Hapet konsullata e nderit e Kosovës në Zelandën e Re

Diaspora

Hapet konsullata e nderit e Kosovës në Zelandën e Re

Nga: Sabit Abdyli Më: 27 tetor 2017 Në ora: 11:52
Pjesëmarrës ne ceremoni

Në qytetin metropol të Aucklandit të cilin nga gjitha anët e spërkasin valët e Paqësorit  herë qetësisht herë me rrëmbim në praninë  e përfaqësueseve të Komunitetit shqiptar, strukturave politike të qytetit dhe pushtetit qendror, konsuj të shteteve të ndryshme të akredituar në Auckland dhe miqve tjerë në mënyrë solemne u bë hapja e Konsullatës së nderit të Republikës së Kosovës me seli në qytetin e përmendur. Konsullata do të drejtohet nga Prof. Dr. Kenneth Eduard Jackson, i cili ka qenë pjesë e misionit të USAID-it në Kosovë, ka vizituar shpesh Kosovën dhe është  mik i mirë i shqiptarëve.

Me këtë rast ambasadori i Republikës së Kosovës dr. Sabri Kiçmari falënderoi Guvernatoren e Përgjithshme dhe Qeverinë e Zelandës së Re   për aprovimin e propozimit për konsull nderi të prof. Jackson duke vlerësuar ketë si ndërmarrje të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy shteteve. Në këto nëntë vjet pavarësie, vazhdoi dr. Kiçmari, Kosova tregoi se është  faktor paqeje e sigurie në rajonin e Evropës juglindore dhe  pjesë e pandashme e saj (Evropës) në rrafshin politik, gjeografik, historik e kulturor me synime të qarta integrimi në BE e NATO. Ambasadori  falënderoi Qeverinë dhe popullin zelandez për pranimin dhe pritjen e një numri refugjatësh shqiptarë në vitin 1999, falënderoi për votën pro Kosovës në UNESCO në vitin 2015 dhe për angazhimin konstruktiv  në debatet në KS të OKB-ës në vitet 2014-2015. Në fund ambasadori Kiçmari uroi Qeverinë e re në krye me znj. Jacinda Ardern e dal nga zgjedhjet parlamentare të këtij muaji. Pastaj doli në podium Konsulli Jeckson i cili në  fjalën e tij tha se është i nderuar që tash e tutje do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Zelandën e Re duke premtuar  kështu se do të punojë  me zellin më të madh në thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se Kosova  do të jetë pjesë e BE. 

Në emër të Korit diplomatik të pranishmit i përshëndeti Konsulli i nderit i Panamasë, i cili përcjelli urimin e Korit konsullor për hapjen e Konsullatës së nderit të Republikës së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të aktiviteteve me Konsullatën e nderit të Republikës së Kosovës.

Konsulli i nderit Prof. Dr. Kenneth Jackson u lind në Merton (Angli). Në vitin 1972 emigroi në Zelandën e Re. Katër dekada me radhë ka punuar në Universitetin e Aucklandit. Ka mbajtur ligjërata në universitete të shumta: në Indi, Kinë, Japoni dhe Kosovë. Në vitin 2016 ka punuar në një komision profesional të Parlamentit të Republikës së Kosovës për hartimin e raportit rreth industrisë së resurseve, minierave dhe ekonomisë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat