Ora e historisë dhe memoria kombëtare në Quinto di Treviso

Diaspora

Ora e historisë dhe memoria kombëtare në Quinto di Treviso

Nga: Gëzim Muçolli Më: 10 prill 2023 Në ora: 23:45
Foto nga vendngjarja

Në Itali ka kohë që mërgata kosovare e organizuar mirë në shoqata atdhetare bënë hapa drejt njohjes dhe integrimit duke shpalosur programe dhe nisma të shkëmbimeve ndërkulturore dhe prezentimit të gjithë asaj që dallon me vlera dhe kuptim pozitiv para autoriteteve dhe publikut vendor.

Në regjionin Veneto ku janë rezidentë pjesa më e madhe e komunitetit kosovar në Itali, aktivitetet kulturore radhiten njëra pas tjetrës dhe tashmë kanë hyrë edhe në kalendarin e rregullt të ngjarjeve kulturore në komuna italiane ku ato pasurojnë dhe rritin vlerën e multikulturalitetit të një populli që tashmë i ka pranuar shqiptarët si pjesën më të gjallë dhe të përparuar në mesin e grupeve etnike të ardhura në dekadat e fundit.

Dallohet për të mirë dhe merret si shembull edhe nga autoritetet lokale e provinciale e poashtu edhe ato regjionale komuniteti shqiptar në Treviso ku pos iniciatives në biznes dhe ndërmarrësi kanë gjetur vendin e tyre edhe falë aktiviteteve që nderojnë origjinën dhe garantojnë ruajtjen e vazhdimësisë së gjuhës shqipe dhe traditave të mirënjohura kombëtare.

Emri i Shoqatës Kulturore “ Shën Nëna Terezë ” nga Quinto di Treviso është bërë sinonim i suksesit të integrimit me punën e vet të vazhdueshme dhe projektet e realizuara ndër vite, ku veprimtaria arsimore edukative e shkollës së mësimit plotësues paraqet model të mirë që garanton suksesin.

E gjithë kjo duke ju falenderuar angazhimit të madh e të pandalur të veprimtarit të madh prof. Bajram Desku i cili me mençuri dhe pa u ndalë asnjëhere para vështirësive me shembullin e njeriut të mirë diti dhe ia doli të grumbullojë pranë vetes miq, shokë e dashamirë duke u mobilizuar që komuniteti shqiptar të ketë jo vetëm emër por edhe identitet dhe vlerë për respekt.

Numri i veprimtarive shoqërore dhe kulturore i shoqatës “Shën Nëna Terezë” është i gjatë por mbi të gjitha ia vlen të përmendet se ka mëse pesë vite që në hyrje të qytetit Quinto, udhëtarët i pret shtatorja e bronxtë e shenjtores shqiptare e ngritur nga mërgata shqiptare të cilën vendasit e kanë pranuar plot devocion si dhuratë të çmueshme dhe vazhdimisht i sjellin lule të freskëta.

Manifestimet e rregullta dhe ato tradicionale festive kombëtare si dita e pavarsisë së kombit shqiptar dhe ajo e pavarsisë së Republikës së Kosovës grumbullojnë mërgimtarë jo vetëm nga Quinto dhe provinca e Trevizos por edhe nga gjithë Veneto si dhe nga pjesë tjera të Italisë. Aty vazhdimisht pjesë aktive janë edhe përfaqësuesit e autoriteteve komunale si dhe provinciale të Trevizos si dhe autoritetet e kishës katolike të cilat kanë përkrahur pa rezervë veprimtarinë e shkollës shqipe dhe iniciativat ndërkulturore të prof, Deskut me bashkëpuntorë.

Pjesë e rëndësishme e takimeve të ndryshme dhe veprimtarive që promovon kjo shoqatë e dalluar janë edhe përfaqësuesit e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Romë dhe Milano, duke qenë më afër mërgatës dhe duke i dhënë karakterin institucional. Vlenë të kujtohet se para pandemisë kanë qenë të shpeshta edhe vizitat e ministrave të arsimit, diasporës, pastaj edhe deputetëve të parlamentit kosovar të cilat tashmë sikur janë hequr nga lista e interesit dhe bashkëpunimit në pritje të (ri)vetëdijsimit të autoriteteve qeveritare kosovare mbi rolin e patjetërsueshëm të shkollës shqipe dhe institucionit moral të diplomacisë kulturore që veprimtarët e dalluar të mërgatës kosovare kanë realizuar qe tridhjetë vite.

Edhe këtë vit duke dashur që të shënohen me dinjitet dhe respekt ngjarjet madhore të historisë së re të Kosovës, si 15 vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe 24 vjetorin e fillimit të intervenimit humanitar ushtarak të Natos në Kosovë, Shoqata Shën Nëna Terezë organizoi në mënyrën më të mirë një tubim festiv duke ftuar të gjithë bashkatdhetarët dhe miqtë italianë. Kësaj radhe tema festive ishte më e ndieshme dhe ishte ideuar si Orë e Madhe e Historisë Kombëtare ku me njëzete pesë mars ishte ftuar mysafir një person i çmuar dhe i dashur për mërgatën shqiptare, ish zëdhënësi i Radios së Kosovës së Lirë nga fronti i luftës së Uçk-së e sot profesor i nderuar universitar Dr. Nusret Pllana.

Nderimet e rastit në hapje të këtij manifestimi sipas rendit i bëri organizatori njëherit kryetari i shoqatës së Quintos, z. Bajram Desku i cili pasi i uroi mirëseardhje të pranishmëve e falenderoi z. Nusret Pllana që i ishte përgjigjur ftesës dhe tash gjendej para bashkatdhetarëve. Njëherit ai përshëndeti edhe dy bashkëpjesëmarrësit që e shoqëronin në panel profesorin Pllana, zonjën Fitije Picari, përkthyesen e librit të xhepit “Non dimenticare mai-Mos harro kurrë” (Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1884-1999) të autorëve Nusret Pllana e Agim Aliçkaj si dhe dr. Gëzim Muçollin veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare në Itali.

Në sallën e mbushur plot në via Marco Graziati nr.4 në qendër të Quintos,profesor Pllana duke ligjëruar në mënyrë brilante, kujtoi edhe njëherë fakte mbi padrejtësi historike ndaj popullit shqiptar i cili pati fatin e keq të përfundonte i ndarë midis 5-6 shteteve të Ballkanit, pasojat e tyre vazhdojnë edhe sot duke vazhduar ëndërrën që do të vijë dita të jetësohet me bashkimin definitiv në një Shqipëri Natyrale siq e ka krijuar Zoti, duke u bërë të barabartë me qytetarët tjerë të botës demokratike e jo edhe më tutje të mbetemi të diskriminuar, të nënçmuar, duke na llogaritur si qytetarë të rendit të dytë e që sot po vuajnë izolimin, poshtërimin dhe diskriminimin duke qenë madje vend i getoizuar.

Ky popull nuk e meriton këtë gjendje , sepse i ka dhënë qytetërimit tri figura legjendare që janë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Shën Nënë Tereza dhe Adem Jashari, komandantin legjendar të luftës për liri.

Me këtë rast u bë promovimi i librit të ri dygjuhësh shqip-anglisht të autorëve prof. Nusret Pllana dhe Hanëmshahe Ilazi me titull: “Fëmijët shqiptarë në Kosovë- viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë” (1981-1999).

Në mesin e plagëve të pashëruara të Kosovës është edhe mungesa e drejtësisë ndaj vrasjes së fëmijëve e cila ishte pjesa më e dhimbshme e projektit gjenocidal të shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës duke dashur edhe eliminimin fizik të tyre por me viktimizimin e tyre Serbia tentonte jo vetëm terrorizimin absolut të popullsisë por edhe humbjen e shpresës dhe të ripërtritjes së popullit shqiptar në trojet e veta.

Libri i punuar me shumë kujdes sjell të dhëna faktike për çdo rast për 1392 fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit 1998-1999 si dhe për 40 fëmijët-viktima të vrarë nga viti 1981-1997, pra gjithësejt nga puna hetimore e profesorit Nusret Pllana me bashkëpuntorë në terren duke mbledhur shënime lagje më lagje dalin 1432 fëmijë - viktimave të pafajshme.

Autori i librit flet me zemërim për heshtjen e qeveritarëve tanë të cilët asnjëherë deri më tani nuk kërkuan drejtësi deri në fund për viktimat e sidomos për fëmijët e martirizuar. Ai i qorton ata për neglizhencën dhe për mungesë serioziteti deri në atë pikë sa ata shërbehen ende me të dhëna të vjetra të Fondacionit të humanistes dhe intelektuales së mirëfilltë serbe Natasha Kandiqit sipas të cilave dalin më pak viktima rreth treqind fëmijë. E ata vazhdojnë ti përsëritin ato duke mos u shërbyer me rezultatet e punës voluminoze që e kanë kryer autorët kosovarë.

Profesor Nusret Pllana i thërret ndërgjegjjes së shqiptarëve të heqin tri të këqija, tri defekte historike që janë: harresa e kujtesës historike , bajraktarizmi si dhe servilizmi ndaj të huajve kjo eshte definitivisht e pafalshme për këtë popull!

Nuk duhet harruar asnjëhere se gati 15 përqind e numrit të përgjithshëm të gjithë të vrarëve në Kosovë janë fëmijë shqiptarë të vrarë. Nuk ka dhimbje me të madhe të njerëzimit se kur vriten fëmijët. Vetëm në kohë të fushatave zgjedhore ata i përmendin liderët tonë duke vazhduar ende të citojnë numra që bazohen ne shifra jo të sakta të Natasha Kandiqit.

Si raste që duhet të lëkundin ndërgjegjen e mbarë njerëzimit janë viktimat e pafajshme fëmijë dhe civilë të pa-armatosur në luftën e fundit në Kosovë, si p.sh. familja e Adem, Hamzeë dhe Shaban Jasharit në Prekaz pati 59 viktima për një ditë ku ishin 13 fëmijë të vrarë, pastaj familja Muçolli e Poklekut të vjetër të Drenicës pati 54 antarë të vrarë, mes tyre ishin 23 fëmijë të vrarë e Liria gjashtë muajshe ishte më e vogla viktimë e terrorit serb.

Familja Berisha ne Suharekë pati 49 civilë duarthatë te vrarë ku 19 ishin fëmijë.Familjes Vesa nga Gjakova ia kanë vrarë 6 fëmijë, e kur vranë komplet

familjen Gërxhaliu nga Vushtrria, mbetën të vrarë 8 fëmijë.

Fatkeqësisht qe 24 vite shteti ynë nuk është kujdesur për ti ngritur ndonjë shenjë përkujtimi, asnjë përmendore, shtatore,bust, obelisk, etj.

Mesazhi kryesor që doli nga promovimi i librave të Nusret Pllanës ishte kërkesa e tij e vazhdueshme për senzibilizimin e faktorëve kombëtarë dhe internacionalë që mos të imponohet harresa e krimit dhe mos të barazohen asnjëherë viktima me agresorin, duke denoncuar faktin se ata që kanë kryer krime mbi shqiptarët nuk janë dënuar asnjëhere as në Serbi as në ndonjë Gjyq ndërkombëtar edhe pse po bëhen 24 vite nga mbarimi i luftës në Kosovë. Madje librin e tij me dëshmi dhe dokumente mbi gjenocidin serb në Kosovë profesor Pllana ua ka dhuruar të gjithë deputetëve të parlamentit europjan. Ai porosit vazhdimisht se europjanët nëse duan paqen dhe që të mos përsëriten asnjëhere luftërat në Ballkan, duhet të jenë në krah të drejtësisë dhe mos ti diskriminojnë shqiptarët.

Edhe filmi “Kush i vret fëmijët” i cili trajtonte vrasjen e fëmijës dhjetëvjeçar Isa Berisha nga ushtari kriminel serb Ivica Zhivanoviq në Kaçanik në vitin 1995 i cili nuk u dënua asnjëhere sepse shteti serb nuk e çoi deri në fund gjykimin e rastit, shkaktoi në publik momente prekëse nga rrëfimet e familjarëve dhe dëshmitarëve të cilët ende presin drejtësinë e mungur në krimin e shtetit serb ndaj fëmijës së shqiptarëve.

Vlen të theksohet se në këtë promovim kulturor që kishte përmasat e Orës së madhe historike ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha shoqatave aktive shqiptare si dhe veprimtarë të shumtë kurse në emër të diplomacisë kosovare ata i përshëndeti konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, z. Diamant Kastrati i cili përkujtoi edhe njëherë sakrificën e të rënëve për lirinë që e gëzojmë sot.

Pas pjesës tematike, kryetari Bajram Desku i ftoi të pranishmit në pjesën e dytë të programit në sallën e madhe të Hotelit BHR Treviso ku u shtrua darkë solemne e cila me iniciativën e organizatorit vazhdoi me bashkëbisedim dhe prezentim të veprimtarëve të dalluar ndër vite të komunitetit shqiptar.

Me këtë rast ai në emër të Shoqatës Kulturore “Shën Nëna Terezë” ndau edhe dy mirënjohje speciale për të nderuar dy musafirë të veçantë. E para ishte për kontributin intelektual dhe atdhetar për profesorin Nusret Pllana dhe e dyta për një veprimtar të dalluar dhe humanist të madh që vjen nga rrjeti i ndërmarrësisë, zotëri Elmi Vrenezi i cili gjithëmonë është dëshmuar i gatshëm të ndihmojë shumë aktivitete atdhetare të shoqatave shqiptare duke sponsorizuar edhe shpenzimet e mbajtjes së seminareve të mësuesve e të shkollave shqipe në diasporë, pastaj duke ndihmuar me kontribute financiare projektin për ngritjen e shtatores së Nënë Terezës, realizimin e obeliskut të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Trento, etj.

Në fund, vlen të theksohet se ishin të pranishëm edhe kryetarja e komunës së Quinto di Trevizo zonja Stefania Sartori, pastaj z. Igor Marentiq , kryetar i komunës së qytetit Postojna të Sllovenisë, prof. Peter Shtoka albanolog nga Kopri i Sllovenisë i shoqëruar nga kryetari i shoqatës “Iliria” z. Heset Ahmeti, e të tjerë të cilët pas emocioneve të rievokimit të historisë së dhimbshme të Kosovës uruan të shihemi sa më shpesh në projekte të reja kulturore.

Vlen të përmendet fakti se pjesën e mbetur të librave u zotua se do ti kompenzojë shpenzimet veprimtari dhe afaristi i njohur Lirim Kolgeci me disa afaristë të suksesshëm të cilët ia lanë në dispozicion shoqatës “Shën Nëna Terezë” që ti dhurojë bibliotekave dhe individëve të interesuar që merren me studimin e historisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat