Nga vrasja e dy policëve te rrëmbimi dhe vrasje e një presoni tjetër, kush është trafikanti shqiptar i kapur në Turqi?

Diaspora

Nga vrasja e dy policëve te rrëmbimi dhe vrasje e një presoni tjetër, kush është trafikanti shqiptar i kapur në Turqi?

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 12:02
Dritan Rexhepi

Kreu i kartelit “Kompania Bello”, Dritan Rexhepi është arrestuar këtë të premte (10 nëntor 2023) në vilën e tij luksoze në Stamboll, aty ku kishte shkuar falë një pasaporte false kolumbiane, regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.

Dikur student për drejtësi, sot ai njihet si një ndër narkotrafikantët më të fuqishëm dhe akuzohet se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Rexhepi kërkohet aktualisht në Shqipëri, Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe.

Ndërsa në të gjitha vendet e sipërpërmendura, kapo banda kërkohet për trafikun e lëndëve narkotike, në Shqipëri kërkohet dhe për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës. Ai dyshohet të ketë qenë vrasësi i parë me pagesë në vendin tonë dhe është dënuar me 25 vite burgim në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.

Mediat në mbarë botën kanë shkruar për Dritan Rexhepin. Ndërsa flasin për Pablo Escobar, në tabloidet e gazetave më të njohura nuk mungon dhe emri i shqiptarit të përfshirë në krimin e organizuar.

“Kompania Bello njihet si një rrjet organizatash kriminale të drejtuar nga ‘kapo’ Dritan Rexhepi, një shqiptar i cili u arrestua në vitin 2020 në bastisje të koordinuara në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Prokurorët italianë thanë se Rexhepi kishte akses në ‘sasi të pafundme kokaine’ ndërsa Europol tha se bastisja ishte ‘më e madhja e këtij lloji ndonjëherë kundër krimit të organizuar shqipfolës’. Më afër vendit, fitimet fitimprurëse të kokainës mendohet se kanë nxitur një luftë të egër bandash në Irlandë që ka lënë të paktën 18 të vdekur që nga shpërthimi i saj në 2015 dhe çoi në dhjetëra arrestime,” – shkruan Daily Mail.

Ndërkaq, në vitin 2011 mediat spanjolle kanë shkruar për “mjeshtrin e arratisjeve nga burgu”. Rexhepi u arratis në vitin 2007 nga policia e Durrësit pasi këta të fundit e morën për t’i bërë një foto e për ta shpërndarë në media. Ndërkohë një vit më pas kapo banda mbahet mend për një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Pak më vonë një tjetër arrati u regjistrua në Belgjikë.

Ai doli nga Kakavija me pasaportën e falsifikuar me gjeneralitetet Lulzim Murataj –pasaportë me të cilën u arrestua në Ekuador- dhe prej datës 16 nëntor 2013, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat