Londër/ Morën peng italianin, dënohen 4 shqiptarët

Diaspora

Londër/ Morën peng italianin, dënohen 4 shqiptarët

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 06:35
4 shqiptarët e dënuar

Katër shqiptarë janë burgosur në Britaninë e Madhe, pasi rrëmbyen një shtetas italian sepse nuk iu kishte bërë pagesën për një borxh të supozuar të drogës.

Media britanike Sky News, të cilës Top Channel i referohet, raporton se italiani rreth të 30-tave, u mbajt për 36 orë kundër dëshirës së tij në një apartament në Cricklewood, në veriperëndim të Londrës, pasi u josh në një lokal në shkurt të këtij viti.

Ndërsa ishte atje, ai bëri disa telefonata me ish-partneren dhe miqtë e tij për ta ndihmuar të paguante 110,000 £, pasi po ia kërkonin në lidhje me një borxh droge që i detyrohej mikut të tij. Kur policia kishte hyrë në banesë më 18 shkurt, e gjeti viktimën me disa plagë me thikë dhe mavijosje.

Pamjet e telefonit celular të gjetur më vonë nga oficerët treguan viktimën duke u kërkuar rrëmbyesve të tij që të mos e vrisnin. Ervis Ademi, Xhekson Malollari, Mariglen Elezi dhe Hydajet Kadriu janë të gjithë të burgosur.

Edhe Malollari dhe Elezi u shpallën fajtorë për komplot për rrëmbim, ndërsa Elezi u shpall fajtor edhe për posedim të një sasie të vogël kokaine.

Dy burra e kishin çuar viktimën në një bar në Cricklewood Broadway për t’i marrë borxhin e drogës. Më pas ata u larguan të tre së bashku, dhe ndërsa ishin duke ecur në rrugën Richborough, dy prej katërshes së shqiptarëve të veshur me kapuç u afruan përballë, e mbërthyen me forcë italianin dhe e futën në një makinë. Nga aty, grupi u largua për të gjetur strehë në një banesë në Dean Road, ku debatuan me viktimën, dhe i lanë atij prerje me thikë në trup gjatë përleshjes.

Pasi viktima bëri thirrje për pagesën, policia u vu në dijeni për rrëmbimin dhe filloi të vëzhgonte banesën në orën 2 të mëngjesit të datës 18 shkurt në kuadër të Operacionit Major.

Rreth orës 12:30, policia e armatosur ka hyrë në banesë dhe ka arrestuar Malollarin dhe Elezin. Ademi dhe Kadriu u arratisën por u kapën dhe u arrestuan jashtë ndërtesës.

Detektivi Tom Waller, i cili udhëhoqi hetimin, tha se: “Ky rrëmbim ishte një sulm i tmerrshëm i planifikuar ndaj një personi.”

Pas arrestimit të shqiptarëve, oficerët kërkuan prova në banesë, ku gjetën kapuçët, sende të lyera me gjak, telefona celularë dhe çelësat e një makine që kishte qenë në skenën e rrëmbimit.

Pamjet e kamerave të lokalit tregonin Malollarin si një nga personat që takoi viktimën në lokal. Po ashtu, pamjet e kamerave të sigurisë të marra nga një biznes aty pranë treguan të njëjtën makinë në vendin e rrëmbimit dhe të parkuar jashtë banesës.

Sipas policisë kishte edhe disa foto dhe mesazhe inkriminuese në telefona, dhe një video tregonte viktimën me plagë, duke iu përgjigjur pyetjeve për para dhe duke u lutur për jetën e tij. Ademi dhe Malollari u dënuan në Gjykatën e Kurorës së Amersham të premten, më 22 shtator, me 10 vite burg.

Elezi dhe Kadriu u dënuan me nga katër vjet burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat