Ky është shqiptari i arrestuar në Maltë, dogji së gjalli dy persona në Greqi dhe u mori 780 mijë euro

Diaspora

Ky është shqiptari i arrestuar në Maltë, dogji së gjalli dy persona në Greqi dhe u mori 780 mijë euro

Më: 20 gusht 2022 Në ora: 18:21
Ledjon Brakaj

Ledjon Brakaj, 36-vjeçari shqiptar i shumëkërkuar nga drejtësia greke për një krim makabër të ndodhur në ishullin Aegina, rreth 40 minuta larg Athinës, është arrestuar nga autoritetet në Maltë.

Brakaj dyshohet se vrau pronaren e tij pensioniste që kishte në pronësi një dyqan suveniresh, Irini Marmarino dhe nipin e saj Lambros Protonotarios brenda shtëpisë së të moshuarës në vitin 2015 dhe i grabiti atyre rreth 780,000 euro para cash dhe sende me vlerë.

Sipas mediave greke mënyra sesi Brakaj u mori jetën viktimave ishte mizore dhe brutale, pasi ata janë rrahur, torturuar dhe më pas janë djegur të gjallë. Mjeku ligjor nga Pireu, Elias Bogiokas u citua të thoshte asokohe se viktimat u sulmuan me shkelma, grushte dhe shkopinj e më pas u dogjën të gjallë.

Ndërkohë, mediat malteze kanë publikuar pamjet e arrestimit të 36-vjeçarit, i cili jetonte si banor i rregullt.

Policia e ka arrestuar dhe proceduar penalisht Brakajn në bazë të një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga Greqia marsin e kaluar.

Inspektorët maltezë Kurt Ryan Farrugia dhe Robinson Mifsud dëshmuan se Brakaj u arrestua pasi gjurmët e gishtave të tij përputheshin me ato të dërguara nga autoritetet greke.

Megjithatë, avokati i 36-vjeçarit, Franco Debonoi u kundërpërgjigj se kjo provë nuk u paraqit në gjykatë dhe për këtë arsye nuk duhet të mbështetet gjykata në të.

Ai paralajmëroi gjithashtu se emri i klientit të tij nuk përputhet me emrin e dhënë në urdhër-arrestin e lëshuar nga Greqia.

Mbrojtja nuk kërkoi lirimin me kusht dhe gjyqtari Noel Bartolo urdhëroi që Brakaj të lihej në paraburgim në pritje të një seance javën e ardhshme, gjatë së cilës do të diskutohen procedurat e ekstradimit në Athinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat