Luçia Nadin ligjeroi në Mestre mbi marrëdhëniet shqiptaro vendikase në mesjetë

Diaspora

Luçia Nadin ligjeroi në Mestre mbi marrëdhëniet shqiptaro vendikase në mesjetë

Nga: Gëzim Muçolli Më: 21 tetor 2022 Në ora: 23:46
Pamje nga ligjerata

Venecia me shkëlqimin e saj është e njohur në gjithë botën si qytet i veçantë plot famë për historinë, artin, detin, lagunën, urat dhe turizmin. Dikur ishte qendra e shtetit të fuqishëm dhe quhej Republika e Venedikut apo “Repubblica Serenissima” e cila ka lënë gjurmët e veta jo vetëm në verilindjen e Italisë por edhe në mesdhe e veçanërisht te popujt e Adriatikut ku ndërlidhjet midis Venecias dhe Shqipërisë kishin jo rrallë paralele të ngritje-zbritjeve të ujit të mirënjohura të këtij qyteti i cili bashkëjeton me ciklin e jetës midis detit dhe tokës.

Duke ecur kalleve të gurta të këtij qyteti që ruan me xhelozi arkitekturën mesjetare, nuk janë të parëndësishme gjurmët e shqiptarëve të ngulitura nbi materien dhe ndërgjegjjen historike venecjane. Trembëdhjetë rrugica brenda qytetit quhen “Calle degli Albanesi”. E poashtu edhe shkolla e parë për të huajt ishte shkolla e shqiptarëve në Venezia e hapur në vitin 1448.

Edhe historia e kohës së luftës së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut kundër Turqisë ottomane dhe sulltanave ka shumë lidhje me Republikën e Venedikut dhe edhe sot është motiv dhe objekt studimi i historianëve bashkëkohorë nga Shqipëria dhe Kosova. Kurse në Itali, një nga zërat më autoritativ të shkencës historike dhe studimeve mbi Shqipërinë mesjetare dhe Skënderbeun është profesoresha e nderuar Luçia Nadin nga Venecia.

Profesoresha Nadin ka shkruar edhe libra të rëndësishëm si dhe ka mbajtur shpesh ligjerata me karakter shkencor para publikut italian dhe shqiptar. Ajo njihet edhe për vullnetin e saj të mirë dhe ndihmën dhe bashëpunimin me shoqatat kulturore të shqiptarëve të mërguar në Itali.

Kësaj radhe Qendra Kulturore “Candiani” që ndodhet në sheshin me të njëjtin emër në qytezën e Mestre-s (e cila bashkë me qytezën industriale Marghera njihen si pjesa tokësore e qytetit të Venecias), ishte e hapur dhe mikpritëse për publikun italian dhe shqiptar që mbushën Sallën e seminareve për të marrë pjesë në një ngjarje të nivelit të lartë kulturor në organizim të Universitetit Popullor të Venecias. Edhe mjetet e informimit në gjuhën italiane si dhe rrjetet sociale kishin njohtuar paraprakisht se aty të premten me 14 tetor 2022 do të mbahej një ligjeratë ku profesoresha Nadin do të fliste mbi temën  “Venezia dhe Shqipëria - një histori e lidhjeve shekullore”.

Kjo ngjarje kulturore e mirëpritur, sipas profesoreshës ishte edhe meritë e disa veprimtarëve nga komuniteti shqiptar i atyshëm ku dallohej sidomos angazhimi plot entuziazëm i zonjës Terezina Ashta e cila kishte punuar shumë vite si mësimdhënëse në qytetin e Shkodrës dhe ka mbi njëzet vite që jeton në Itali.

Këtë takim e hapi dhe udhëhoqi shkëlqyeshëm  Rina Vjerdha e cila nuk e fshihte as emocionin dhe krenarinë për prejardhjen e saj nga Shkodra , qytet verior i Shqipërisë i cili ka një histori të gërshetuar dendur të lidhjeve tregtare dhe shkëmbimeve kulturore fetare dhe ushtarake.

Pranë saj e ftuar nderi ishte edhe Sh.S. Zonja Majlinda Dodaj, ambasadore e  Republikës së Shqipërisë në Vatikan e cila duke marrë fjalën foli edhe për rëndësinë e bashkëjetes ndërfetare ndër shqiptarët e cila dëshmon nivele të larta tolerance, kulture dhe qytetarie si model i rrallë.

Në fillim të kësaj ligjerate  Xhoan Shkreli dhe Franz Gjoni, dy artistë shkodranë të mirënjohur në Venecia ekzekutuan pjesë muzikore me violinë dhe kitarrë të cilat u mirëpritën nga publiku.

Profesoresha Nadin ligjeratën e saj e shtriu në disa pika të rëndësishme duke filluar si bosht kohën e mesjetës dhe duke qenë në qendër  të Mesdheut e në Adriatik midis bregdetit venecjan dhe bregdetit shqiptar pati shkëmbime të vazhdueshme mallrash, njerëzizh, artistësh dhe personaliteteve fetarë: mundësoi të  krijohet një qarkullim kulture brenda të cilit futet edhe Shqipëria e qyteteve bregdetare, së pari Durrësi (nëpërmjet Via Egnazia) dhe pika e mbërritjes në Shkodër dhe më pas ishte edhe nisja nga deti i shumë produkteve të brendshme. 

Ajo pastaj foli edhe për Statutet e Shkodrës, si tekst i shkëlqyer që konsiderohen si  monument i qytetërimit mesjetar në Evropën Jugore, 
Por përparimi i pushtimeve osmane po shkonte duke prishur atë ekuilibër. Siç dihet  
më vonë për shkak të situatës ndodhi edhe Protektorati venedikas mbi Durrësin dhe Shkodrën.

Interesimin e publikut e nxiti edhe rrëfimi mbi Skënderbeun dhe koha e tij e luftërave për liri dhe rezistenca e lavdishme shqiptare si dhe rrethimet e Shkodrës deri në rënjen përfundimtare nën sundimin shumëshekullor turk.
Temë me rëndësi ishte edhe Migrimi në Venecia dhe politika integruese e zbatuar nga Republika e Venedikut. 

Vëmendje të veçantë profesoresha Nadin i kushtoi edhe këtë herë Artistëve shqiptarë në Venecia ku dallohen dy si më tipikët për kohën: Paolo Campsa dhe në të gjithë brendësinë e territorit venecjan sidomos për altarin nga drugdhendja në Quinto di Trevizo,etj, si dhe  Giorgio da Novomonte (Novo Brdo-Kosovë) në Mel (Belluno) .

Pas rënies së Shqipërisë nën pushtimin turk dhe migrimit masiv dhe marrjes në mbrojtje të shqiptarëve nga Republika Serenissima, në shekullin e 16-të në Venedik filloi edhe krijimi i Mitit të Skënderbeut (sidomos me vendosjen e Statujës së heroit kombëtar shqiptar në pruan e anijes më të madhe “Buçintoro” dhe me pikturat me motive nga Shkodra të artistit Paolo Veronese: në Palazzo Dukale në Venecia. 
Miti i Shkodrës që refuzon osmanët do të vazhdon të mbijetojë edhe në shekullin e 19-të: një pikturë të madhe në Treviso.
Një tjetër moment i rëndësishëm për të nënvizuar rëndësinë e mitit të Skënderbeut ishte edhe ekspozimi i armaturës së Skenderbeut në njërën nga sallat e ekspozitës veneciane në Arsenale di Venezia ku vizitohej nga shumë kurreshtarë të cilët atëhere dëgjonin me vëmendje rrëfimin e ciceronit të muzeut rreth jetës së heroit mesjetar duke e plotësuar me elemente që buronin nga fantazia profesionale e kustodit muzeal.

Në fund të ligjeratës pati edhe diskutim të profesoreshës Luçia Nadin me publikun ku folën edhe Gëzim Muçolli nga Padova lidhur me revizionizmin historik të ditëve tona të ndikuar sidomos nga projektet kulturore të neo-otomaniozmit turk si dhe  nevojën e ruajtjes së figurës së Skënderbeut nga shtrembërimi dhe falsifikimi i të vërtetës historike  dhe Anton Benusi nga Shkodra i cili ua kujtoi të pranishmëve disa rrëfime burimore popullore shkodrane rreth historisë së rrethimit të Shkodrës si dhe i tha profesoreshës se Shkodra e mirëpret në çdo shtëpi e familje duke qenë se me respekt bashkia e Shkodrës para shumë vitesh e ka shpallur qytetare nderi të qytetit të Shkodrës.

Image
Pamje nga ligjerata
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat