U kthye në Shqipëri pa zemër, familja e Saimir Sulës protestë para Gjykatës së Barcelonës

Diaspora

U kthye në Shqipëri pa zemër, familja e Saimir Sulës protestë para Gjykatës së Barcelonës

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 09:54
Pamje nga protesta

Familja e të riut shqiptar Saimir Sula që ndërroi jetë në spitalin del Mar në Barcelonë në vitin 2020 ka dalë në protestë përpara Gjykatës së Lartë të Barcelonës për të bërë publike në Spanjë një situatë që në Shqipëri tashmë ka vënë prokurorinë në gjurmët e një komploti të dyshuar për trafik organesh, pasi atij i mungonte zemra.

Kërkesa e familjes ka qenë hetimi i rastit të zhdukjes së çuditshme të zemrës së Sulës.

Prokurori i Tiranës që po heton çështjen e ka ngritur konfliktin në nivel diplomatik pasi është injoruar prej muajsh nga autoritetet spanjolle. “Në Shqipëri, prokuroria i ka dërguar letërporosi Spanjës dhe Gjykata Hetimore 16 e Barcelonës nuk pranon të marrë në pyetje dëshmitarët e vdekjes në të cilën vdiq vëllai im më 9 maj”, shpjegoi Majlinda Sula, motra e të riut që ndërroi jetë.

“Gjyqtarja nuk pranon të bëjë analizën e ADN-së që tregon nëse kjo zemër është apo jo e vëllait tim. Kemi dy vite që kërkojmë analizën e ADN-së të këtij organi, që teorikisht i përket Saimirit”, tha ajo.

Sula i kërkoi Gjykatës së Barcelonës “të vijojë procedurat dhe t’i përgjigjet letërporosisë së shtetit shqiptar”. Letërporosija e fundit është e datës 14 dhjetor. Spanja nuk i është përgjigjur gjashtë letërporosive që i ka dërguar shteti shqiptar”, denoncoi ai.

Në shkresën e Prokurorisë së Tiranës drejtuar Ambasadës, në të cilën Europa Press ka pasur akses, theksohet se Shqipëria po heton çështjen si rast i dyshuar trafikimi organesh pas verifikimit të mungesës së zemrës në trupin e Saimir Sulës, pas së cilës kanë dërguar katër letra dhe dy letërporosi: “Me gjithë insistimin tonë nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thotë Prokuroria.

Motra e të ndjerit, Majlida Sula ka kërkuar drejtësi për vëllain e saj, i cili në spitalin ku kishte shkuar për t’u kuruar nga COVID por doli i vdekur dhe pa zemër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat