Ullmar Qvick, thesar shqiptar në Suedi

Diaspora

Ullmar Qvick, thesar shqiptar në Suedi

Nga: Xhavit Çitaku Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 12:52
Pamje nga vendi i ngjarjes

Që në fillim të manifestimit kulturor, letrar e argëtues Fahredin Berisha, kryetar i SHKSH ”Iliria” në Norrkoping të Suedisë bëri me dije se ky event i organizuar së bashku me SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani” me rastin e kremtimit të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të jetë pak me ndryshe, pak më emocional jo vetëm për ne që jemi të panishëm, por edhe për të gjithë komunitetin shqiptar në këtë vend skandinav. Në të vërtetë, tha ai, në këtë vit ka lindur edhe miku ynë i madh, lëvruesi i gjuhës, historisë, traditës e trashegimisë shqiptare, shkrimtari, studiusi, përkthyesi Ullmar Qvick. Ai i mbush 90 vjet dhe për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht, por përmes telefonit ka thënë : ”Shëndeti po ma pamundëson pjesëmarrjen dhe për këtë po me vjen keq, por unë jam me juve, pran jush, pranë shqiptarëve, gjithmonë. Urime festa e madhe, urime pavarësia e Kosovës së dashur”. Me pas u paraqitën kumtesa për veprimtarinë e bujshme, të pasur e me përmbajtje të këtij personaliteti që tërë jetën a kushtoi shqiptarëve e Shqipërisë.

Veprat tuaja brilante i kemi në tavolinat tona dhe në bibliotekë

Viron Kona, shkrimtar e publicist i njohur nga Tirana dhe anëtar nderi i SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani”,Suedi, ndër të tjera ka shkruar : ”Vazhdimisht ju kemi në mendje dhe kemi ndjerë gjithnjë pranë vlerat tuaja, botën tuaj të mrekullueshme humane e shpirtërore, që për ne është dritë që ju e përhapni nëpëmjet veprave tuaja të shkruara sociale, kulturore e letrare, që fillojnë me përkthimet tuaja të shumta, e ku jeni përkthyesi kryesor i veprave shqiptare në gjuhën e bukur suedeze; nëpërmjet librave tuaj, veçanërisht librit tuaj epope ”Me shumë heroizma sesa grurë”, një përshkrim dokumentar i historisë dhe jetës shoqërore të shqiptarëve gjatë shekullit XX. Po kontributi i juaj i madh është ndier edhe në fjalor, vepra gjuhësore, në artikuj dhe intervista brilante, me mesazhet tuaja plot respekt e dashuri, në portalin e miqësisë Suedi- Shqipëri dhe Kosovë, teksa ndihemi të privilegjuar që ju jeni anëtar nderi i SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani”, Suedi dhe ndihmoni parreshtur në ngritjen e nivelit të lartë të punës e programit social- arsimor të shoqatës. Veprat tuaja ne i kemi në tavolinat tona të punës dhe në bibliotek, ato janë për ne mësime dhe përvoja të përparuara, ato janë në udhën e artë të bashkëkombësit tuaj suedez Tumman, të fqinjit danez Pedersen dhe të shumë albanologëve të tjerë evropianë, që e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë gjuhën e bukur dhe të lashtë shqipe” theksoi Viron Kona.

Prof. Fetah Bahtiri, i cili ka shkruar një libër të tërë për veprimtarinë e madhe të Ullmar Qvick, theksoi se: ”Ne shqiptarët në Suedi kemi hasur në shumë miqë suedez. Kemi pasur fatin që këtu e kemi gjetur edhe një mik suedez të veçantë, një thesar shqiptar të ndritshëm, i cili është i angazhuar me mish e me shpirt për t’iu ndihmuar shqiptarëve, e sidoms Kosovës që të çlirohet nga zgjedha serbe. Ky burrë që i thonin Ullmar Qvick, rregullisht ishte më i zëshmi, më i afti, më i miri, më i dijshmi, më besniku, më i madhi në mesin e të gjithë atyre veprimtarëve proshqiptar dhe vetë shqiptarëve. Ai është një figurë me peshë xhevahiri, i cili është marrë me kulturën shqiptare, ku për herë të parë kishte dëgjuar Radio Tiranën, Radio Shkodrën dhe Radio Kukësin, Ullmar Qvick i ka kushtuar një jetë të tërë miqësisë suedeze- shqiptare dhe është shndërruar si udhë lidhëse në mes të dy popujve dhe dy kulturave. Ullmar Qvick, si albanolog që është, e flet bulur gjuhën shqipe, por e shkruan më mirë dhe më drejt se shumë intelektual shqiptarë.

Ullmari ka shkruar edhe shumë punime gjuhësore kërkimore, kritika letrare, recensione, ka mbajtur shumë ligjerata profesionale, politike e shoqërore, është përballur ashpër me një mori debatesh me kundërshtarët e shqiptarëve sidomos kur ishte në pyetje Kosova dhe çështja e saj nën okupimin serb. Veprat letrare, studimet dhe përkthimet e tij janë të shumta, mbi dyzet sosh. Mendoj se, mbi të gjitha, është një thënie e tij e përseritur shumë: ”Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”. Zoti të bekoftë, Ullmar Qvick, ty që je thesar shqiptar në Suedi, tha ndër të tjera Prof. Fetah Bahtiri.

Kavajasi që shpresonte ta gjente Ullmar Qvick-un në mesin e 12.700 spektatorëve

Para se ta vizitonte Suedinë, Ëngjell Ndocaj, gazetar i spikatur i TVSH-së, skenarist e regjisor, mjeshtër i madh, kishte kontaktuar Viron Konen, shkrimtar, publicist, përkthyes e njohës i mirë i zhvillimeve në Suedi, sidomos në fushën e kulturës, për të mësuar për miqtë e tij në këtë shtet skandinav. Ai duke buzëqeshur i kishte thënë: ”Kam disa miqë në gjithë Suedinë por i pari që dua ta përmend, është Ullmar Qvick”. Ndaj, Ëngjelli për ta njoh më mirë filloi të hulumtoj se ndoshta edhe ai mund të sjell diçka të re në këtë tubim të mbrëmshëm dhe vërtetë kishte arritur. Nga të gjitha shkrimet studimet, artikujt, intervistat e të tjera që ka lexuar deri me tash, ka një fjali që i bashkon: ”Ullmar Qvick është një prej miqëve më të mëdhenj e të vërtetë të Kombit Shqiptar. Pashmangshëm shtrohet pyetja: Ku e ka fillesën kjo miqësi, çfarë u bë shkas?

“Ka qenë viti 1970, kur një 26 vjeçar nga Suedia e largët, vendosi të vizitojë tokën e shqipeve, të zaptuar nga dogma komuniste. Djalë i thjeshtë, studioz, me kulturë të përgjithshme, veçanërisht gjuhësore. I nxitur nga programt e Radio Tiranës e të ndonjë gazete që arrinte në Suedi, kish nisur të kuptonte po edhe të mësonte fjalët e para të një gjuhe, që për të, tingëllonte e vështirë. Nga ana tjetër dy- tre djem të rinj, emigrantë nga Jugosllavia e asaj kohe, por të lindur në Kosovë, e kishin ndihmuar disi të kuptonte shqipen. Para se të nisej për Tiranë, kish vendosur të ishte i urtë që të linte një përshtypje të mirë në një vend të panjohur me një regjim që frenonte kedo. Në takimin e parë me shqiptarët ai ndjeu ndrojtjen e frikën e njerëzve për të komunikuar lirshëm me të huajt. E pa fillimisht në hotel Dajt pastaj në Durrës tek Adriatiku,... megjithatë suedezi kurajoz vendosi ta sfidonte atmosferën mbytëse të mjedisit ku ndodhej. Doli nga hoteli dhe u drejtua tek stacioni i urbanit që të çonte në Kavajë.

Në vitin 1972, në Stokholm u zhvillua një Kogres botëror për gjuhësinë dhe etnografinë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, pas shumë dyshimesh, dërgoi Prof. Rrok Zojzin, themeluesin e etnografisë sonë moderne. Shkenctari ynë i nderuar mbajti kumtesën që kish përgatitur. E vlerësuan të gjithë, kërkuan ta takonin dhe ta respektonin sidomos të zotët e shtëpisë. Kur u kthye në Shqipëri, në rrethin e tij të ngusht familjar, ku bëja pjesë edhe unë, midis impresioneve që kish marrë nga Stokholmi, tregoi për një bisedë të shkurtër me një suedez, njohës i gjuhës, muzikës dhe etnografisë sonë kombëtare. Ishte mrekulluar nga njohurit e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Ullmar Qvick, me intuitën dhe kulturën që kish deri në atë kohë, kish ditur të vlerësonte, jo thjeshtë Prof. Zojzin, por pasurinë kulturore, sidomos atë të traditës që kish Shqipëria. Të gjitha këto profesori ynë kurajoz, nuk mund të rrinte pa i deklaruar me sinqeritetin e një shkenctari, duke e nisur me emrin e suedezit Ullmar Qvick, edhe pse e dinte se do t’i kushtonte... dhe kish pasur të drejt: nuk e lejuan më të shkonte jashtë shtetit. Atë emër kolegu, nuk e harroi kurrë, e ruajti në arkivin e tij shpirtëror dhe ma permendi deri në ditët e fundit të jetës së tij kur u shua në gushtin e 1995-es. Unë isha nipi i tij.”

Disa vite më parë, më konkretisht në shtatorin e 2008-es, në Tiranë do të zhvillohej ndeshja Shqipëri- Suedi, në kuadrin e eliminatorëve të kampionatit botëror të futbollit. Një i njohur i im nga Kavaja m’u lut t’i gjeja një biletë për të vëllan. Tre orë para ndeshjes, një burrë në moshë, qendronte para meje. I dhashë biletën po para se të ndahem e pyeta si e parashikon rezultatin. Buzëqeshi, duke me thënë: “Kur luajmë me Suedinë, unë nuk jam thjeshtë tifoz. Kam një dobësi për këtë vend.” Më bëri kurioz... Kisha patur të drejtë. Ky qytetar kavajas, e nisi përgjigjën me një pyetje: “Besoj se si gazetar i TVSH-së, keni dëgjuar për intelektualin Ullmar Kvick. – Po, iu përgjigja. Ai nisi tregimin... “Duhet të këtë qenë pranvera e vitit 1970. Bashkë me një shok ndodheshim në qendër të Kavajës. Po flisnim si shumica e të rinjve të asaj kohe, për “Besën”, skuadrën tonë të zemrës. Pa pritur diskutimin na e preu një i panjohur. Me një shqipe të panjohur për veshin tonë, u përshëndet dhe na kërkoi që ta adresonim diku, ku mund të gjente ndonjë relike apo simbol të zonës për ta marrë si kujtim në Suedi. Një i huaj! Nuk e menduam gjatë ndonëse e njihnim frikën në raste të tilla... pse mos ta ndihmonim! Hm!...Një fjalë goje Përfunduam të tre në rajonn e policisë. Disa orë brenda pastaj... ai me shqipen e tij, çuditërisht krejt të kuptueshme kish sqaruar punonjësit e Degës së Punëve të Brendshme se ishte një turist i zakonshëm nga Suedia, i pajisur me një vizë kolektive... Ne na lëshuan pas disa orësh qortimi e kërcënimi... dhe që atëherë se takova më ndonëse kam mësuar se ka ardhur disa herë në Shqipëri. Me dukët se do ta takoj sonte në stadium...”

Ky qytetar kavajas ishte në tifoz i zjarrtë i futbollit por krejt i veçantë. Shpresonte ta gjente Ullmar Qvick-un mes 12.700 spektatorëve. Disi absurd po i dhashë të drejtë. Ndoshta dinte diçka ose kishte dëgjuar për figurën shumëdimensionale të atij qytetari suedez që kish ardhur në rininë e tij. Sa dëshirë do të kisha t’i tregoja qoftë edhe tani, se i njohuri i tij, sot ka edhe një emër, me të cilin duhet të mburremi ne shqiptarët- albanologu Ullmar Qvick.”, përfundoi Ëngjell Ndocaj

Zë malli i mërgimtares

Saranda Iseni, Kryetare e SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani” para një numri të madh bashkatdhetarësh që ishin tubuar në këtë ditë të bekuar për popullin e Kosovës u shpreh: Kosovë, çdo ditë me mahnit me bukuritë rugoviane dhe ato brezore. Çdo natë me shafaqesh në ënderrë e bardhë si velo mendafshi nuserije. Çdo ditë marr frymë lehtë kur shoh gëzimin e lirisë në sytë e tu. Me beso edhe kur qaj buzëqeshi me lotin e shkrirë. Po flasë, oj Kosova e ime, me zë malli të mërgimtares. Ndërkaq, ju motra e vëllëzër, fëmijë të dashur me emocionuat tej mase me këtë prani të madhe, me të cilën po dëshmoni dashurinë e madhe që keni për atdheun, për vendlindjen, për Dardanin. Sa me kënaqin shpirtin këto vajza me atë vallëzim brilant, me atë veshje tradicionale, me atë buzëqeshje, me atë gëzim e hare. Me ngrohtësinë, që delë nga thellësia zemra, në emrin tim dhe të Shoqatës sonë iu uroj 16 vjetorin e Pavarësisë të shtetit tonë, Kosovës. Ndërkaq, duke lartësuar veprën e madhe të Ullmar Qvick, Saranda Iseni përkujtoi se para një jave ditësh kishte folur me të dhe ai i kishte shprehur kënaqësinë se ajo tash është zgjedhur kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi i XI Albai”. Ai i kishte thënë edhe këtë se: ”Femra shqiptare ka qenë shtyll e familjes, e qendresës, e edukatës, e emancipimit me shekuj, por fatkeqësisht kjo ka mbetur në heshtje, ndaj duke e njohur kapacitetin e juaj intelektual, për të cilën gjë e kam kuptuar edhe nga të tjerët, kam besimin e plot se sukseset e shoqatës, anëtar nderi i së cilës jam edhe unë, kanë me qenë kulminante”, përfundoi fjalën Saranda Iseni.

Braktisja e Kosovës brengë e madhe

Kryesia e SHKSH ”Iliria” dhe delegacioni i SHSHASH ”Papa Klementi i XI” zhvilluan një debat që kishte të bënte me sukseset arritura, problemet e hallet me të cilat po ballafaqohet komuniteti shqiptar në qytetin e Norrkopingut. Fahredin Berisha, kryetar i shoqatës ”Iliria” dhe anëtarët tjerë folën rreth punëve të mira që janë kryer posaçërisht rreth përfshirjes së nxënësve shqiptar në mësimin e gjuhës amtare, U tha se gëzon fakti që numri i fëmijëve shqiptar është shtuar, për të cilën gjë flasin faktet se vite më parë në procesin mësimor të gjuhës së nënës ishte i përfshirë vetëm një mësues, ndërsa aktualisht janë duke punuar katër mësimdhënës. Po ashtu, ishte kënaqësi e veçantë të dëgjosh se sa shumë djem e vajza kanë kryer shkollimin superior në lëmi të ndryshme dhe me dijen e profesionalizmin që kanë treguar në vendet e tyre të punës janë bërë të njohur jo vetëm në këtë qytet, por edhe më gjerë. Shukri Ymeri, kryetar i Lobit Euro-atlanik Shqiptar shprehu brengën e tij të madhe se vetëm një orë mësimi për gjuhën amtare në javë nuk mjafon, duke shprehur frikën njëkohësisht se pa hapjen e shkollave shqipe asimilimi i fëmijëve tanë do të jetë i pashmangshëm, ndaj i gjithë komuniteti shqiptar duhet të punojë e kërkojë me ngulm shkollimin shqip në këtë vend skandinav. Brenga e tij edhe më e madhe është se Kosova, por edhe Shqipëria po shpopullohet dhe ky fenomen i rrezikshëm duhet të frenohet sa më parë. Në këtë drejtim mërgata shqiptare ka një rol të pazëvendësueshëm, ngaqë ajo ka potencial të madh intelektual e njerëzor për të ndaluar këtë të keqe, këtë tragjedi kombëtare që po i kanoset shqiptarisë. Në të vërtetë, homogjenizimi i mërgatës dhe hartimi i projekteve për investime në atdhe duhet të mbetët prioritet i secilit mërgimtar, shoqate, grupi apo biznesit në të gjitha shtetet ku punojnë e veprojnë shqiptarët, tha Shukri Ymeri.

Jehoi kënga e çiftelia, kënaqi shpirtin poezia

Nikoqiri i këtij manifestimi SHKSH ”Iliria” ishte kujdesur që për të pranishmit të organizoj edhe një program letrar e argëtues. Në shenjë respekti për mikun e madh Ullmar Qvick poezi të bukura kishin shkruar Fahredin Berisha, Fetah Bahtiri, Saranda Iseni, Xhavit Çitaku, ndërkaq grupi i vajzave i kësaj shoqate befasoi me një vallëzim brilant, që u shpërblye me duartrokitje të gjata. Po ashu, edhe këngëtarja e njohur Mevlyde Mehmeti- Hajra me grupin e saj kënaqi këtë numër kaq të madh bashkatdhetarësh me këngë të bukura. Duhet të vihet në spikam edhe kontributin e nënave shqiptare të cilat me duartë e tyre të arta kishin përgatitur ushqime tradicionale, të cilat ishin shumë të shijshme.

Në fund të këtij eventi u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet SHKSH ”Iliria” dhe SHSHASH ”Papa Klementii XI Albani”. Pjesë e sponsorimit të këtij manifestimi ishte edhe SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani”.

Dhe krejt në fund: Ishte një pritje tipike tradicionale. Madhështia e këtij tubimi kulturor, letrar e argëtues qendron në faktin aty shihej se çfarë marrëdhëniesh të afërta, vëllazërore e të dashurisë kishin bashkatdhetarët tanë. Ndaj, kur ata e duan dhe e respektojnë njëri- tjetrin çdo gjë tjetër realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky është një shembull që duhet t’iu shërbej edhe të tjerëve. Ju lumtë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat