Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve në New York

Diaspora

Mons. dr. Zef Oroshi dhe sofra e Festivalit të 30-të shqiptar të muzikës dhe valleve në New York

Nga: Klajd Kapinova Më: 30 tetor 2022 Në ora: 10:15
Prelati mons. dr. Zef Oroshi Themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA

Mons. dr. Zef Oroshi u lind më 23 nëntor 1912, në tokën e katedraleve të pamposhtura dhe kryengritjeve liridashëse, që ishte e mbeti Mirdita.

Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e Jezuitve në Shkodër. 15 vjet më pas, i riu gjendet në auditorët e Seminarit Papnor në Shkodër (1859). Librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e hershme e trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.

I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese dhe kristiane perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në degën admiruese të Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali), pranë Universitetit të Urbino-s në Propaganda Fide, së bashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë.

Mprehtësia dhe zgjuarsia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të tij. Kardinali italian Shkëlqesia e Tij Fumasson Biondi, Prefekt i Propagandës Fide e shuguron meshtar, duke i dhuruar petkat dhe koletin e bardhë. Ai gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit, duke nda me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.

Pas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të Sigurimit të Shtetit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të Enver Hoxhës, duke e parë se diktatori kishte vendosur ta arrestoj ai pasi thotë meshën… hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste, ku vihet në krye të forcave anti-komuniste nacionaliste në malet e Mirditës.

Humbje dhe fitore

Kryqi i mundimeve të jetës e shoqëroi kudo prelatin tonë, në vendlindje dhe emigracion. Ai për 8-9 muaj, qëndron mes maleve të ashpra, në shpella të ftohta, shi e borë, me bukë e shumë here pa bukë, i veshur keq në dimër, duke provuar kalvarin e mundimeve të Krishtit, që salvohet nga të pafetë ateistë.

Nga kujtimet e bashkëkohësve nga biografi i afërt i tij studiuesi shqiptaro-amerikanë Tomë Mrijaj, mësojmë se në ditën e Pashkës së vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…

Pas arratisjes nga burgu komunist shqiptar, në gusht të vitit 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe nga aty shkon në Beograd (Serbi). Dera e famshme 7 shekullore me histori të lavdishme e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, i dërgon një garanci udhëtimi, për të shkuar në Itali.

Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër. Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji.

Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më parë, ia kishte shprehur ish eprorit të lartë Abatit imzot Frano Gjinit. Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkatdhetarët mërgimtarë politikë, që gjendeshin në Romë.

Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon ato, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje dhe krahine. Sikurse kujtojnë miqtë e tij prelati, ka ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur në Tokën e Bekuar të Amerikës.

Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilat, do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës amtare shqipe.

Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar në diasporë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar, i cili kaloi në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën barbare ateiste komuniste.

Dr. Oroshi në vitin 1960, përkthen dhe boton “Visarthin Shpirtnuer”, një lloj katekizmi doracak, me lutje shpirtërore në gjuhën geg, për familjarët emigrantë shqiptarë katolikë të shpërndarë udhëve të botës.

Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës veriore geg, që kishin vulosur me erudicionin dhe përkushtimin e tyre brilant, u bënë objekt i studimeve të tij.

Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore, kulturore “Shejzat “(1975), në përkujtim të mikut të tij të madh.

Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum, në vitin 1958 vijon studimet e vitit të pestë në degën e teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnastika e trurit.

Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.

Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane.

Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe interesim shpjegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një bosht i ngjeshur enciklopedik. Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që autori i palodhur e këmbëngulës kishte renditur në fund të temës shkencor hulumtuese.

Historitë e hidhura i mbetën thellë në kujtesë

Ai përpiqej, ta largonte vëmendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por, sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar se si ka mundësi, që shqiptari komunist urren për vdekje bashkatdhetarin atdhedashës dhe idealist.

Editorët e botimeve kulturore të kohës, si redaksitë e shumë revistave dhe gazetave të diasporës me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj me tematika të ndryshme.

Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Zef Nekaj, prof. Martin Camaj, atë Zef Valentinin, atë Daniel Gjeçaj O.F.M. etj.

Don ose sikurse përdoret gjerësisht në trojet etnike shqiptare nga popullsia katolike si dom Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park 8th Street në New York, në kapelën e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në Bronx, në kishën e St. Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.

Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike sllovene të shën Qirilit, në Saint Mark’s Pace, New York. Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane.

Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.

Në vitin 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe-Atdhe-Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke. Për këtë ngjarje të madhe të komunitetit katolik shqiptar dhe meshtarin dom Zef Oroshin shkruajti edhe gazeta amerikane The New York Times.

Po të shikosh me kujdes fotot e botuar, në koleksionin e revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që ndriçojnë figurat e shenjtorëve dhe afresket e shenjtoreve në pikturë.

Publicisti, studiuesi dhe botuesi

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve dr. Oroshi, la një emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe. Ishte ai, që shqipëroi librin: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve” (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët.

Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik “Jeta Katholike Shqiptare” (1966-1978), në numrat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.

Mirditori i zgjuar e i kulturuar, nuk dinte të shteronte kurrë, për dijet akademike dhe bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte. Për nga kultura e pasur dhe e gjerë e akumuluar prej vitesh, ai kishte përherë në zotërim, kishte një thellësi e pastërti të mprehtë të mendimi logjik.

Mirënjohje e përjetshme për mësuesin Mjeda

Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937).

Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashur Mjeda. Ai e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë mirënjohje e nderimi në New York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e vdekjes.

Dom Ndre Mjeda e prifti i ri Oroshi, ishin për dialogun ekumenik me ortodoksët, besimin islam, bektashinjtë, protestantët e fetë e tjera.

Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston. Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e ndërsjellët.

Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të afruar e më pas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore në ShBA.

Malli i pashuar për Atdheun

Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila vazhdimisht, i pushtonte mallin dhe i rizgjonte nostaligjinë e madhe për atdhelindjen e tij të paharruar.

Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë në vit. Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim shpirtëror me Zotin.

Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e persekutuar dhe shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.

Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i afërt studiuesi dhe publicist dhe autori i veprave biografik shqiptaro-amerikan Tomë Mrijaj, ka bërë me imzot dr. Zef Oroshi, biseda të lira për Oroshin, persekutimin e klerit katolik në Shqipëri. Ai, gjatë bisedës telefonike, i thotë mikut të vet: “Tomë, a keni mundësi të vini pak tek unë!?” Bashkëbiseduesi i përgjigjet prelatit, se në çdo kohë, jam i gatshëm të vi tek ju.

Toma, tregon: “Kur hyra brenda shtëpisë, Monsinjori, u ngrit në këmbë, me buzëqeshi gjithë humor, duke thënë: “Pashë në dritare një diell të bukur, që më ngacmoi në shpirt frymëzimin. Menjëherë, më shkoj mendja tek ju, e u telefonova, duke qenë i sigurtë se do të vinit për të shëtit së bashku me mua.” Iu përgjigja, se jam gati të shkojmë për shëtitje, ku, të dëshironi ju. Ai dëshironte që të shkonim në brigjet e plazhit Orchard Beach. Atë ditë, në bregdet nuk kishte asnjë vizitor, përveç meje, imzot dr. Zef Oroshit dhe qindra pulëbardha, që fluturonin dhe ecnin të qetë rreth nesh. Prelati ynë më pyeti: “I dashtun Tomë, nëse ia qëlloj a më thua të vërtetën?” Ai nga sëmundja e rëndë, mendonte se e kishte humbur vetëdijen. Monsinjori, e ngriti dorën e djathtë lart e shtriu drejt ujërave të pambarim të Oqeanit Atlantik dhe me drejtimin nga Jugu më tha: “A i bie të jetë në atë drejtim Shqipnia?” Unë iu përgjigja menjëherë, se në atë drejtim, që tregoni ju me dorë është Shqipëria. Pashë se mënjeherë i erdhi nga thellësia e shpirtit një buzëqeshje shumë e gëzuar. U ngrit në këmbë, i çoi duart përpjetë dhe tha fjalët: “E vraft Zoti Enver Hoxhën e at komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin tonë. Po ç’ka i bam na priftat, të cilët, u masakruan nga diktatura e tij. Na historikisht, e kena dasht dhe e dona vendin e popullin tonë, të cilit, i kena shërbye përherë me zemër e dashuni.”

Atij i plasi një vaj i madh dënese dhe përshpërti emrat e vëllezërve të tij Prenit, Ndout dhe motrës Luçies, për të cilët, kishte marrë lajme jo të mira, se gjenden të internuar në Gradisht të Lushnjës.

Iu drejtova imzot Zef Oroshit, se ju jeni një personalitet i madh, që po vuani, sikurse kanë vuajtur historikisht njerëzit e shquar të këtij planeti.

Librin tuaj të shqipëruar: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, e pashë në çdo Kishë gjatë vizitës sëfundit në Kosovë dhe meshtarët më pyesnin për ju. Ai u qetësua disi dhe mbas pak minutash u kthyem me makinë në shtëpinë e tij…”

Është thënë e shkruar gjithnjë, se Shtypi Katolik mbarëshqiptar, ka qenë ndër shekuj shtyllë e atdhedashurisë dhe jo më pak kulture kudo. Ai, iu kundërvu me pendë dhe gjoks barbarizmave të huaja dhe servilizmave të opurtunistëve të brendshëm në trojet shqiptare.

Kjo ka qenë në shekuj dhe dekadat e porsa kaluara arsyeja që kleri katolik, u gjet i pari në shënjestrën e të pazotëve, që poshtëruan vendin tonë dhe e kthyen atë, sikurse benë edhe osmanët, nga një kopsht i lulëzuar feje dhe kulture në një gërmadhë rrënojash fizike e shpirtërore, gërmadhë vuajtjesh dhe mjerimi.

Numëri i Parë i Revistës “Jeta Katolike” (New York, 1966)

Revista “Jeta Katholike Shqiptare” (Albanian Catholic Life) si organ shtypi, që në hyrje përcakton, se është organ i Lidhjes Katholike Shqiptaro Amerikane në New York.

Redaktorët e parë ishin: Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni, ndërsa drejtor përgjegjës Rev. Joseph J. Oroshi, D.D. Adresa e parë e revistës është: 261 South Broadway Tarrytown, N.Y., U.S.A.

Më poshtë në faqen e dytë thuhet, se dorëshkrimet dhe nëse nuk botohen nuk kthehen. Karakterin demokratik dhe lirinë e debatit e shohim në përcaktimin se: “Artikujt me karakter polemik, duhet të nënshkruhen me emen.”, një shembull ky për mediat “demokratike” shqiptare të shekullit XXI.

Në ballinë bie në sy dy shtegtarët arbër, që shoqërojnë me vështrimin e tyre ikjen në Genazzano (Itali) të Fugurës së Shenjtë të “Zojës së Shkodrës” mbas masakrave barbare të pushtuesve turq mbi popullsinë vendase.

Kjo vepër religjioze dhe artistike njëherësh, gjendet sot në tavanin pranë elterit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” (1998) në Harsdale New York. Revista në fjalë, në #1, viti I (1966), ka 26 faqe. Bie në sy në gjithë buletinin mungesa e gërmes ë.

Ajo hapet me editorial-in e shkruar nga drejtori përgjegjës Imzot Dr. Zef Oroshi, me pseudonimin Zodiaku (E më vonë do të përdorë pseudonimin Teologu, Redaksia etj.).

Ai, mbasi bën një përshkrim të shkurtër të persekutimit të intelektualëve shqiptarë në Shqipëri në vitet e errëta të komunizmit ateist, shton se përballë masakrave elita intelektuale në emigracion përkujton frytet dritëdhënëse të lëmenjve të ndryshme të diturisë, duke përshkruar revistat që botoheshin në Shkodër, gjatë kohës që vetë meshtari Oroshi ishte student në shkollën private katolike.

Me një nostalgji të veçantë, kleriku Oroshi, kujton dy pleqtë të veshur me kostume tradicionale vendase, që shëtisnin derë më derë, për të shpërndarë me një krenari e zë të lartë revistat: “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.” etj.

Autori Zodiaku, shkruan: “Natyrisht dhe per kete, megjithse do te dale tremujor dhe pa kurrfare mtese epersijet, na mungojnë mjetet dhe, ne rrethanat e sotshme, deri diku dhe pendat, sepse, secili asht i mbethyem ne tavoline ose fabrike me punen nga e cila nxjerr jetesen e perditshme. Meshtaret shqiptare, dhe ata qe kane mbete gjalle dhe jetojne ne boten e lire, jane te shkaperderdhun e te lidhun me pune aty ku i ka hjedhe rrethana historike, nen urdhnin e auktoritetevet fetare vendase. Megjithate, derisa ndjetin e kemi te mire, me te gjitha flijimet personale qe parashifen, kemi uzdaje te plote se disa penda ma prodhueset nder ambjente te e sidomos meshtarevet e te katholikevet kane me na mungue… Sot per sot “Lidhja Katholike Shqiptare Amerikane” e New York–ut ka caktue me e qite per nji vjete buletinin. Nese bamiresija, simpathija dhe penda e intelektualvet do te na perkrahin, u premtojme lexuesavet se grupit t’yne nuk do t’i mungojne vullndesa e flijimevet personale dhe e punes vullnedtare per vijimin e tij.” (f.2)

Artikulli vijues, në faqet 3-5, është shkruar nga Pader Andrew Nargaj, O.F.M., Ph.D., duke i lënë vendin më pas shkrimit redaksional: “Rruga e Jone”. Një përkthim interesant, është bërë nga prof. Martin Camaj, të titulluar: “Adhurimi i Tre Dijetareve nga Lindja”, ndërsa Kolë Nikoll Bajraktari, përshkruan atmosferën e Krishtlindjeve dhe vijon me poezinë “Keshendellat”.

Kol Çuni, në shkrimin e parë jep përshkrimin e Presidentit “John F. Kennedy: Babe Familjet e Besimtare i Vertete”.

Prof. Mhill Marku, paraqitet për lexuesit mërgimtarë me analizën: “Gjuha Shqipe ne Amerike” dhe më poshtë ka ofruar një poezi nga Pader Gjergj Fishta.

Zef Pashko Deda, trajton marrëdhëniet mes Vatikanit e Washington-it dhe Papa Pali VI, ndërsa për Gonxhe Bojaxhiun e veprimtarinë e saj në dobi të të varfërve, atë dr. Zef Oroshi, u tregon shqiptarëve në mërgim për bijën e harruar në tokën e të parëve në Shqipëri.

Revista, në #1 të saj, ka kronikën shoqërore, zgjedhjet e reja të Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, si dhe stafin e shtypit, në të cilën janë emrat: Loro Stajka, Ndue Gj. Markaj, Nikoll Melyshi, Kol Nikoll Bajraktari, Zef Pashko Deda, Tonin Mirakaj, Zef Hasani, Fran Sokoli, Lodovik M. Bajraktari.

Ajo që është më interesantja, është se në revistë janë të shënuar meshët përkujtimore e mesha për dëshmorët e Atdheut (pavarësisht se cilit besim i përkasin), duke u quajtur tradicionalisht më vonë si Meshë Kombëtare çdo 28 Nëntor, kur është edhe kremtimi i Shpalljes së Pavarësisë.

Një jetë i përgjuar në dosjen e diktaturës

Pas librave me vlerë historike: “Mons. dr. Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, New York, 2009, “Long Kuvendit – në trinomin Fe-Atdhe-Perparim” (New York, 2019) dhe “Abati i Mirditës-Imzot Frano Gjini-Martir i kishës katolike” Shkodër, 2018 (bashkautor me studiuesen Leonora Laçi), doli në qarkullim libri i ri: “Një jetë i përgjuar”(New York), që përbën Dosjen e Sigurimit, për mons. dr. Zef Oroshin.

Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar Oroshi, rivjen mbas shumë dekadave para shqiptarëve kudo në botë dhe komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër origjinal me titull: “Një jetë i përgjuar” e mbushur plot me dokumente të Dosjes së tij keqdashëse, hartuar me dorë dhe makinë shkrimi, për dekada me radhë nga punonjësit e policisë sekrete të Sigurimit të Shtetit socialkomunist, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Studiuesi Tomë Mrijaj, në shkrimin e tij analitik: “Dy fjalë hyrëse”, ndër të tjera shkruan: “Sapo përballesh me një Dosje të errët, të përpiluar me denigrime, trillime, shpifje dhe shkrime me paramendime direkte qëllimkeqe, të vetë punonjësve të Sigurimit të sistemit komunist, ju si lexues të kujdesshëm, duhet të jeni të përgatitur psikologjikisht të mësoni më shumë, se çfarë ju pret nga leximi, duke qenë të vetëdijshëm, sikurse edhe unë për këto “perla” të Dosjes, që mora në dorë. Ata arritën deri aty sa të sajojnë histori të rreme mbi mons. dr. Zef Oroshin, kur ai ishte larguar nga ferri burg komunist i Shqipërisë… Nga burimet e Dosjes, mësojmë se në Itali dhe SHBA ai përgjohej vazhdimisht këmba-këmbës nga hafijet e Sigurimit komunist shqiptar dhe informacioni mbi lëvizjet dhe takimet e tij në diasporë përgjohej dhe regjistrohej dhe më pas përcillej në Tiranën zyrtare komuniste, ku operativët e fshehtë komunistë hartonin tekstin e shpifjeve, duke krijuar kështu dora dorës Dosjen e Zezë të tij.”

Veprimtaria e shumanshme e klerikut dhe intelektualit të shquar të botës shqiptare në diasporë mons. dr. Zef Oroshit, mbetet tashmë në përjetësi. Ajo njihet shumë mirë, përmes librave monografikë, kujtimeve, artikujve kushtuar atij, në përvjetore të ndryshme, të cilat janë shkruar nga autorë dhe studiues të ndryshëm për te, për shumë dekada me radhë deri në ditët tona.

Ardhja dhe “fitorja” me mashtrime absurde e komunizmit në vitin 1944 në Shqipëri, ishte vetëvrasja më e madhe që bënë shqiptarët, që e pranuan dh përqafuan ideologjinë e tij.

Meshtari katolik dom Zef Oroshi, bën pjesë në ato personalitete historike, që nuk u pajtuan asnjëherë me fitoren e komunistëve. Ai nuk e pranoi as në atdhe dhe as në Shtetet e Bashkuar të Amerikës fitoren mashtruese komuniste.

Dr. Oroshi, nuk ishte vetëm një predikues i thjeshtë fetarë, por dhe një studiues kualitativ i zoti, mendje dhe pendë e spikatur e botës shqiptare.

Përmes larmisë së artikujve, ne tani njohim një përkthyes cilësorë; një gjuhëtar shqiptar të apasionuar; shkrimtarin e denjë të shkollës së traditës gege dhe stoikun e papajtueshëm me regjimin anti-njerëzor ateisto-komunist në Shqipëri etj.

Libri në fjalë, është i bazuar në dokumente origjinale, të siguruara fatmirësisht nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, që ishte kthyer fatkeqësisht në makinë automatike propagandistike.

Në librin arkivor, përfshihen për herë të parë rreth 400 dokumente, të hartuar dita-ditës nga punonjësit special të Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë hartuar një Dosje me shpifje dhe trillime, të cilat studiuesi shqiptaro-amerikanë Tomë Mrijaj, i ofron sot para lexuesve mbarë-shqiptarë.

Ky libër është i veçantë në llojin e vet, për faktin, se i jep për here të pare dokumentet (faksimile) në mënyrë origjinale, ku, lexuesi dhe studiuesit e rinj kanë mundësi dhe hapësirë të shohin dhe vërtetojnë me kujdes fantazinë e procesverbaleve, raporteve, akuzimeve pervese, dëshmi të rreme nga tradhtarët dhe spiunët, përshkrimeve, thënieve të fabrikuara, dëshmitarëve shpifëse sistematike të diktaturës komuniste dhe të hafijeve të Sigurimit të Shtetit komunisto-ateist.

Në një qarkore, që Ipeshkvi imzot Bernardin Shllaku, u dërgon dioqezave (shkruar nën torturë nga Sigurimi), tregohet sesa bujë kishte bërë arratisja e dom Zefit dhe jo vetëm Sigurimi ishte në kërkim të tij, por ishte ngritur dhe një komision kërkimi, i përbërë nga Dekani i Tiranës, dom Mark Dushi, dhe Administratori Dioqezan i Lezhës dom Ndoc Sahatçija.

Për arratisjen e dom Zefit të pamposhtur, është shkruar dhe në studimet e mëvonshme: “Dosjet e Diktaturës”, me autor studiuesin dhe ish Ambasadorin shqiptar në Selinë e Shenjtë në Vatikan dr. Pjetër Pepa (1942-2014) dhe në monografinë: “Monsinjor dr. Zef Oroshi - Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të biografit të tij, që njiherazi është edhe Sekretar i Lidhjes III Shqiptare të Prizrenit, studiuesit Tomë Mrijaj (SHBA); sikurse edhe në veprën e Nikollë Melyshit, “Ngjarje Historike, të ndime, të pame e të jetueme”, dhe së fundi në librin: “Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini” shkruar nga bashkautorët: Tomë Mrijaj & Leonora Laçi, (Shkodër, 2018).

Momenti i arratisjes së bujshme të mons. dr. Zef Oroshit, është kthyer në një legjendë. Për ta bërë më reale dhe në mënyrë që të mos mitizohet më tej me këto fakte, pata një bashkëbisedim me nipin e mons. Oroshit, Prend Gjokën, i cili, më rrëfeu pas shumë dekadave të vërtetën se si dom Zefi i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte fshehur në mal deri sa u largua fillimisht në Europë e më pas në tokën e premtuar të SHBA, shkruan ndër të tjera studiuesja e re Lenora Laçi.

Nga Tirana, forcat e Sigurimit mbanin në dorë një Urdhër Arrestimi, të ardhur direkt nga Mehmet Shehu. Sigurimi, po priste që mesha të përfundonte dhe prifti të dilte i fundit për ta arrestuar. Ata vëzhgonin nga dera kryesore daljen e popullit.

Amerika, u bë atdheu i dytë për të dhe veprimtarinë e tij, atje la gjurmë të pashlyeshme, me themelimin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare (1962).

Kjo tregon se ai i shërbeu më mirë atdheut larg tij, duke qenë se Shqipëria u kthye në një burg të madh për intelektualët dhe ndrydhi jo vetëm dëshirat për tu arsimuar, por shtypi e burgosi edhe mendimet e fjalën e lirë.

Prend Gjoka, rrëfen se halla e tij (motra e dom Zefit), Lukja përjetoi kalvarin nëpër burgjet e internimit. Ajo pas rënies së komunizmit ka jetuar në shtëpinë e nipit deri ditën kur mbylli sytë.

Motra e Monsinjori, kishte qenë personi i fundit që dom Zefi kishte takuar para se të arratisej në mal. Ai në mal bashkohet me grupet antikomuniste, ku do qëndroj për tetë muaj deri sa kaloi në Kosovë e cila ishte pjesë e Federatës Jugosllave, me gjithë vështirësitë dhe i plagosur kalon në Mitrovicë e nga aty së bashku me atë Daniel Gjeçajn O.F.M, atë Ambroz Martinin O.F.M, dhe Nikollë Kimzen, pas garancive që i dhanë Dera e Gjomarkut e personalisht Kapidan Ndue Gjomarku, shkojnë në Itali.

Mons. Oroshi, ishte dhe mbeti një ndër liderët kryesorë antikomunistë të diasporës sonë shqiptaro amerikane, i cili, gjithë jetën e tij ia kushtoi komunitetit këtu dhe luftës kundër diktaturës komuniste dhe diktatorit Enver Hoxha.

Këtë vit në muajin qershor 2022, Shoqata Trojet e Arbërit me qendër në Prishtinë organizuan në qytetin e Lezhës një Sesion Shkencor dhe këto ditë pritet të dalë nga botimi librit i pestë kushtuar mons dr. Zef Oroshit, i cili përmbledh të gjithë kumtesat shkencore dhe historike, kushtuar atij nga ligjerues të trojeve etnike shqiptare dhe diaspora.

Po ashtu një grup intelektualësh dhe banorë të Oroshit, Mirditës dhe Lezhës, përmes një ceremonie mbarëpopullore vendosen në qytetin e Lezhës (Qershor, 2022) bustin e tij, në shej kujtimi, nderimi dhe respekti për gjithçka që ai bëri për vendlindjen, komunitetin shqiptaro-amrikanë dhe Kishën Katolike Shqiptare në Mirditë, Itali dhe SHBA.

Mons. Oroshi në Logun e Kuvendit dhe të tjerët për jetën e tij

“Mirëse u ka prue Zoti në shtepinë tuej. Kjo sot asht nji shkëndi e vogël, por që do bahet nji flakë e madhe nji ditë në Atdhe. Sot të dashtun bashkatdhetarë, falenderja e mirënjohja mâ e thella u siellet të gjith bashkatdhetarëvet shqiptarë padallim, jo prej njajë, dy, tri a pesë krahinash të Shqipnisë, por prej “Tivarit në Monastir - Prej Preveze në Kaçanik”, prej të gjitha vendevet kû flitet gjuha e ambël shqipe, që aq vllaznisht na kanë dhanë zemër, ndihmue e përkrahë, dhe kam shpresë e deri diku jam i sigurtë se kanë me vijue me na ndihmue dhe në t’ardhëshmen, pse rruga e flijimevet asht ende e gjatë per ne per ta përmbyllë këte nisme me randësi kombtare. Gëzonju prá, o vllazen e motra shqiptare, pse çerdhen tonë me i sherbye Zotit e në të njajten kohë Atdheut të dashtun e të largët, e kemi krijue me flijime tona të shkelqyeshme. Ai Zot që na ka krijue, nuk na ka harrue, e u thaft e djathta e jonë, në qoftë se në jeten tonë, Atë osè Atdheun që na lindi do ta harrojmë.” - Mons. Dr. Zef Oroshi 24 Dhetuer 1969, Krishtlindje, New York

Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons. dr. Oroshi, rivjen mbas shumë viteve para komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër origjinal të mirëfilltë atdhedashës, me titull kuptimplotë: “Long Kuvendit - në trinomin Fe-Atdhe-Perparim” (New York, 2019).

Libri trajton shkrime të karakterit historik, shkencorë, enciklopedik, tradita, zakone, gjuhësorë e kulturorë etj., botohet në Jubileun e 50-vjetorit të meshës së parë në SHBA (1969-2019). Ai u përzgjodh, përgatit dhe u botua me shpenzimet financiare të studiuesit dhe publicistit veteran të komunitetit tonë Tomë Mrijaj.

Intelektuali i shquar i komunitetit tonë Oroshi, ka një veprimtari të pasur dhe të ngjeshur intelektuale, në fushën e studimeve dhe publicistikës shqiptare.

Miditori inteligjent, për shumë dekada, ka botuar me qindra artikuj cilësorë, hulumtime me profile të ndryshme në shtypin e kohës së diasporës, duke u mirëpritur me shumë interes nga redaksitë e organeve të ndryshme të shtypit si dhe nga albanologët e shumtë të huaj, profesorë të huaj dhe shqiptarë, që kishin studiuar në universitete më të famshme të Europës Perëndimore.

Në një letër, që prof. Ernest Koliqi i dërgon nga Roma monsinjor Oroshit, që jetonte në New York, në hyrje të saj i shkruan: “I dashtun Monsinjor Zef! Shkrimet tueja i presim si zogla e verës…”.

Duke pasur si mik të ngushtë prozatorin e shquar prof. Ernest Koliqin, dr. Oroshi për një kohë të gjatë bashkëpunoi me revistën e tij zëmadhe të kohës “Shêjzat”, gjatë përiudhës së frytshme intelektuale të viteve 1957-1974-1978, kur themelues dhe drejtues i saj ishte Ministri i Kulturës së Shqipërisë shkodrani dhe prozatori modern brilant prof. E. Koliqi.

Dr. Oroshi, spikat apo dallohet edhe për natyrën enciklopedike dhe njohuritë e thella dhe të gjera që kishte për disa fusha të dijës shqiptare dhe botërore, të cilën tradicionalisht ndër shekuj e kanë lëvruar edhe ajka apo plejada më e ndritur e klerit katolik shqiptar.

Mons. Oroshi, me të mbërritur në botën e lirë në New York të SHBA, fillon të bashkoj komunitetin e pakët katolik shqiptarë, të ardhur në këtë shtet të madh metropolitan në kohë dhe rrethana të ndryshme.

Sikurse e ka shprehur në disa shkrime dhe homelitë fetare të botuara në revistën Jeta Katolike, del se qëllimi tij ishte për t’i ruajtur nga asimilimi, sa të jetë e mundur shqiptarët, bashkimi rreth vatrës së ngrohtë në Shtëpinë e Zotit, për të ruajtur vazhdimisht traditat, zakonet, gjuhën e bukur shqipe, kulturën, festat kombëtare, përkujtuar figurat e ndritura patriotike dhe veshjet e bukura tradicionale popullore.

Këto vlera të pastra shqiptare, sipas Monsinjorit, mund të arrihen vetëm duke hapur sa më parë Shtëpinë e Zotit. Kjo kishë e re shqiptaro amerikane, sipas shembullit pozitiv të traditës historike në vendlindje, u kthye shpejt në një vatër të ngrohtë të atdhedashurisë.

Paralelisht me këtë mision të vështirë, por jo të pamundur për te, Oroshi, i jep jetë edhe buletinit ose sikurse njihet në historinë e kishës sonë Revista Fetare Kulturore Jeta Katholike Shqiptare e cila sot vazhdon sërisht të botohet me emrin Jeta Katolike).

Në këtë revistë, figurojnë emrat e shumë shkrimtarëve, intelektualëve të shquar, albanologëve, klerikëve katolikë dhe të besimeve të tjera fetare, sikurse edhe artikujt e shumtë të shkruar me dashuri zemre nga njerëz të thjeshtë të komunitetit tonë.

Ai, ka përdor disa pseudonime, meqenëse në revistë ka botuar shpesh 2 ose 3 artikuj brenda një numri. Më të lakuar janë emrat apo pseudonimet: Zodiaku, Theologu, Redaksija, D.Z. etj. I veçantë është shkrimi: “Madre Tereza Bojaxhiu”, (1966, Nr.1 (D.Z.).) Ky është ndër shkrimet e para të botuar në SHBA për shën Terezën e Kalkutës ose sikurse njihet Nënë Tereza.

Një jetë plot devocion për kishën dhe grigjen e tij

Kisha dhe kleri shqiptar, do ta pësonte më shumë nga gjenocidi komunist dhe kalvarin e mundimeve me persekutime, duke i dhuruar sot kombit tonë mbi 38 martirë elteri të kishës.

Mesha e parë në Qendrën Katholike Shqiptare në New York City, në Natën e Madhe të Kërshëndellave të vitit 1969, është një përmbledhje brilante oratorie, ku si gjithnjë shquhet fjalimi elokuent, me fjalë të zgjedhura dhe frymë patriotike nga prelati ynë mons. dr. Zef Oroshit.

Si dëshmi e historisë së kishës sonë Monsinjori, njoftonte vazhdimisht komunitetin e vogël katolik shqiptar në New York, mbi ngjarjet e rëndësishme, sikurse ishte asokohe blerja e Qendrës Katholike Shqiptare e New York-ut gjatë vitit 1969. Ai si dëshmi historike dhe për brezat e ardhshëm këtë njoftim të mirëseardhur e botoi në faqet e numrit katër të së përkohshmes në gegnisht dhe dygjuhësh shqip-anglisht, që ai botonte dhe drejtonte me pasion.

Këtu janë botuar jehona e shtypit amerikan nga gazeta e famshme The New York Times, me autor Murray Schumach (Prill, 13, 1970, E para kishë katolike shqiptare në ketë hemisferë u hap në Bronx) etj. Ai nuk ishte vetëm një predikues i thjeshtë fetarë, por dhe një studiues i zoti, pendë e spikatur dhe e mprehtë.

Media bashkëkohore për jetën dhe veprën e mons. dr. Zef Oroshit

Studiuesi dhe publicisti Mërgim Korça, është paraqitur me studimin: “Konsiderata rreth vëllimit shkruar nga miku personal i Monsinjor Zef Oroshit, analisti Tomë Mrijaj”.

Studiuesja e re shkodrane Leonora Laçi me shkrimin investigativ: “Si i shpëtoi Sigurimit msgr. dr. Zef Oroshi!?”, ndërsa ish drejtori dhe gazetari i Zërit të Amerikës Frank Shkreli, me shkrimin me kujtime: “Në kujtim të Monsinjor Zef Oroshit”. Shkrimtare e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane Eleonora Gjoka: “Studiuesi Tomë Mrijaj gdhend në mermer viganët e cultures shqiptare (Cikli: “Kultura Shqiptare në Shoqërinë Amerikane”)

Ish bashkëpunëtori i hershëm i revistës kulturore fetare Jeta Katolike dhe sot kryeredaktori i saj Mark Shkreli, ka botuar kujtimet e tij: “Kujtoj me mall mikun tim Monsinjor Zef Oroshin.”

New York, Nëntor 2022

Autori Klajd Kapinova është editor  i revistës Jeta Katolike, New York

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat