Luboja: “Pasuria ime më e madhe është arkiva, ajo është një botë e mbushur me shumë xhirime, narracione, tekste, foto, video, poezi, fjalime”

Diaspora

Luboja: “Pasuria ime më e madhe është arkiva, ajo është një botë e mbushur me shumë xhirime, narracione, tekste, foto, video, poezi, fjalime”

Nga: Dashnim Hebibi Më: 10 tetor 2023 Në ora: 12:18
Duat Luboja

“E kisha veçuar edhe takimin letrarë me shkrimtarin Fatos Arapi i cili erdhi nga Shqipëria për herë të parë, dhe ishte në moshë diku 60 vjeç, mbasi iu recituan vargjet nga libri i tij nga Azem Gashi dhe Adem Kicaj, i ndjeri e mori fjalën dhe pastaj ai më falënderoi, që po e inçizoj dhe tha, është hera e parë këtu tani, që jam para një kameramani, pavarësisht, që jam autor i shumë librave që 40 vite, dhe nuk po them, që librat e mia nuk lexohen, por fjalën e kam tek kamera, kurrë asnjë televizion deri më tani apo dikush privat nuk më ka inçizuar! Kjo më emocionoi shumë dhe më dha kurajo që të vazhdoj kontributin tim më tutje!”, na tha ndër të tjera, z.Luboja.

Pas shumë intervistave në karrierën time si gazetarë profesionist, redaktorë, editorë, moderator, organizator i shumë ngjarjeve kulturore, sociale e sportive në gjithë mërgatën tonë, pastaj dhe botues i disa librave edhe pas marrjes së titullit akademik, doktor i shkencave politike, po e shoh veten se ka ardhur koha që të largohem nga gazetaria dhe të drejtohem vetëm nga shkenca. Por, është e pamundur, të ndahem nga gazetaria, duke parë shumë veprimtarë në diasporë, që kanë kontribuar shumë, kanë sakrfikuar një jetë të tërë për të mirën e kombit, por që kanë ndejtur gjithmonë anonim për media, por kanë bërë shumë punë të madhe e me shumë vlerë, të mos jenë të shënuar diku.

Nuk mjaftojnë vetëm falënderimet e disa mirënjohje për disa veprimtarë, por duhet edhe të mbetet e shkruar për brezin e ri, që të jetë një frymëzim dhe shembull, se kurrë nuk janë dorëzuar zemërbardhët për të mirën e kombit. Ku mos me shkrujt, ku mos me e ndajt një kohë nga kjo kohë e shenjt që e kemi dhe që po kalon shumë shpejt, ku shpesh i themi vetes, që edhe 30 orë të ishte dita, pak do të ishte për një personalitet si protagonisti i kësaj interviste. Sa e sa punën e ka bërë nëpër manifestime, protesta e ngjarje të tjera të mërgatës sonë. Mjafton vetëm kamera të mbahet në krah e të rrish në këmbë nga shtatë e më shumë orë, pastaj të përgaditësh gjithë teknikën, ku edhe në fund të bësh edhe montazhën e regjistrimit. Sa e sa orë duhen? Sa e sa energji shkon? Pastaj t`ia përcillësh organizatorit dhe të tjerëve që e kërkojnë edhe ate pa asnjë euro. Kjo është shpirtëmadhëri. Kjo është shenjtëri. Nuk duhet të fshihemi vetëm pas disa individëve që kanë lekë apo të disa politikanëve që dalin nëpër media thuajse çdo ditë. Por, duhet ti kujtojmë edhe ata, që kanë bërë shumë dhe nuk kanë pranuar të dalin në pah se kanë bërë diçka dhe në fakt, kanë bërë shumë. Sa e sa na duhet arkivi? Sa vlerë ka arkivi? Nuk mundemi ta pagujamë historinë. Aty është një jetë e një kombi. Aty është një punë e madhe e mërgatës sonë. Shumë e shenjt. Për studiues të rinjë, do të ishte e mirëseardhur, kur kemi veprimtarë që kanë ruajtur dokumente. Kur kanë ruajtur foto, proçesverbale dhe në rastin tonë, inçizime me kamerë, ku shihen qartë fjalët dhe aktiviteti. Lirisht mundet të thuhet, një jetë ia ka kushtuar kamerës.

Një jetë të tërë edhe ate me buzëqeshje, pa i thënë vetes u lodha edhe ate duke e angazhuar edhe familjen e tij, duke i munguar shumë familjes, duke e mos parë edhe rriten sa duhet të fëmijëve, sepse gjithnjë nëpër takime e takime. Por, familja i është mirënjohës, sepse pasuria e tyre është nderi dhe respekti, që bashkëshorti, babai i tyre, nderohet nga të gjithë ata që janë veprimtarë dhe që kanë vlerë. U mata të mos shkruaj gjatë të them me disa fjalë në vend të një hyrje të kësaj interviste për personalitetin në fjalë, por e pamundur, sepse lexues i dashur, disa herë kam dashur ta kem në intervistë, me shumë modesti nuk ka pranuar, ka thënë nuk është koha ime, por koha e të tjerëve dhe në realitet është koha e z.Daut Luboja.

Shumë modest, i qetë, fjalë pak dhe me pozitivitet edhe kur ftohet nëpër takime të ndryshme edhe pse ato nuk u janë paguar honorare, në vend se organizatori t`ju thotë faleminderit për punë që keni bërë, është i pari, z.Daut që ju thotë, ju faleminderit që më keni ftuar. Ata që punojnë me kamerë në teren e dijnë mirë, se sa është e vështirë puna me kamerë. Por, Dauti e njeh mirë gjuhën e kamerës, ju kam thënë edhe kur jam takuar disa here me te, je ti që e njeh mirë alfabetin e kamerës. Kur futet në botën e kamerës në një evenimet, ai nuk di të ndalet. Punë dhe vetëm punë. Kontrollon bateritë, kontrollon mikrofonat dhe në njërën anë shikon syrin e kamerës dhe në anën tjetër, mundohet të mar edhe foto nga ngjarja.

Kjo është më shumë se madhështore. Të shkruaj e të rishkruaj, me faqe e faqe për këtë zemër mirë, për këtë personalitet bujarë, është pak, prandaj, po ia lëjmë kohës, se edhe në të ardhmen, do të kemi mundësi të bëjmë një portret libër për këtë veprimtarë, sepse vërtet ka një arkiv shumë të pasur dhe ajo është pasuri e pashlyeshme, që do ti duhej brez pas brezi. Po ju lë që ta lexojmë këtë intervistë, por siç ju njoftova edhe më lart, ndoshta do t`ju dukej e gjatë në sy të parë, por sapo ta lexoni, do i thoni vetes, mirë që e lexuam, sepse morëm fjalë shpirti.

Na thuaj të lutem, me disa fjalë një biografi tënden. Kur keni datën e lindjes, në cilin vend të Kosovës dhe pastaj edhe jetën deri sa jeni larguar nga atdheu?

Jam lindur më 28.06.1969 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen e kam kryer në vendlindje në drejtimin elektroteknikës. Kursin e fotografisë dhe të kompjuterit e kam përfunduar në Zagreb në vitin 1986. Ndërsa, në vitin 1989, jam punësuar në fabrikën e elektromotorit në Gjakovë deri me 1991, pastaj për shkak të situatës jo të mirë politike, ekonomike dhe sociale nga regjimi serb mu desh si edhe shumë të tjerë ta lëshoj Kosovën qysh në moshën 21 vjeç dhe të emigroj në Zvicër, ku tani edhe e posedoj nënshtetësinë e dytë, duke ju falënderuar shtetit helvetik zviceranë! Këtu në Zvicër kam bërë ca kurse të tjera dhe mjaft të vlefshme, si dhe kam marr diploma dhe certifikata të ndryshme përfshirë ato të: Të pc-së, video kurse, të logjistikës, të integrimit, peacemaker e kurse të tjera, si dhe kam udhëhequr kursin në Bülach si Instruktor për kompjuter në gjuhën shqipe të rekomanduar nga Kt.i Cyrihut për Integrim, kam kontribuar në klube dhe shoqata humanitare, integrimin e diasporës, si dhe një mori të kontributeve të tjera.

Na thoni ju lutem, nga e gjithë kjo energji e jote pozitive. Kurrë nuk je dorëzu edhe pse nëpër shumë takime ju kemi pa, herë me kamerë e herë me fotoaparat. Me një fjalë, kurrë nuk kemi dëgjuar të thuash, u lodha?

Keni të drejt ku thoni ,,Nga gjithë kjo energji pozitive?“ Në fakt, dua të them se kam pasur fatin që t’i xhiroj njerëzit pozitiv nga ata marr energji pozitive, sepse kamerën dhe aparatin për të shkrepur e kam jo vetëm profesion, por edhe pasion dhe kjo bënë që të duke xhiruar njerëz pozitiv, njerëz që kanë qenë pjesë e historisë moderne te kombi shqiptarë dhe këtë e kam bërë qysh nga vitet 90-ta e deri më tani. E kjo më frymëzon, me jep energji, më rinon dhe më bënë stoik ndaj vështirësive të cilat eventualisht mund të dalin. Megjithëse, nuk e përjashtoj nganjëherë edhe lodhjen, sepse mosha e bën të veten!

E kuptova, shpirtbardhësia jote e mund lodhjen. Si e fillove të punosh edhe me kamerë?

Në vitin 1991 e bleva një kamerë të vogël për të inçizuar fëmiun e parë dhe për të ju dërguar prindërve në Kosovë xhirimin e fëmiut tim, sepse prindërit e mi mezi pritnin ta shohin djalin. Dhe pastaj gjithçka filloi si një hobi dhe kështu me ketë kamerë nga viti 1991 fillova të xhiroj shumë aktivitete shqiptare të cilët në atë kohë e ngritën zërin kundër regjimit të Millosheviqit!

E dini, sa orë përafërsisht keni punuar me kamerë?

Jo, sa orë saktësisht nuk e di, por e di që shumë kam punuar dhe vazhdoj ende me pasion të punoj këtë profesion. Artisti mendoj se lind, por gjithsesi se ambienti social i jep edhe nuancat e tij dhe ndikon në zhvillimin e profesionit.

Keni një arkiv të pasur të ngjarjeve të ndryshme të kombit tonë që kemi vepruar para luftës, gjatë luftës dhe pas saj, për të mirën e Kosovës?

Po, unë mendoj që kam arkivë të pasur të kombit tonë që nga viti 91.

Në arkiv kam të regjistruara demonstratat masive në Bern, hapjen e klubit,,Vatra``të Bülach-ut dhe aktivitetet më pas të këtij klubi, manifestime të ndryshme kushtuar 28 Nëntorit të viteve 93, klube të ndryshme, veprimtarë dhe figura të ndryshëm politike, si Hysen Tërpeza dhe shumë e shumë të tjerë, orë letrare të shkrimtarëve dhe poetëve të ndryshëm të organizuar nga klubi letrar ,,Faik Konica“, ku organizator ishte miku im poet Naim Kelmendi i cili tani jeton dhe vepron në Kosovë.

Përmes Klubit ,,Faik Konica,, kam xhiruar shumë shkrimtar dhe poet sepse isha kameramani i vetëm i këtij klubi letrar prej vitit 1993-1997. Azem Shkreli (ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit) tanimë i ndjerë, Fatos Arapi shkrimtarë nga Shqipëria, po ashtu tani i ndjerë, Naim Kelmendi poet dhe veprimtarë, Flutura Açka nga Shqipëria, shkrimtarë, e shumë artist, kontribues të çështjes kombëtare, etj.,

Andaj, edhe unë mendoj që kam goxha një arkivë të pasur të kombit tonë e cila mund të jetë një sfond i studimit të historiografisë për gjeneratat e ardhshme, në mënyrë që të ruhet një ‘Memorie Kolektive’.

Kamerën e kemi kuptuar se nuk e ke për të fituar pasuri, por ti nderuar ata që e meritojnë. I ke thënë vetes, se mjaft, është mjaft?

Kamerën e kam hobi dhe pasion, që kërkon durim dhe saktësi dhe jam shumë i privilegjuar ti xhirojë njerëzit që kanë merita, vlera dhe njerëzit që në një ose tjetrën mënyrë kanë dhënë kontribut për fuqizimin dhe ngritjen e kombit dhe të shtetit, sidomos të Kosovës. Por, në anën tjetër, edhe nëse i thua vetës mjaft nuk mundesh të pauzosh, sepse dëshira, motivi psikologjik është shumë më e madhe për të dhënë kontributin tim.

Keni respekt nga shumë veprimtarë. Ditë më parë ju takova edhe në një takim të madh me plot art, tek shkolla e aktrimit IFTP e drejtuar nga aktori, regjisori e skenografisti, Adem Kicaj. Keni bashkëpunuar dhe bashkëpunoni edhe në projekte me z.Kicaj. Na thoni disa prej tyre ju lutem?

Po, vërtet kam respekt të veçantë për mikun tim, aktorin regjisorin dhe pedagogun Adem Kicaj. Kisha nderin të jem prezent në 20 vjetorin e themelimit të IFTP Produksionin dhe në premierën e filmit ,,OFSHAMA“, ku mora edhe një mirënjohje nga Adem Kicaj. Kam punuar me Ademin edhe në televizionin shqiptar Arti TV këtu në Zvicër, si dhe tani besoj që do të bashkëpunojmë edhe në Televizionin Ari TV, që do të hapet së shpejti këtu në Zvicër.

Adem Kicaj më njeh më së miri sepse njihemi tre dekada dhe pjesërisht e kam përcjellë kontributin e tij këtu në Zvicër. Me Ademin të punosh është nder dhe privilegj sepse është një aktor dhe regjisor shumë dimensional. Është njëri prej themeluesve të skenës teatrore këtu në Zvicër dhe ai tërë jetën ia kushtoj Artit kurrë pa u ndalur, është aktor dhe regjisor i disa filmave Zviceran, kuptohet edhe filmave Shqip si dhe drejtor shkollën akademike IFTP, këtu në Cyrih.

Z. Luboja, ju njihni shumë mirë alfabetin e kamerës, ashtu ju njohim. Cili inçizim apo regjistrim për ju ka qenë ndër më të mirët është fjala për nga rëndësia apo pesha?

Nuk them që e njohë shumë mirë alfabetin e kamerës, jam modest, megjithëse mendoj, se ka edhe më të mirë se unë, por gjithsesi ju falënderoj për respektin dhe për vlerësimin e juaj! Sa i përket pyetjes tjetër, mendoj se ndonjëherë është vështirë ti veçoj inçizimet se cili ka qenë ndër më të mirët, të gjitha kanë qenë të mira, por do të thoja peshë kanë disa xhirime sepse tani ata njerëz nuk gjinden më në mesin tonë. Përshembull, ishte privilegj ta xhiroja Azem Shkrelin, por i ndjeri ishte tepër i mërzitur për popullin në Kosovë, që ju bëheshin padrejtësitë nga regjimi serb, ishte shumë i tensionuar sepse kërkonte lirinë e popullit dhe më kujtohet në xhirimin e fundit që e pata xhiruar këtu në Zvicër, pas disa dite duke shkuar në shtëpi në Kosovë pati sulm në zemër dhe për fat të keq ndërroi jetë në vitin 1997. Kjo kurrë nuk më hiqet nga mendja, u mërzita shumë, sepse isha shoqëruar shumë me të, ishte njeri shumë i butë dhe Inteligjent, ku pastaj u organizua edhe tubimi komemorativ kushtuar të ndjerit Azem Shkreli, po në të njëjtën sallë dhe me të njëjtit shokë që ishim para ca ditëve në atë takim letrarë, pra kjo ishte një emocion i veçantë kujtimesh! E kisha veçuar edhe takimin letrarë me shkrimtarin Fatos Arapi i cili erdh nga Shqipëria për herë të parë, dhe ishte në moshë diku 60 vjeç, mbasi iu recituan vargjet nga libri i tij nga Azem Gashi dhe Adem Kicaj, i ndjeri e mori fjalën dhe pastaj ai më falënderoi që po e inçizoi dhe tha është hera e parë këtu tani që jam para një kameramani, pavarësisht që jam autor i shumë librave që 40 vite, dhe nuk po them që librat e mia nuk lexohen por fjalën e kam tek kamera, kurrë asnjë televizion deri më tani apo dikush privat nuk më ka inçizuar! Kjo më emocionoi shumë dhe më japi kurajo që të vazhdoj kontributin tim më tutje!

E di se keni investuar shumë në teknikë. Pasuria jote e madhe është arkivi. Mburresh me punën që e ke bërë?

Po kam investuar shumë dhe investoj ende në teknikë, po ashtu mburrem me punë që e kam bërë deri më tani dhe e vërtet mendoj se pasuria ime më e madhe është arkiva. Ajo është një botë e mbushur me shumë xhirime, narracione, tekste, foto, video, poezi, fjalime, e të tjera, të cilat ju japin emocione të veçanta, ju kthejnë në nostaligji, ju japin forcë për të ecur tutje, dhe mbi të gjitha janë dokumentacion i dorës së parë për të përshkruar jetën, vlerat që kemi pasur, bashkëpunimin, dashurinë dhe solidaritetin ndaj njëri – tjetrit, fuqizimin e nacionales, dhënien e kontributit, si dhe shumë gjëra për të cilat mendoj se nuk mund të përmbledhen me pak rreshta.

Keni edhe mirënjohje të shumta që ju kanë ndarë nga bashkatdhetarët tanë. Bashkëpunoni edhe me ndonjë kameraman tjetër, qoftë në diasporë apo në atdhe?

Po kam disa mirënjohje që i kam marrë dhe sa i përket bashkëpunimit me kameraman nuk mund të veçoj ndonjë me emër këtu në Zvicër, por ndodh nganjëherë në televizione private që duhet të punoj me çdonjërin që e gjej aty. Viteve të fundit kam pas disa bashkëpunime vetëm me RTK-në, për ti transmetuar xhirime të firmave private kurse me media të tjera jo. Sot çdo kameraman qoftë në diasporë apo Kosovë, e ka ekipin e vet të kompletuar dhe kështu nuk ka nevojë për bashkëpunime me të tjerë, megjithëse unë jam i gatshëm dhe i hapur për të gjithë!

Padyshim, se edhe teknikat në kamerë kanë ecur në përparim. A ishte më e lehtë para dhjetë vjetëve të punohet apo sot, kur dihet se teknologjia ka ecur shumë?

Sigurisht është më lehtë të punohet sot në mënyrë të digjitalizuar se sa para dhjetë apo njëzet viteve në mënyrë analoge. Rast konkret: Para ca viteve xhirimet kanë qenë në shirit të videokasetave dhe kur u duke të bëhet kopje, humbte kualiteti, kurse sot në kartela të ndryshme në mënyrë digjitale kualiteti mbetet i njëjtë, pastaj koha për ta përpunuar xhirimin ishte shumë e madhe, humbja shumë kohë dhe nganjëherë për një gabim të vogël, më duhej ta kthej xhirimin nga fillimi të cilin e kisha punuar 20 orë gjatë, kurse sot pa kurrfarë problemi punohet dhe ruhet në hardisk në kompjuter me kualitet të lartë, andaj sot është më lehtë të punohet. Teknologjitë e reja kanë avancuar punën, kanë krijuar lehtësira, kanë shkurtuar kohën dhe kanë bërë që brenda pak minutave të ketë multimedia të cilat dikur kanë qenë të pa imagjinuara.

Keni regjistruar edhe nëpër dasma shqiptare, kokteje e ngjarje të shumta festive. Ju ka ndodhur, që të ftoheni edhe për raste të kronikave të zeza, kur dihet se është e dhimbshme?

Po kam regjistruar mbi 400 solemnitete të ndryshme festive. Më ka ndodhur të më thërrasin edhe për raste të kronikave të zeza por nuk kam pranuar të shkoj të xhiroj dhe nuk besoj që do të shkoj ndonjëherë sepse është një çështje sentimentale të cilën nuk mundem të përballoj.

Ora e di, se ju kalon shumë shpejt kur regjistroni, por Ju edhe bëni montazhën. I thua vetes, sikur të ishte dita 30 orë?

Sigurisht, që edhe ju gazetarët e dini se montazha të merr kohë shumë e sidomos nëse aty për aty të lindin ide të reja dhe pastaj mundohesh ti realizosh me efekte vizuale të përshtatshme atëherë pajtohem me ju, i them vetes sikur kam punuar 30 orë në ditë, por kjo varet edhe nga pasioni, unë e dua punën e videomontazhës andaj edhe nuk mërzitëm shumë.

Të gjithë e dijnë, se Daut Luboja e do profesionin me shpirt dhe ajo është parë. Ia ke trashëgua fëmijëve tuaj apo ata duke e parë babain e tyre, se mbi 90 përqind e punës së tij ishte pa të mira materiale, nuk duan të merren?

Unë i kam katër djem dhe secili prej tyre e di këtë profesion, sepse e kanë ushtruar disa herë duke më përcjellë mua për të më ndihmuar në xhirime dhe ne kemi punuar familjarisht. Të kuptohemi: xhirimet kushtuar kulturës dhe çdo aktiviteti të kombit tonë nuk kam pranuar që të më paguajnë, kurse fejesat, martesat apo ahengjet familjare po. Pra, gjithsesi, se ka qenë edhe një kontribut i imi modest. Siç e ceka edhe më lartë, i kam xhiruar mbi 400 ahengje familjare. Secili në familje i ka pas punët e ndara, njëri i ka punuar fotografit, kopertinën, dikush fillimin intro të enivimentit dhe unë montazhën. Por, tani mbasi janë rritur nuk kanë dëshirë të merren me ketë profesion dhe unë nuk dua t`ju imponoj dhe mendoj, se secili duhet zgjedhur profesionin mbi bazën e asaj që ju flen në shpirt.

Si e sheh brezin e ri që po rritet në diasporë?

Mendoj, se brezi i ri është mjaftë entuziast, kanë arritur dukshëm më shumë se ne atëbotë kur ishim në vitet 90-ta, kanë mundësi më të mira, flasin gjuhën mirë, janë të integruar dhe kanë ndikuar që shumë stereotipa të cilat ishin dikur të mos jenë në shoqërinë helvetike. Sot brezin e ri e sheh kudo në pjesëmarrje të vendimeve shtetërore por gjithsesi si rol me rëndësi e shoh familjen e cila çdo herë duhet t’i edukoj dhe rikujtoj, se gjirin e vërtetë e kanë Kosovën, në mënyrë që mos të vie deri tek asimilimi.

Sipas jush, çfarë organizimi i duhet tash e tutje diasporës, sepse ka kaluar koha, kur mërgata jonë, ka punuar shumë për fitimin e luftës dhe pavarësisë së Kosovës?

Kujtoj, se tani janë pjekur kushtet shumë, kanë mundësi të mira, Shqipëria dhe Kosova kanë hapur ambasadat e tyre, pastaj djemtë dhe vajzat shqiptare përmes kulturës, sportit, aktiviteteve tjera kanë treguar se kush me të vërtet janë shqiptarët. Megjithëse, mendoj se shqiptarët këtu në diasporë duhet të fuqizohen edhe më shumë, të vazhdojnë të japin kontributin e tyre dhe të ndihmojnë shtetin amë.

Jeni i kënaqur me të arriturat e mërgatës sonë në Zvicër?

Po dhe kjo vërehet shumë qartë, qoftë përmes zhvillimit të biznesit, politikës, sportit, kulturës, aktiviteteve sociale, etj. Mërgata ka treguar se është indikatorë i rëndësishëm i zhvillimit të këtij shteti, por edhe shteteve si Shqipëria dhe Kosova. Madje, raportet nga Banka Qendrore në Kosovë nënvizojnë se një pjesë goxha e madhe e të hyrave kryesisht vie nga remitencat e diasporës, gjë që tregon për rolin dhe rëndësinë që ka mërgata sot.

Nëse do të fillosh edhe njëherë nga fillimi punën me kamerë, cila do të ishte puna jote e parë?

Nuk e di nuk kam ndonjë koment. Më duhet shumë të kujtohem në këtë pyetje. Është kthim prapa me kujtes. Dua të shoh vetëm përpara edhe pse jam tej mase i kënaqur me ato që kam bërë deri më sot dhe që jam pritur shumë mirë në Zvicër.

Keni ndonjë program që gjithë arkivin që e keni ta regjistroni dhe të ja dhuroni institucioneve tona apo ndonjë studiuesi që merret me temën e diasporës?

Kam ca xhirime shumë të rëndësishme, disa i përmenda edhe më parë por enden nuk jam i gatshëm që ti ju dhuroj ndonjë institucioni, ndoshta ndonjë studiuesi që merret me temën e diasporës ja kisha dhuruar, por ende nuk kam vendosur! Është një copë shpirti që e kam shkri për ate punë, është e vështirë. Besoj, se do të vije koha dhe do ti dorëzoj në duar të sigurta, që të përfitoj gjenerata e re dhe jo ndoj individi. Sepse vetë nuk kam punuar për të fituar të mira materiale, por të mbetet një pasuri e madhe arkivore dhe e di se është vlëresuar e do të vlerësohet.

Z.Luboja, padyshim, se kemi edhe shumë për të bashkëbiseduar, por ia lejmë kohës, në ndonjë intervistë tjetër, sepse ne besojmë shumë, se nuk do të ndalesh edhe në të ardhmen, sepse shpirti juaj është si diell dhe rrezaton mirësi gjithandej. Të falënderoj shumë, shëndet dhe u takofshim herave të tjera.

Ju falënderoj për kohën dhe angazhimin, respekt dhe jeni çdo herë i mirë se ardhur! Pata nderin që të flas apo të bashkëbisedoj me Ju, duke të respektuar shumë, por vërtet e pata të vështirë të flas për veten time, por ju e gjykoni më mirë, sepse jeni të profesionit edhe ate me vite e vite. Respekte dhe përshëndes gjithë lexuesit tuaj kudo që ndodhen dhe të punojmë të gjithë sa mundemi për të mirën tonë të përgjithshme. Nuk duhet harruar kontributi i mërgatës sonë, se vërtet ka dhënë shumë për të mirën e çështjes kombëtare dhe është kjo diasporë, që gëzon autoritet edhe në shtetet pritëse. Besoj shumë, se edhe Shqipëria, por edhe Kosova, do të jenë edhe më afër me diasporën dhe ti jepet hapësirë veprimi për aty ku duhet në atdheun tonë, sepse gjeneratat e reja po arrijnë suksese të mëdha në evropë dhe duhet shpërnda ate njohuri edhe në vendin e të parëve. / Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Cyrih

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat