundi i lidhjes së parë të dashurisë është i vështirë sepse duhet të braktisim ndjenjat që më parë na dukeshin magjike. Dashuria e parë është e pafajshme. Të biesh në dashuri për herë të parë është një akt i pafajësisë totale që rritet pak nga pak, pa e kuptuar: I mbledh retë në rrethin e tyre/ Dhe unë i marr ato hua/ Ndërsa unë të çmend/ Vetëm një minutë!/ Më pas shfaqesh/ Duke buzëqeshur pa djallëzi/ Nga pagjumësia prej kadifeje/ Kullon burimi i mallit të ëmbël/ Në mënyrën time... (Të pre se duhet të vish)

Dashuria e parë nuk është diçka që e planifikon. Bëhet edhe më e veçantë sepse ndodh papritur. Pasi dashurohemi për herë të parë, jemi më të vetëdijshëm për atë që kërkojmë në marrëdhëniet e ardhshme. Kjo do të thotë se edhe në lidhjet e ardhshme do përpiqemi të gjejmë ndjesi të ngjashme me atë të parën. Përgjithësisht kjo është arsyeja pse ne veprojmë ose mendojmë në një mënyrë të caktuar kur kërkojmë partnerin tjetër pas ndarjes. Shoqërohet me momente të tjera që përjetohen për herë të parë. Kur dashurohemi, personi special që do bëhet burim frymëzimi dhe motivimi që të eksperimentojmë me gjëra të reja. Ai person bëhet dëshmitar i disa prej ndryshimeve tona dhe në një farë mënyre është mbështetja jonë e parë pozitive.

Dy shembuj shumë të qartë janë puthja e parë ose përvoja e parë seksuale. Padyshim, janë herët e para ato që mbesin të ngulitura në kujtimet tona, edhe nëse janë momente të pakëndshme. Kjo është edhe hera e parë kur e shohim botën si “ne” dhe jo më si “unë”. Edhe nëse kemi provuar tashmë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një grupi ose një çifti, me dashurinë e parë ndiejmë për herë të parë kuptimin e emërtimit “ne”. Herën e parë që marrim një vendim me mirëkuptimin e të dyve, jo vetëm të vetes. Në këtë moment kuptojmë me të vërtetë se cdo të thotë “ne”. Pra, kuptojmë se ç’do të thotë fjala kompromis.

Ja ndjenja që e përfaqëson rininë! Me kalimin e viteve, kur mendon për dashurinë e parë nuk do të thotë me patjetër që po kujtojmë personin e parë që dashuruam. Shumicën e kohës kujtojmë kohën dhe rininë tonë. Kujtojmë ëndërrimet, pafajsinë e veprimeve dhe ndjenën e pastër, madje edhe përjetimet që e bënin jetën e dikurshme më të bukur dhe më të thjeshtë: Mbrëmë pashë në ëndërr/ Se të doja në gjumin tim/ Të thellë e të butë/ Ti ishe pranë shtratit tim/ Si gjahu i një rrufeje/ Në parajsën e paqes qiellore/ Nuk të braktisa dhe e di mirë / Se sa e hijshme ishe…/ Unë diku të kisha parë / Fytyrën dhe syrin tënd / Më të bukur se qielli/ Dhe e ndjeva erën e lules / Ti ishe lulja ime më e bukur/ E mbështetur në krahërorin tim/ Sonte pashë ëndërr që të dua/ Dhe pastaj papritmas u zgjova/ Nga gjumi im i çuditshëm… (Ëndërr)

Në dashurinë e parë nuk ka pendesa, edhe pse ato lidhen me këtë ndjenjë. Duke qenë simbol i rinisë, dashuria e parë mund të na kujtojë edhe çastet e mundësive të paskajshme dhe të paharruara. Ato momente në të cilat jeta jonë ishte një botë plot me gjëra të reja dhe emocionuese: E ndjej ende në buzë/ Aromën e dashurisë së parë/ Shije prej dredhëzash/ Dhe qershikëzash të ëmbla./ Herë pas here/ Nuhatjen e kaloj / Përmbi to/ Që të përjetoj/ Një dashuri të madhe/ E cila nuk vdes kurrë. (Dashuria që nuk vdes)

Poezia i transmeton ndjenjat në vargje. Ajo është një paletë e tërë ëndrrash. Poezia është ylber i vendosur në letër. Kur ke stilolaps e letër, ke diçka për të dhënë. Kjo vlente për dikurë, kurse tani letrën e zëvendëson kompiuteti. Poezia të lejon të ndihesh i qetë kur fluturon nëpër vargje dhe kur malli të rrethon. Poezia është aty ku pema lulëzon. Ajo është pranvera me freskinë e saj. Vargu i Remzi Bashës të qetëson. Poezia është aty ku je vetëm me mendimet e tua, duke krijuar vargje për për gjethet, lulet, borën, fluturat, femrat dhe ëndrrat. Metaforat kanë një rol dekorativ. Ato janë flakë dhe pasione që e mbjellin paqen, sublimen dhe lumturinë. Poeti ka një shpirt i pastër që gjithmonë din të përhapë dashuri! Përmes penës së tij ai bart fjalën e shenjtë dhe mendimin e tij në në botë.

Kur kujtojmë marrëdhënien tonë të parë, mendojmë gjithçka që mund të kishte ndodhur nëse do të kishim marrë vendime të tjera. Pas kësaj eksperience ndryshojmë. Efekti pozitiv që ka një person tek tjetri shpesh shënon rritje dhe zhvillim personal. Kjo varet nga përvojat e reja dhe nga përballja e frikërave të saj, ndërkohë që marrëdhënia e parë rritet. Dashuria e parë na ndihmon të formohemi si njerëz dhe të ecim përpara në botë. Duke qënë se është hera e parë që lejojmë dikë të ketë një ndikim në jetën tonë, kjo na bën të mos e harrojmë kurrë dashurinë e parë. Përfundimisht nuk mbetet tjetër për të thënë, edhe pse për dashurinë e parë mund të shkruhet një roman, autorit Remzi Basha i urojmë mirësearrdhje para opinionit me këtë vepër të re, interesante dhe mbresëlënëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat