Tortura e dhunë çdo ditë, makthi i 22-vjeçares shqiptare që mbahej rob nga burri së bashku me fëmijën 2-vjeç!

Diaspora

Tortura e dhunë çdo ditë, makthi i 22-vjeçares shqiptare që mbahej rob nga burri së bashku me fëmijën 2-vjeç!

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 09:21
Foto ilustrim

Një 22-vjeçare shqiptare në zonën e Volos përjetonte çdo ditë skena torturash, pasi bashkëshorti i saj 28-vjeçar e mbante të mbyllur atë dhe fëmijën e tyre 2 vjeç e gjysmë në shtëpi për dy vite të tëra, ndërsa dhunonte çdo ditë të renë.

TheNewspaper.gr, raporton se skenat e tmerrit që ka pësuar vajza janë zbuluar mbrëmjen e së enjtes kur fqinjët kanë dëgjuar britmat e saj nga brenda shtëpisë.

Kur kanë trokitur me forcë në derë, 28-vjeçari  shqiptar e ka hapur atë dhe ka tentuar të arratiset, ndërsa banorët e kanë kapur.

Ai u mbajt nga banorët derisa policia mbërriti në vendngjarje dhe e vendosi në pranga.

Mbrëmjen e së enjtes (21 shtator), 28-vjeçari pasi e dhunoi bashkëshorten e ka kapur për qafe të renë duke tentuar ta mbysë.

Në një dëshmi rrëqethëse, 22-vjeçarja ka deklaruar se i shoqi e rrihte çdo ditë, ndërsa në dy raste të tjera e kishte lënë në një situatë shumë më të keqe se ajo në të cilën u gjend kur e shpëtuan komshinjtë. Por këtë herë ai ishte shumë pranë për ta vrarë.

Çifti u martua në Shqipëri kur vajza ishte vetëm 18 vjeçe, në një martesë “të detyruar” dhe të rregulluar nga familja e saj. Rreth një vit e gjysmë më vonë u bënë me fëmijë dhe dy vite më parë, në vitin 2021, 28-vjeçari u shpërngul me të renë dhe foshnjën në Greqi, në një zonë pak jashtë Volosit, ku punon si ndërtues.

Me shpërnguljen në Greqi nisi një histori ekstreme izolimi dhe abuzimi, e cila zgjati dy vite të tëra. Burri e mbajti 22-vjeçaren dhe fëmijën të mbyllur dhe të izoluar plotësisht në shtëpi. Mësohet se fëmija nuk ishte dërguar asnjëherë te mjeku.

Vajza, e cila nuk kishte askënd të sajin apo dikë që njihte në qytet, mbeti plotësisht e izoluar. Ajo nuk mësoi kurrë greqisht, pasi 28-vjeçari nuk e linte të kishte kontakt me askënd. Në dy vitet e burgimit, në pesë muajt e fundit ajo nuk e pa as dritën e diellit, pasi e kishte të ndaluar edhe të dilte në oborrin e shtëpisë.

Gjatë gjithë kësaj kohe ai e mbajti atë rob, jo vetëm duke e kthyer shtëpinë e tyre në burg e vend torturash, si dhe duke i ndaluar çdo njohje apo miqësi në një mjedis të huaj, por edhe duke e shantazhuar përditë. Ai e kërcënoi se do të shkonte në Shqipëri dhe do t’i vriste prindërit e saj nëse 22-vjeçarja do t’i tregonte familjes se çfarë po kalonte ose do të përpiqej të largohej.

Makthi i 22-vjeçares mori fund kur fqinjët e saj shkuan në banesën e tyre dhe i shpërtuan jetën. E reja dhe fëmija i saj janë në gjendje të mirë dhe u dërguan në një vend të sigurt.

28-vjeçari ndodhet në paraburgim, ndërsa përballet me ndjekje penale për izolim të zgjatur dhe lëndim trupor, vepër që sipas kodit të ri penal barazohet me dëmtim të rëndë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat