Kryeministri Kurti mirëpriti mërgimtarët në shënim të Ditës së Diasporës

Diaspora

Kryeministri Kurti mirëpriti mërgimtarët në shënim të Ditës së Diasporës

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 08:48
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë për nder të Ditës së Diasporës ka organizuar pritje të veçantë për mërgimtarët në ambientet e “Ballkonit të Hapur të Qeverisë”, i cili tashmë është shndërruar në vend të këndshëm për takime e pritje.

Duke iu uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti njoftoi mërgimtarët e pranishëm mbi progresin e dukshëm demokratik e ekonomik të Kosovës të evidentuar nga të gjitha raportet ndërkombëtarë kredibile, duke përmendur kështu rritjen mesatare ekonomike, rritjen e të hyrave tatimore, eksportet e investimet e huaja direkte.

Njëkohësisht, rritjen e vendeve të punës, miratimin e ligjit për pagën minimale, e së fundmi edhe ligjin për njohjen e kontributeve të punëtoreve të viteve ‘90-ta, kryeministri para mërgimtarëve i cilësoi hapa të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës.

Paralelisht me këto progrese, kryeministri Kurti veçoi se edhe mërgata jonë ka evoluuar dukshëm vit pas viti duke e zgjeruar përfaqësimin tonë kombëtar.

“Atë sot e gjejmë në format më të suksesshme në art, në kulturë, në sport, financa, e tash së fundmi edhe përfaqësim politik në shtetet e tyre, nga niveli komunal e deri te ai qendror. Disa prej tyre janë këtu në mesin tonë sonte”, shtoi kryeministri.

Tutje, ai i prezantoi mërgimtarët edhe me programin për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”, që ka për qëllim ndërlidhjen me vendin e origjinës përmes angazhimit profesional, si dhe lansimin e platformës “Shijo Kosovën”, përmes së cilës mërgatës, sidomos gjeneratave të reja, i’u mundësohet njohja e vendit me anë të aktiviteteve kulturore, sportive e natyrore.

Gjithashtu, me anë të lehtësimit të procesit së votimit për mërgatën rritet edhe më shumë pjesëmarrja e tyre aktive, derisa në kuadër të investimeve, kryeministri tha se po themelojmë Fondin Sovran përmes së cilit bashkatdhetarët tanë dëshirojmë t’i bëjmë aksionarë në ekonominë tonë.

Pas gjithë kësaj mbrëmjeje të frytshme e argëtuese, kryeministri Kurti i lumtur për takimin, falënderoi përzemërsisht gjithë bashkatdhetarët.

Në këtë pritje, ku të ftuar ishin pjesëtarë e figura të ndryshme nga mërgata, artistë, veprimtarë, përfaqësues të shoqatave që veprojnë në mërgatë e përfaqësues të rinj politikë atje, bashkë me kryeministrin ishin të pranishëm edhe ministra e ministre të kabinetit qeveritar dhe zëvendësministra.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëmbrëma dhe mirë se vini,

Për rastësi, ose ndoshta edhe jo, nesër bëhen fiks një vit prej se e kemi inauguruar “Ballkonin e Hapur” këtu në Kryeministri. Megjithatë, përvjetorin po e shënojmë sonte sepse ishim pikërisht bashkë, këtu, një vit më parë, prej kur kjo hapësirë e objektit të qeverisë, që dikur nuk shfrytëzohej, është bërë vend kaq i këndshëm për pritje e takime.

E edhe një vit pas, Ballkoni ynë vazhdon të jetë i hapur, sonte, për mërgatën tonë të dashur, për juve bashkatdhetarë. Bashkë e shpallëm. Bashkë po e shënojmë edhe përvjetorin e parë. Bashkë do të takohemi për shumë mote. Mirë se vini e gëzuar!

Kosova ka bërë përparim të dukshëm gjatë këtyre dy viteve të fundit. Që nga shpallja e pavarësisë përparimi ka qenë i theksuar si për popullin e shoqërinë ashtu edhe për shtetin edhe institucionet. Ndërkaq, në këto dy vitet e qeverisjes sonë nuk ka raport ndërkombëtar kredibil i cili nuk e ka evidentuar progresin tonë demokratik dhe ekonomik. E sërish kur themi progresin tonë nuk e mendojmë vetën tonë, por e mendojmë edhe një herë popullin e shoqërinë, shtetin e institucionet e tij. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës.

Rritja mesatare ekonomike në këto dy vite ka qenë 7.35% të bruto produktit vendor. Të hyrat tatimore janë rritur për 2/3, pa e ndryshuar politikën fiskale dhe eksportet e investimet e huaja direkte janë dyfishuar. Sivjet pritet të jetë viti i parë kur eksportet do ta kalojnë shifrën prej 1 miliard euro.

Mesatarisht, gjatë çdo viti të qeverisjes, i kemi shtuar më shumë ekonomisë sonë sesa në tre vitet e mëparshme marrë së bashku për bazë.

Për herë të parë, ekonomia e ka kaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës. Punësimi ka qenë zotim dhe prioritet i ynë. Kjo është dëshmi që politika dhe masat e shumta të punësimit po funksionojnë.

Miratuam ligjin në Kuvend për rritjen e pagës minimale në Kosovë, pas më shumë se 10 viteve. Tash për punëtorët mbi 35 vjeç kemi rritje të pagës minimale prej 55%, ndërkaq prej atyre që janë nën 35 vjeç është rritja 103%. Me këtë Ligj e kemi larguar edhe tatimin në të ardhurat personale për pagat deri në nivelin e pagës minimale. Për fatin tonë jo të mirë, ky Ligj, sipas vullnetit të opozitës, përfundoi në Gjykatë Kushtetuese dhe duhet ta presim verdiktin e saj.

E javën e kaluar në Kuvend i kemi dhënë fund padrejtësisë ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna gjatë viteve ‘90-ta. Falë ndryshimeve të bëra në ligj, rreth 70 mijë pensionistë të cilët po të mos ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta do të arrinin kushtin prej 15 vitesh kontribut deri më 01.01.1999, tani e tutje, do të marrin pensionin parcial kontributpagues.

Bashkë me Kosovën, edhe mërgata jonë ka evoluuar dukshëm. Nga streha e veprimtarisë së çështjes kombëtare dhe burimi i mbijetesës financiare në kohë të vështira për vendin, ajo vit pas viti po e zgjeron përfaqësimin tonë kombëtar. Atë sot e gjejmë në format më të suksesshme në art, në kulturë, në sport, financa, e tash së fundmi edhe përfaqësim politik në shtetet e tyre, nga niveli komunal e deri te ai qendror. Disa prej tyre janë këtu në mesin tonë sonte.

Mërgata jonë gjithmonë ka qenë e rëndësishme për fatin tonë politik, përpjekjet tona historike e për mirëqenien tonë sociale. Çlirimi, shpallja e pavarësisë dhe krijimi e ndërtimi i shtetit të pavarur të Kosovës nuk ka qenë i mundur dhe as i paramenduar pa mërgatën tonë. Sa më shumë që e zhvillojmë shtetin, aq më shumë na forcohen edhe lidhjet. Një shtet i fortë reflektohet edhe me një mërgatë më të fuqishme dhe anasjelltas.

Për të gjitha këto, ne po përpiqemi ta ofrojmë infrastrukturën e nevojshme.

Për forcimin e lidhjeve, qeveria jonë, për herë të parë fillimisht ka zbatuar programin për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”, për çfarë e falënderoi Zëvendëskryeministrin dhe ministrin tonë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonjën Donika Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësen e saj Liza Gashi, e që ka për qëllim ndërlidhjen me vendin e origjinës përmes angazhimit profesional. Ndërkaq pak ditë më parë e lansuam platformën “Shijo Kosovën”, përmes së cilës mërgata, e sidomos te gjeneratat e reja, do të mund ta njohin më mirë vendin e tyre të origjinës përmes aktiviteteve kulturore, sportive e natyrore.

Për pjesëmarrje aktive, kemi miratuar në parim ligjin e ri për zgjedhje që lehtëson pjesëmarrjen e mërgatë tonë në procesin e votimit, duke mundësuar votimin edhe në ambasada dhe konsullata po gjithashtu edhe votimin me postë brenda shtetit ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, përveç asaj mundësisë që të votojnë me postë direkt në Kosovë ose edhe të vijnë në Kosovë atëherë kur mbahen zgjedhjet.

Për investime, po themelojmë Fondin Sovran për të cilin për herë të parë kemi folur para gjashtë vjetëve, nëpërmjet të cilit synojmë ta bëjmë indeksimin e kompanive tona publike po edhe private në ekonominë e vendit dhe dëshirojmë që edhe bashkatdhetarët t’i bëjmë aksionarë në ekonominë tonë.

Ne e dimë që katragjyshet tona e katragjyshet tanë kanë definuar pasurinë si tokë dhe shtëpi. Mirëpo në shekullin 21 do të duhej që të mendojmë për aksionet e kompanive tona të cilët indeksohen në bursë në treg të kapitalit, e pikërisht këtë gjë e mundëson Fondi Sovran i cili na shpëton 44 mijë hektarë tokë bujqësorë nga ndërtimet e egra dhe tjetërsimet e tjera. Po gjithashtu edhe 17 ndërmarrjet politike i vendos në një çati për çfarë na nevojitet mbështetja e mërgatës për një bord profesional dhe për një kryeshef i cili zgjidhet për një mandat më të gjatë se sa ciklet elektorale katërvjeçar që janë tek ne.

Ju e dini që në Kosovë mund të blesh bono të thesarit, por nuk mund të shesësh atë. Ne kemi nevojë ta bëjmë më dinamike ekonominë tonë dhe pronësinë e bashkatdhetarëve tanë të mos shndërrohen thjesht në pronësi që shtë gati kapitalizëm në vete sepse shfrytëzohet dy javë në vit, si banesë në Prishtinë për shembull, po të vijë dita që bashkatdhetari ynë në vend se ta blejë ndoshta edhe një banesë në Prishtinë, të blejë 0.1% të aksioneve në Trepçë, ose në KEK, ose në Telekom e kështu me radhë.

Pra në duam që të ju ftojmë juve që, pra jo të kontribuoni duke sakrifikuar, po të fitoni edhe ju duke investuar.

Mirë se vini edhe një herë e gëzohem shumë që po takohemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat