Xhafer Balaj, një veprimtar i palodhshëm në mërgatë

Diaspora

Xhafer Balaj, një veprimtar i palodhshëm në mërgatë

Nga: Miftar Zagragjaj Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 20:49
Xhafer Balaj,

Mërgata shqiptare ishte dhe është faktor me rëndësi në rindërtimin e Kosovës dhe kontributi i saj ishte dhe është jashtëzakonisht i madh. Ky kontribut nuk do të ishte kështu pa disa individë që me aktivitetin dhe veprimtarinë e tyre u shndërruan në promotorë të lëvizjes në kahe pozitive. Një nga këta individ është edhe veprimtari e humanisti, Xhafer Balaj.

Kontributi dhe roli i mërgatës shqiptare për ta ndihmuar Kosovën në shumë aspekte ka qenë dhe ka mbetur shumë i fuqishëm edhe pas luftës së fundit në Kosovë. Ndihma dhe kontributi i mërgimtarëve shqiptarë është i pazëvendësueshëm për mirëqenien e familjeve të tyre që jetojnë në Kosovë, por edhe për mijëra familje të tjera skamnore të Kosovës, Shqipërisë dhe të trojeve të tjera etnike.

Bashkatdhetarët tanë vijojnë me aksione vullnetare që të ndihmojnë bashkëvendësit e tyre në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe shumë ente e institucione, siç janë qendrat e Mjekësisë Familjare, zyrat e Organizatës Handikos, Kryqi i Kuq, kopshtet e fëmijëve dhe shkollat në nevojë që ballafaqohen me mungesë të materialit shkollor.

Veprimtari dhe humanisti, Xhafer Balaj, tha se po realizojnë donacionin e 41-të me radhë që iu dedikohet nevojtarëve në Kosovë dhe Shqipëri. Ai shtoi se vetëm një maune me mallra kap vlerën mbi 350 mijë euro. Pajisjet dhe mjetet e grumbulluara janë siguruar në bashkëpunim me fondacionin suedez “Human Bridges”, si dhe me komunën e cila merret me pagesën e transportit, nënvizon z. Xhafer Balaj, i cili shpjegon se bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet fondacionin suedez “Human Bridges“ dhe Organizatës Humanitare “KIF LIRIA” e bënë të mundur realizimin edhe të projektit të fundit të ndihmave materiale për Kosovë.

Humanisti Xhafer Balaj njihet si njëri ndër veprimtarët më të shquar të mërgatës shqiptare dhe sipas tij roli i mërgatës shqiptare për ta ndihmuar Kosovën në shumë aspekte ka qenë dhe ka mbetur shumë i fuqishëm.

“Njerëz të vyeshëm të mërgatës gjithçka që kanë bërë, e kanë bërë në emër të përkushtimit për atdheun e tyre”, thotë z. Xhafer Balaj, i cili nuk e fsheh gëzimin dhe krenarinë që si mërgimtar ka arritur t’ia bëjë një argat të çmuar atdheut dhe popullit të shumëvuajtur, duke qenë iniciator dhe bashkiniciatorë i shumë aksioneve për grumbullimin e ndihmave humanitare dhe financiare në Suedi dhe më gjerë në Evropë.

Si shumë shqiptarë tjerë edhe z. Xhafer Balaj e përjetoi terrorin dhe barbarizmin serb në lëkurën e tij sa ishte në Kosovë. Ai u detyrua nga pushtuesi serb të marrë rrugën e mërgimit pas torturave që kishte përjetuar. Qysh atëherë dhe deri më sot asnjëherë nuk e ndërpreu aktivitetin politik dhe kombëtar. Krahas punës së përditshme për ta mbajtur familjen në Kosovë, ai u dallua me aktivitetin e tij kombëtar. Xhaferi, Omer Zuka dhe shumë veprimtarë të tjerë në Suedi, tërë angazhimin e tyre e bënin kryesisht mbi baza vullnetare si dhe me shpenzime personale.

“Mërgata shqiptare është i vetmi burim që i sjellë Kosovës ndihma pa interes. Me ndihmën dhe kontributet e mërgimtarëve shqiptarë përpos familjeve të tyre, po ndihmohen mijëra familje tjera skamnore anë e mbanë Kosovës”, thotë Xhaferi. Ai dhe shokët e tij e dëshirojnë që Kosova sa më shpejt të funksionojë si një shtet ligjor dhe me institucione të mirëfillta e njerëz kredibil në to, që nuk e harrojnë kontributin e mërgatës dhe dinë ta çmojnë rolin e saj. Ata kanë vërejtje se pas përfundimit të luftës komunikimi midis mërgatës dhe subjekteve politike në Kosovë ka zënë të dobësohet dhe të mos funksionojë si duhet. Shkaqet e kësaj dobësie janë nga më të ndryshmet gjë që po ndikon në rritjen e shqetësimit të mërgimtarëve tanë për të ardhmen e Mërgatës shqiptare.

Veprimtarët që merren me çështjen kombëtare dhe ata me çështjet humanitare fajin për zbehjen e aktivitetit të Mërgatës shqiptare ua atribuojnë partive politike, të cilat për interesa partiake e klientë listë, e kanë dobësuar organizimin e mirëfilltë të mërgatës, e cila duhet të jetë mbipartiake. Sepse, prurjet financiare të mërgatës sonë, qofshin ato remitanca apo ndihma humanitare, janë kolosale dhe burimi i rëndësishëm dhe i sigurt financiar për njerëzit dhe vetë institucionet në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat